Në derexhe të rëndë e kanë sjellë vendin, por edhe veten, politikanët tanë me koncesionet e vazhdueshme që i kanë bërë karshi Beogradit, por edhe serbëve të veriut, në kuadër të dialogut siç na është trumbetuar - për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, por edhe për gjoja ushtrimin e sovranitetit në gjithë vendin.

Këtë gjendje më së miri e tregon fakti se me gjithë marrëveshjet (e mësitnuara nga ndërkombëtarët), asnjëri prej drejtuesve të institucioneve të vendit nuk mund të shkojë, për shembull, të vizitojë e t’i qajë hallet me banorët e ndonjë fshati në veri pa marrë “izë” nga Beogradi.

Se është këso situate dhe që nuk ka ndryshuar kurrgjë për të mirë, pavarësisht faktit që Prishtina zyrtare s’është ndalur së lëshuari pe, nuk është diçka që nuk e dimë.

Por, si për të na rikujtuar ose për t’ia bërë të qartë ndonjë qytetari që helbete u ka besuar zyrtarëve se shteti ynë tashmë gjendet në çdo cep të territorit, përkujdeset dikush nga ajo pjesë.

Shorti, kësaj here, i ra një drejtuesi komunal verior, sipas të cilit, në atë zonë nuk mund të shkojë asnjëri udhëheqës shtetëror i Kosovës nëse, paraprakisht, nuk ka marrë leje nga autoritetet lokale, të cilat për këtë punë vendosin vetëm pasi të kenë marrë pëlqimin e pushtetit të Republikës së Serbisë.

Kështu, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, ka treguar se për shkak të mospajtimit të Beogradit zyrtar, disa herë është refuzuar iniciativa e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, për të vizituar komunat që janë në veri të vendit, kryesisht të banuara me serbë.

Këtë deklaratë, ai e ka dhënë në kontekstin e paralajmërimit të një vizite të mundshme të kryeministrit të ri të Kosovës, Isa Mustafës, në këtë zonë.

“Isa Mustafa mund ta vizitojë Leposaviqin, por vetëm pasi të ketë marrë leje nga autoritetet lokale në veri, të cilat për këtë më parë flasin me Beogradin”, citohet të ketë thënë Jabllanoviq, njeriu që paguhet nga buxheti i këtij shteti, të cilin e menaxhon i apostrofuari.

Ofendimet e këtilla në adresë të kryeministrit, të presidentes, të institucioneve të tjera, por edhe të qytetarëve kosovarë në përgjithësi, sigurisht nuk janë dhe nuk do të jenë të fundit.

Sa për të forcuar këtë përshtypje duhet të kujtojmë qëndrimin e të birit të kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili është emëruar ministër në Qeverinë e Kosovës.

Aleksandar Jabllanoviq dy ditë më parë tha se nuk është i obliguar ta njohë shtetësinë e Kosovës. Madje, ai shkon edhe më larg, duke e quajtur republikën tonë “krahinë të Serbisë”, apo duke përdorur emrin “Kosmet” ose “Kosovë e Metohi”, gjë që është provokim i hapur për qytetarët shumicë të këtij vendi.

Që gjëra të këtilla të mos përsëriten duhet kërkuar zgjidhje.

Një prej tyre mund të jetë që pushtetarët tanë t’ua mbledhin “betë” politikanëve serbë të nivelit lokal dhe atij qendror të Kosovës, në mënyrë që t’i ndalin sjelljet joserioze e provokuese karshi shtetit.

Atyre duhet t’u bëhet thirrje që të jenë plotësisht në kallëpin institucional të Republikës ose të paralajmërohen për mundësinë e rishikimit të pozicionit të tyre në kuadër të një revidimi kushtetues.

Sjellja mund të duket paksa radikale dhe mund të ekzistojë droja nga reagimi i ndërkombëtarëve, por edhe këta, dhe gjithë të tjerët duhet të jenë bindur tashmë se institucionet kosovare kanë tejkaluar çdo kufi sa u përket koncesioneve.

Një argument tjetër të fuqishëm që e kanë në dorë është se as edhe një marrëveshje e vetme e nënshkruar me Beogradin me ndërmjetësimin e Brukselit nuk është zbatuar në tërësi, kryekëput për fajin e pushtetarëve serbë, të cilët vazhdojnë të zvarrisin çdo avancim, duke i mbajtur njëkohësisht peng edhe serbët e Kosovës.

Pra, serbëve kosovarë duhet t’u bëhet me dije se është koha e fundit kur ata duhet të zgjedhin për të ndërtuar të ardhmen e tyre në kornizën ligjore dhe territoriale të Kosovës, përndryshe rrezikojnë të humbin gjithë ato të drejta që pameritueshëm i kanë, përfshirë edhe atë të vetos mbi shumë çështje fundamentale.

Duhet ta dinë se numrat janë.
Edhe për ta ndryshuar sistemin.

Dhe ta kuptojnë se Republika s’mund të vazhdojë pafundësisht të jetë peng i tekeve të Jabllanoviqëve e …viqëve të tjerë.
Dhe se duhet ta ketë një zot shtëpie.