Dhëndri dhe i dërguari i Presidentit Trump, Jared Kushner, u takua në Egjipt me udhëheqësin e Hamasit Al-Hayya, së bashku me anëtarë të tjerë të organizatës.

Sipas mediave në takim morën pjesë edhe i dërguari i Bordit të Paqes për Gazën, ish-kryeministri britanik dhe këshilltari i Bordit të Paqes, Tony Blair dhe zyrtarë të tjerë.

Kushner thuhet t’i ketë kërkuar Hamasit të zbatojë angazhimin e tij për çarmatim siç përcaktohet në fazën e dytë të planit të Trump për Gazën. Po ashtu, ai i ka kërkuar të garantojë transferimin e të gjithë pushtetit në Rripin e Gazës te qeveria palestineze, me angazhimin se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në administrimin e ardhshëm të Gazës.

Anëtarët e Bordit të Paqes, të cilët do të takohen me Benjamin Netanyahun të hënën në Izrael, synojnë t'i kërkojnë kryeministrit izraelit që ushtria të kryejë tërheqje graduale, paralelisht me çarmatimin gradual të Hamasit.

Egjipti, Katari, Arabia Saudite dhe pesë vende të tjera islamike paralajmëruan Izraelin se do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij që synojnë pengimin e përpjekjeve për paqe në Gaza dhe në territoret palestineze.

Po ashtu, mediat shkruajnë se ushtria izraelite po përgatitet për mundësinë e kthimit të luftimeve disaditore në Liban.