Njerëzia e gjithë dynjasë ka një ves njerëzor, që është shumë larg hyjnores, luftën për të qenë vetë ose sindromin për të qenë i pari. Por te popujt e Ballkanit, e posaçërisht te shqiptarët, ky ves ka qenë pothuaj gjithnjë më i shprehur.
Askush nuk e di me saktësi se sa shqiptarë janë vrarë për pozitën e të parit. Sa të tjerë janë internuar, janë asgjësuar, janë zhdukur ose janë shkelur me këmbë. Në konceptin e filozofisë moderne, lufta për të qenë i pari, ndryshe njihet edhe si lufta për pushtet, për fuqi, për status...

Sindromi i “të parit”, ndër shqiptarë është më i vjetër se sa vetë ilirët, por ne e mbajmë mend që nga koha e princërve shqiptarë, e Skënderbeut ose e Lekë Dukagjinit, e Ali Pashës me krejt hajdutët e tij në qafë, e Zogut, e Nolit dhe e Hasan Prishtinës, e Bedri Pejanit, ose më vonë e diktatorit Hoxha dhe e Mehmet Shehut, e Hoxhës më të vogël në Kosovë dhe e Shaban Polluzhës... e deri te çiliminjtë e politikës së sotme shqiptare, që nisin me krejt liderët e politikës e të elitës, e që piketohen me Berishën e me Nanon, me Hashimin e me Ramushin, me Sejdiun e me Dacin apo Isain, e kështu deri në pakufi, me Krasniqin e me Limajn, me Mozën e Palin, me cucën e me macen… të gjithë duan të jenë vetë. Ata e kanë sëmundjen e të qenit “i pari”.

Ky sindrom nis nga qeliza, nga familja, lagjja e katundi, e shkon përtej në gjithë kupolën e hierarkisë së fuqisë që përfundon në maje te “njëshi".

Është fare e lehtë të drejtohet gishti tek ata që i njohim, që janë figura publike, që shtyhen me bërryla për të arritur majën e fuqisë, por defekti nis shumë më poshtë, në kokën dhe në mendjen e secilit prej nesh dhe shkon gjithmonë duke u rritur, në mënyrë që një ditë të plasë te finishi.

Nuk e di nëse ka ndonjë popull që pretendimin e “Njëshit” e nisë që nga ninullat, siç kanë bërë shqiptarët në vazhdimësi dhe gjithmonë me “nina-nana n’djep prej druni / ti m’u bafsh plak katundi”, e më vonë rend me rend: kryeministër e president.
Prandaj sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, populli është kontaminuar me sindromin e “Njëshit”. Luftë në shtëpi, në rrugë e në çarshi… Jo pak hoxhallarë u kapën për fyti për të qenë “Njëshi”, ose “kryepleqtë” e komunave që i janë futur pazarit “pash më pash” që sot e njohim me një shprehje “koalicion”, me dreqin e me të birin veç për t’u bërë njëshi!

Duket që në këtë vend, janë të rrallë ata që nuk janë infektuar. Ata që e kanë përcjellë fushatën për kryetarë komunash në Kosovë, kanë mundur të binden fish më fish, se si në këtë vend “ku delet i hanë gomarët”, kësaj rruge i ishin futur, jo pak të krisur e të paditur, të zgjebosur e të burgosur. Ka mjaftuar vetëm motivi që të jenë njëshi. Sëmundja e pashërueshme për të qenë i pari, e ka ndërruar edhe sintaksën e shqipes letrare dhe sot pashpjegueshëm ndeshemi me togfjalëshat: i pari i qeverisë, i ministrisë, i çarshisë, i universitetit, i kishës e i mejtepit e deri te “gazeta numër një në Kosovë”, televizioni i parë, madje edhe emisioni i parë, e kështu deri në pakufi.

-Ju të gjithë kundër meje! Do të kenë thënë diktatorët dikur: -Po njëshi jam unë. Është thënë shumë herë, se askujt s’i ka shkuar mendja, që diktatori i tmerrit shqiptar, do të dilte nga një nxënës i zakonshëm liceu. Është thënë kështu edhe për sa e sa figura që njerëzimin e kanë ulur në dy gjunjë apo e kanë ngritur lart. Duhet gjenialitet thonë që të hysh në historinë e botës.

Teoritë flasin se të qenit i pari, në të shumtën duket një koncept i mjegullt: të cilin mund ta ndiesh si një copë sapuni që vazhdimisht të rrëshqet nga duart. E vështirë është të arrish ta kapësh, por akoma më e vështirë ta mbash në duar. Besimet fetare, diku mes faqeve të librave, thonë që t’i mbajmë mend liderët, sepse ata flasin në emër të Zotit, ta konsiderojmë jetën që kanë çuar dhe të imitojmë fatin e tyre. Larg qoftë që të imitojmë fatin e disave nga këta të sotmit!

Thonë që mbreti s’paskësh mundur të vendosë bajraktar vetëm ndër shqiptarë, sepse të gjithë ata paskëshin kërkuar nga një kalë shale për vete, qoftë edhe duke mos u pajtuar kurrë me shkëlqimin e tjetrit. Lufta për të qenë i pari, edhe këtë herë, ishte e ashpër e po duket se mund të shndërrohet edhe në të pistë. Nuk lëshojnë pe as nga burgu, as nga istikami, as nga i fundit… sepse secili do që të jetë “i pari”.