Për Rusinë dhe për racën e bardhë, kundër migrantëve dhe “bllokuesve”, pra kundër pjesëmarrësve në protestat antiqeveritare në Serbi.
Kështu mund të përmblidhen mesazhet e konferencës së disa partive evropiane të ekstremit të djathtë, përfaqësuesit e të cilave u mblodhën në Beograd me ftesë të Misha Vaciçit, një ultradjathtisti të dënuar, i cili është ndër themeluesit e Partisë së Nacionalistëve Serbë.
Në konferencë morën pjesë parti ekstremiste nga Italia, Spanja dhe Greqia, ndërsa u dëgjuan edhe fyerje ndaj romëve, personave me ngjyrë dhe komunitetit LGBT.
Gjithashtu, folësit përhapën narrativa proruse dhe antiperëndimore, si dhe mohuan pavarësinë e Kosovës.
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) lidhur me mesazhet e dëgjuara në këtë tubim.
Nga Qendra për Shtypit e Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë, ku u mbajt ngjarja, i thanë REL-it se distancohen nga qëndrimet që shkelin Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit.
Vaciçi u fut në 2023 në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për “aktivitete keqdashëse në favor të Rusisë”.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me aktivitetet e tij në Serbi.
Ndër folësit në tubimin në Beograd ishte edhe Roberto Fiore, lideri i grupit neofashist italian “Forza Nuova” (Forca e Re), i cili në Itali ishte dënuar me nëntë vjet burgim për organizimin e një grupi të armatosur.
“Ekstremistët e djathtë serbë që organizuan konferencën janë grupe margjinale të së djathtës ekstreme. Megjithatë, grupet nga Greqia, Spanja dhe Italia janë organizata me rrezik për sigurinë dhe është e habitshme se si Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) nuk ua ka ndaluar hyrjen disa prej tyre”, tha për REL-in Predrag Petroviç, nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë.
BIA nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse e konsideron një tubim të tillë si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Kush janë organizatorët e tubimit?
Themelimin e Partisë së Nacionalistëve Serbë në fund të vitit 2024 e paralajmëruan tre burra që vijnë nga mjedisi i ekstremit të djathtë: Misha Vaciq, ish-udhëheqës i Lëvizjes ultradjathtiste 1389 dhe partisë e Djathta Serbe; Pavle Bihali, udhëheqës i lëvizjes ultradjathtiste Levijatan; dhe Goran Davidoviç, lider i grupit neonazist të ndaluar “Nacionalni Stroj” (Makineria Kombëtare).
Misha Vaciç kishte organizuar edhe në korrik 2023 një tubim në Beograd ku morën pjesë përfaqësues të partive ultradjathtiste nga disa vende evropiane.
Në mars ai mori pjesë në një takim të partive të ekstremit të djathtë evropian në Romë, ku bëri përshëndetje fashiste.
Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Romë në vitin 2021, në një tubim të organizuar nga e djathta ekstreme italiane.
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Ministrisë së Financave të SHBA-së e vendosi Vaciqin në listën e sanksioneve para tri vjetëve, për pjesëmarrje në referendumet e paligjshme për aneksim, të organizuara nga Kremlini në territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia në shtator të vitit 2022.
Sanksionet amerikane përfshijnë bllokimin e pasurive që personat e sanksionuar kanë në SHBA, si dhe ndalimin e kompanive amerikane të bëjnë biznes me ta.
Në atë kohë, Vaciç deklaroi për REL-in se ishte “krenar” që ndodhej në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk ekziston asgjë më e ndritur në sferën gjeopolitike sesa ajo që bën Federata Ruse”, kishte deklaruar ai.
Në Serbi, Vaciç ishte dënuar me shtatë muaj burgim me kusht për përhapje të urrejtjes ndaj personave LGBT para Paradës së Krenarisë në Beograd në vitin 2009.
Në nëntor 2016 ai u emërua këshilltar në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, por u shkarkua pas tre muajsh për shkak të reagimeve të ashpra të një pjese të opinionit publik.
Në fjalimin e tij në konferencën e 31 majit në Beograd, ai e cilësoi si problemin më të madh të “nacionalistëve” grupin e quajtur “bllokues”, term që Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet përdor për demonstruesit antiqeveritarë të udhëhequr nga studentët.
Predrag Petroviç nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë tha se nuk e habit përputhja e narrativeve të ekstremit të djathtë me ato të përfaqësuesve të pushtetit.
“Kur u njoftua themelimi i Partisë së Nacionalistëve Serbë në dhjetor 2024, në kulmin e bllokadave dhe protestave studentore, ata thanë se kjo ishte një përgjigje ndaj bllokadave studentore dhe i quanin studentët ‘anarko-bolshevikë’. Ata përfaqësojnë krahun ekstremisht radikal të partisë në pushtet”, tha Petroviç.
SNS nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar narrativin e Partisë së Nacionalistëve Serbë lidhur me protestat studentore.
“Edhe Pavle Bihali e quante veten ‘qen’ që duhet të bëjë atë që i thotë pronari”, kujton Petroviç.
Rasti të cilit ai i referohet daton nga dhjetori 2025, kur në internet u publikua një bisedë telefonike e regjistruar fshehurazi, në të cilën Bihali thoshte se vepronte sipas urdhrave që vinin nga Partia Progresive Serbe, në mënyrë që të mos përfundonte në burg.
