Jared Kushner, dhëndri dhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, mbërriti në Izrael për t'u takuar me Netanyahun për të diskutuar zbatimin e planit të paqes për Gazën, njoftuan mediat vendase. Kushner, mori pjesë në negociatat e marrëveshjes së armëpushimit me Steve Witkoff.

Hamasi tha ndërkohë se është "i vendosur për të siguruar suksesin e marrëveshjes së armëpushimit" dhe "po punon për ta zbatuar atë në terren". Sipas një deklarate të lëshuar nga Ismail Radwan dhe të transmetuar nga Channel 12, çështja e trupave të pengjeve "duhet të adresohet shpejt" dhe "duhet të gjendet një zgjidhje menjëherë".

Radwan bëri thirrje për të ushtruar presion mbi Izraelin për të hapur kalimin e Rafah dhe vuri në dukje se ndërmjetësve u është dërguar një mesazh që shpreh gatishmërinë për të tërhequr militantët e Hamasit nga Rafah dhe zonat e përcaktuara si "të verdha" sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi një muaj më parë.

Të dielën Hamasi dorëzoi trupin e një tjetër pengu, ushtarit izraelit Hadar Goldin, i vrarë në Gaza gjatë luftës së vitit 2014. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, konfirmoi se eshtrat i përkisnin Goldinit. Katër trupa të tjerë të pengjeve të vrarë ende nuk janë kthyer në Izrael sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi një muaj më parë.

Një marrëveshje e cila ka parë shpesh momente të vështira, duke u vënë seriozisht në pikëpyetje. Sipas agjencisë palestineze të lajmeve Ëafa, ushtria izraelite po vazhdon të shembë shtëpitë palestineze në lagjen Zeitoun, në juglindje të qytetit të Gazës, ndërsa njëkohësisht nis sulme të rënda ajrore në qytetin jugor të Khan Younis.

Lajm ne perditesim..