TIRANË- Socialistët tërheqin për shqyrtim ligjin që penalizon me 10 vite daljen nga Shqipëria të atyre që kryejnë krime zgjedhore. Nga foltorja e Kuvendit, numri dy i PS-së Taulant Balla tha se ky amendament do të tërhiqet për t'u konsultuar edhe më gjerësisht me opozitën parlamentare.
“Amendamenti i propozuar nga zoti Bushati lidhur me penalizimin e përkohshëm deri në 10 vite, me ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, kemi menduar që amendamenti mos të votohet sot edhe me mendimin e opozitës, dhe të jetë pjese i një diskutimi më të gjerë me ndëshkime alternative”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ndërsa deputeti i opozitës Myslim Murrizi deklaroi se ky ligj u hoq nga mazhoranca pas marrëveshjes që Basha bërë me Ramën për t'i dhënë në tryezë 61 bashkitë e vendit, duke mos marrë pjesë në zgjedhje lokale.