Nuk kam asnji ide se kush asht zonja Evis Kushi, kandidatja e saposhpallun e Edi Ramës për Qarkun e Elbasanit, por jam i bindun se po të kishte qenë nji si puna e do pulave pa krye që kokorisin në kotecin e PD-së, s’do të ishte marrë kush me të.

Speaker-ja e Parlamentit, aktiviteti kryesor i së cilës, përposë udhtimeve turistike, ka qenë mbledhja e firmave për nji peticion sa idiot aq edhe të pazakontë, mbasi formulohej dhe mbështetej prej atyne që mbajnë pushtetin, kur e dijmë se instrumenti i peticionit përdoret pikërisht për me iu drejtue atyne që e janë në pushtet; shpalli faqe botës se zonja Kushi e kishte firmosë atë peticion drejtue/kundër Edi Ramës.

Pa e dijtë, pse zakonisht gjanat dihen vetëm kur reflektohet rreth tyne, ajo e nxori Edi Ramën si nji leader liberal (gja që nuk duhet të jetë edhe aq e vërtetë), që kandidon edhe njerëz që nuk janë dakord me të. Do të isha kurioz me dijtë nëse Sali Berisha do ta kandidojë rishtas Mark Markun, tue qenë se ky i bani vjet nja dy tentativa të ndrojtuna me ia kritikue linjën politike dhe praktikat në parti!?

Lista me firmat e peticionit asht tepër heterogjene, ka në të njerëz që vlejnë, ka edhe shumë tjerë që dijnë vetëm me vu firmën. Reagimi i speakere-s u tregoi qartë firmatarëve se janë të “komprometuem” me pushtetin dhe se nuk janë të lirë deri në fund. Kjo histori firmash na kujton do firma tjera që shumë prej atyne që hyjnë e dalin në politikë e në administratë i kanë hjedhë dikur përpara ndonji operativi të DPB.

Ato firma dhe dosjet që nuk po hapen ende i kanë dhanë pushtet dhe garancina kryesisht tre njerëzve shumë të afërt njeni me tjetrin: Nexhmije Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Sali Berishës. Ma qartë se kurrgja ketë gja e tregoi farsa e zgjedhjes së presidentit së Republikës.

Prania e firmave të shumë njerëzve që punojnë për shtetin në fund të atij peticioni spjegohet thjesht me faktin se ky pusht-shtet i ka lidhë me bukën e gojës e s’kanë kah me ia mbajtë. Pra, ma shumë se çështje forcet ai peticion asht nji çeshtje dobësijet.

Nga nji anë qëndron në dobësinë e vet Kushi, ndërsa në anën tjetër zgërdhihet në forcën e vet të dobtë Kurrkushi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)