Bihali konfirmoi për REL-in se zëri në incizim ishte i tij, por pretendoi se materiali ishte “montuar me kujdes” për ta komprometuar dhe shtoi se kishte pasur parasysh bashkëpunimin me “shtetin dhe sistemin”.
Në tubimin e ultradjathtistëve evropianë në Beograd u dëgjua edhe thirrja neonaziste “Serbia për serbët”, e shqiptuar nga Goran Davidoviq, i njohur me nofkën “Führer”.
Bihali, në fjalimin e tij në të njëjtën ngjarje, bëri një sërë fyerjesh ndaj pjesëtarëve të pakicës kombëtare rome, duke i akuzuar ata se janë përgjegjës për numrin më të madh të veprave penale. Ai deklaroi gjithashtu se angazhohet për “ruajtjen e racës së bardhë” dhe se është kundër “martesave ndërracore”.
Nga Qendra e Shtypit e Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë deklaruan për REL-in se qëndrimet e shprehura në konferencën e ultradjathtistëve nuk pasqyrojnë qëndrimet e tyre.
“Sigurisht që Qendra e Shtypit distancohet nga çdo përmbajtje që bie ndesh me Ligjin për Diskriminimin. Përgjegjësinë për përmbajtjen e informacionit dhe saktësinë e të dhënave e mbajnë personat fizikë ose juridikë në emër të të cilëve Qendra e Shtypit ka shpërndarë informacionin”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
REL-i kërkoi koment edhe nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, por deri në përfundimin e artikullit nuk mori përgjigje.
Duke reaguar ndaj tubimit të ultradjathtistëve, kryetari i Partisë Rome, Sërxhan Shajn, deklaroi se në një shoqëri demokratike dhe antifashiste nuk ka vend për promovimin e ideologjive që në të kaluarën i kanë sjellë njerëzimit pasoja të pallogaritshme.
“Është e papranueshme që në Serbi, si trashëgimtare e luftës së dëshmuar antifashiste të popujve jugosllavë, të organizohen tubime ndërkombëtare fashiste të kryesuara nga shtetas tanë, të cilët bëjnë përshëndetjet e Rajhut të Hitlerit”, paralajmëroi Shajn.
Kush mori pjesë në tubim?
Tubimi i ekstremit të djathtë u mbajt më 30 dhe 31 maj në Beograd, ndërsa ditën e dytë u organizua një konferencë për media në Qendrën Mediale të Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë.
Përveç përfaqësuesve të Partisë së Nacionalistëve Serbë, folën edhe përfaqësues të organizatës neofashiste italiane “Forza Nuova”, të partisë ultradjathtiste spanjolle jashtëparlamentare “Democracia Nacional” (Demokracia Kombëtare) dhe të lëvizjes greke “Kinima 21”, e cila gjithashtu nuk merr pjesë në jetën parlamentare.
Këto grupe janë pjesë e Aleancës për Paqe dhe Liri (APF), e cila bashkon parti dhe lëvizje të ekstremit të djathtë nga disa vende evropiane. President i APF-së është Roberto Fiore, i cili njëkohësisht drejton edhe grupin jashtëparlamentar “Forza Nuova”.
Fiore themeloi në fund të viteve ‘70 organizatën “Terza Posizione” (Pozicioni i Tretë), e cila ishte e lidhur me grupin terrorist Bërthamat Revolucionare të Armatosura (NAR), përgjegjës për disa sulme terroriste në Itali.
Pasi policia gjeti gjatë viteve ‘80 një sasi të madhe eksplozivësh dhe armësh në zyrën lokale të “Pozicionit të Tretë”, Fiore emigroi në Mbretërinë e Bashkuar për t’i shpëtuar arrestimit. Në Itali ai u dënua në mungesë në vitin 1985 për pjesëmarrje në një grup të armatosur dhe për bashkim subversiv, por qeveria britanike ndaloi ekstradimin e tij.
Ai u kthye në Itali në vitin 1999, pasi vepra penale ishte parashkruar.
Pas kthimit themeloi organizatën “Forza Nuova”.
Në fjalimin e tij në Beograd ai foli për “bashkimin e popujve evropianë në luftën për qytetërimin dhe krishterimin”, si dhe për nevojën që në çdo vend të krijohen “grupe, seksione dhe militantë të gatshëm për të nisur konfliktin përfundimtar për Evropën e krishterë”.
Ndër folësit ishin edhe nënkryetari i partisë ultradjathtiste spanjolle “Democracia Nacional”, Gonzalo Martin, si dhe Janis Zografos nga “Lëvizja Patriotike Greke – K21”.
Kjo lëvizje u krijua pas shpërbërjes së organizatës neonaziste “Agimi i Artë” (Golden Dawn), e cila në vitin 2020 në Greqi u shpall organizatë kriminale.
Ajo që i bashkon të gjitha këto parti është fakti se prej vitesh mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë.
Kur në mars 2015 në Shën Petersburg u mbajt një forum i organizuar nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar, ndër pjesëmarrësit ishin Roberto Fiore dhe përfaqësues të “Agimit të Artë”, e cila në atë kohë ishte ende aktive./ REL
Komente






