TIRANE - “Për të gjithë ata që do të kalojnë semaforin me të kuqe me automjetet e tyre duhet të gjobiten 40 mijë lekë nga policia rrugore".
 
Kështu deklaroi sekretari i Ministrisë së Transporteve, Edi Seitaj, ndërsa ishte në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Integrimit. I pyetur nga deputetët e mazhorancës mbi rritjen e gjobave, Seitaj tha se kjo nismë nuk synon rritjen e arkëtimeve, por vetëm uljen e numrit të aksidenteve.
 
“Ne si ministri kemi menduar se 10-fishimi i gjobës do sjellë ndërgjegjësim, gjobat për kalimin me semafor të kuq të shkojë në 40 mije leke", deklaroi Seitaj.

Deputetët e mazhorancës pranuan propozimin e deputetes Valentina Leskaj, sa i përket lejeve të drejtimit për karrocat dhe kategoritë e njejta. Sipas Leskajt, duhet një reformë e thellë në këtë drejtim pasi nuk mund të pajisen me patentë 14-vjeçarët dhe mosha duhet të rritet në 16 vjeç.  Ketë propozim deputetja Leskaj e argumentoi me Kodin e Punës sipas i cili përcaktohet moshën 16 vjeç për të punuar.
 
Në Komisionin e Integrimit do të jenë për seancë dëgjimore çdo ministër, për të mësuar më shumë për punën që po bën çdo ministri, si pjesë e reformave të kërkuara nga Komisioni Europian.
 
Nënkryetari i këtij Komisioni, Taulant Balla tha se në axhendë për seancat dëgjimore do të jenë ministrat që kanë lidhje dhe me progres raportin e KE. Balla i bëri thirrje opozitës të jetë pjesë në këto seanca dëgjimore.  

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)