Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka komentuar deklaratën virale të demokratit Bujar Leskaj gjatë protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. ‘Kush po e rruan për urdhra’, ka thënë Leskaj teksa u pyet nëse nuk kishte zbatuar urdhrin e kryedemokratit Sali Berisha për të mos marrë pjesë në tubim.
Murrizi shkruan se Leskaj ka të drejtë të mos shqetësohet për sa kohë, nën drejtimin e Lulzim Bashës, ishte drejtues politik i Vlorës dhe nën drejtimin e Berishës është deputet pa asnjë votë (pjesë e listës së mbyllur). Ndër të tjera, ish-deputeti thotë se partia funksionon mbi vendime të arsyetuara dhe jo me ‘urdhra l*shi’.
“Bujar Leskaj ‘ka të drejtë’ që nuk e rr*an, se është rr*ajtur dy palë zgjedhje rresht: në 2021 te Luli, në 2025 te Muli, për të qenë drejtues i Qarkut Vlorë dhe numri 1 në listë të mbyllur.
Pra, kur rr*hesh dy herë rresht për të marrë mandat pa vota, nuk mund ta rr*ash për asnjë berber.
E dyta, partia nuk është repart ushtarak që të funksionojë me urdhra l*shi, por bashkim vullnetar individësh që mbrojnë interesat e tyre dhe të shtresës që përfaqësojnë.
Partia ka kushtetutën e saj që quhet STATUT, dhe në STATUT thuhet që partia funksionon me VENDIME që i marrin organet që drejtojnë partinë, dhe çdo vendim duhet të jetë publik, i argumentuar për kauzën që merret dhe në interesin politik të partisë.
Kur të tjerët nuk e rr*ajnë për organet e partisë dhe nuk i mbledhin, sepse mendojnë që i bëjnë të gjitha vetë, atëherë Bujari dje, por edhe Bujarë e Hajdarë të tjerë në vazhdim, nuk do ta rr*ajnë fare, derisa leshi i tyre të fshijë oborrin dhe zyrat e PD-së si fshesë korrenti,” shkruan Murrizi.
Sali Berisha një ditë përpara protestës, deklaroi se nuk do ishte pjesë e saj, pavarësisht ftesës nga organizatorët. Me këtë u kuptua që asnjë demokrat nuk do të merrte pjesë. Berisha tha se një organizim i tillë nuk është rruga e duhur për të kërkuar pavarësinë e ish-krerëve të UÇK-së të burgosur në Hagë, por mbi të gjitha nuk do të ishte prezent sepse pritej që Rama të paraqitej në shesh, e mbi të gjitha tha Berisha, kishte planifikuar të mbante dhe 1 orë fjalim.
Kjo nuk ndodhi pasi vetë kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më përpara se nuk do ishte pjesë, pikërisht për të mos politizuar protestën, por në shesh ishin socialistë të tjerë.
Komente












