39 – vjeçari Armando Sulejmani, i njohur ndryshe me nofkën “Çipuri” ka qenë pjesë e bandës së Gaxhait, mjaft e njohur në Vlorë. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa vetëm pak kohë më parë kishte fituar lirinë.
  
Banda ishte një grup kriminal që veproi në qytetin e Vlorës gjatë vitit 1997, kur në Vlorë sundonte anarkia. Anëtarët e bandës akuzohen për krijim të grupit kriminal, mbajtje të mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje dhe gjobëvënie. Banda kryesohej nga Gazmir Braka i cili është në burg. 

Banda e Gaxhait lindi si bandë rivale me atë të Zani Çaushit. Përplasja midis tyre nisi më 9 Maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti.

Edhe pse dy kokat e bandave janë në burg, larjet e hesapeve mes grupeve kriminale vazhdojnë. E tillë është edhe ngjarja e 11 nëntorit të vitit 2015-të, kur në Dajt u ekzekutua Enton Nikaj, i cili njihej si anëtar i bandës së Gaxhait. 

Edhe masakra me 3 të vrarë e 3 prillit të vitit të kaluar në lagjen "Çole", gjithashtu ka lidhje me përplasjen mes këtyre bandave. 

Redaskia online
(s.m/shqiptarja.com)