TIRANE - Gjykata Kushtetuese ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit, për shpërblim të plotë monetar të të larguarve nga administrata shtetërore, të cilët kanë fituar procesin gjyqësor ndaj organeve qeverisëse.
 
Sipas njoftimit për shtyp, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shpërblimi i personave gjyqfitues do të bëhet i plotë dhe jo i pjesshëm, ashtu siç ishte kërkuar nga institucioni i Avokatit të Popullit.
 
Njoftimi i kushtetueses vjen në një kohë kur Avokati i Popullit, Igli Totozani, raportoi në Komisionin e Ligjeve, duke u përqendruar tek të larguarit nga administrata, ku sipas tij janë 384 persona.

Ja njoftimi i plotë i Avokatit të Popullit në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese:
 
NJOFTIM PER MEDIA
 
Sot më datë 04.04.2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë pas kërkesës së Avokatit të Popullit ka shpallur vendimin për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të shkronjës “d”, të pikës 7, të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 18.08.2011 “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të thesarit”.
Shfuqizimi pjesërisht i këtij akti, do të ndikojë në rritjen e cilësisë dhe efiçencës së ekzekutimit të vendime gjyqësore civile të formës së prerë nga ana e autoriteteve të ngarkuar me ligj për ekzekutimin e tyre.
Personi i tretë, dega e thesarit apo banka e nivelit të dytë, në procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore civile të formës së prerë, me objekt detyrimin e institucioneve buxhetore të paguajnë shuma të caktuara në të holla, në referim të Vendimit nr. 20, datë 04.04.2014, të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, nuk do të mund të kryejnë veprime për heqjen e masës së sekuestrës mbi llogarinë e organit apo institucionit debitor pas botimit të këtij vendimi në fletoren zyrtare.

Kjo pasi, shkronja “d”, e pikës  7, të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 18.08.2011 “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të thesarit”, lejonte marrjen e kompetencës së Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor për heqjen e masës së sekuestrës mbi llogarinë e palës debitore, institucionit buxhetor, edhe nga personi i tretë në procesin e ekzekutimit, përkatësisht dega e thesarit.
Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror apo Privat, pas sjelljes së efekteve ligjore të parashikuara në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, do duhet të ketë në vëmendje respektimin me rigorozitet të parashikimit të kryer në nenin 531 të Kodit të Procedurës Civile, për vënien para përgjegjësisë ligjore të debitorit si dhe personave të tretë në procesin e ekzekutimit, në rast disponimi nga ana e tyre mbi llogarinë e sekuestruar të palës debitore, pasi tashmë vënia e sekuestrës është kompetencë vetëm e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor.

Ju sjellin në vëmendje organeve apo institucioneve të Administratës Publike për respektimin e së drejtës të fituar prej një numëri të konsiderueshëm subjektesh gjyqfitues në rrugë gjyqësore, në përputhje me parimin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor, sikurse sanksionohet në nenin 42 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë. 



Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)