Ditën e djeshme Gjykata Kushtetuese konfirmoi Erion Veliajn si kryetar të Bashkisë Tiranë, duke rrëzuar në një votim 5 me 3, propozimin e Këshillit Bashkiak, vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin dhe dekretin e presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë më 9 nëntor.

I ftuar në “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, avokati Spartak Ngjela komentoi edhe deklaratën e Veliajt në Kushtetuese në seancën e 31 tetorit, se ai u rrëmbye nga zyra dhe u burgos pa të drejtë.

“Nëse ka shkelje ligjore të kësaj natyre, Veliaj duhet ushtrojë padi penale. Nuk ka lidhje Gjykata Kushtetuese me këtë. Ajo e zbatoi Kushtetutën, tha se është i zgjedhur dhe kthehet në detyrë. Nëse kundër tij mund të jenë bërë shkelje të tjera që janë vepra penale, nuk është kjo kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Me këtë dua të them, që ajo është maja e shoqërisë së një shteti, është organi më i lartë i shtetit demokratik”,- tha Ngjela.

Sipas avokatit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Veliajt, i lehtëson atij edhe procesin penal.

“Duhet të shikojmë arsyetimin. Duke e marrë në mënyrë apriori, them se do ta lehtësojë. Është gabim në jurisprudencë, drejtësi dhe kushtetutë që një njeri që ka marrë qindra mijëra vota të arrestohet, duhet të gjykohet i lirë. Këtë tha dhe Gjykata Kushtetuese, sepse nuk është personaliteti i tij, është personaliteti ynë që e kemi votuar”,- tha Ngjela.