TIRANË- Erjon Veliaj fitoi në Gjykatë Kushtetuese betejën me Edi Ramën dhe do të jetë kryetar i bashkisë Tiranë, edhe pse ndodhet në paraburgimin e Durrësit. Shumica e anëtarëve të kësaj Gjykate, thanë se procedura e shkarkimit nga Këshilli Bashkiak deri në qeveri, nuk i garantoi Veliajt proces të rregullt ligjor dhe nga ana tjetër, shkarkimi me motivin e mungesës në punë nuk ishte në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës.

Me një vendim në kohë rekord, vetëm 3 ditë pas seancës 7 orëshe të së premtes, Gjykata Kushtetuese rrëzoi me 5 vota Qeverinë për shkarkimin e Veliajt. Kundër kërkesës së kryebashkiakut votuan 3 gjyqtarë, mes tyre kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.

Gjykata Kushtetuese thotë se një kryetar bashkie mund të shkarkohet vetëm në zbatim të nenit 115 të Kushtetutës, për një shkelje të rëndë të ligjit themelor, dhe jo siç bëri qeveria që u bazua në nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili në të gjitha rastet është thjesht zgjatim i Kushtetutës.

“Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese”, thuhet në vendim.

Vendimi i qeverisë i 25 shtatorit dhe votimi dy ditë më herët nga Këshilli Bashkiak, nuk kanë respektuar as të drejtën e Veliajt për një proces të rregullt ligjor thotë Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër”, thuhet në vendim.

Unanime ishte Gjykata Kushtetuese kur tha se ka juridiksion të plotë për të vendosur për një VKM shkarkimi të një organi vendor se vetëm kështu garantohet autonomia e pushtetit lokal.

Zgjedhje në Tiranë nuk do të ketë, pasi edhe dekreti i Presidentit Begaj ishte antikushtetues, të cilin Gjykata e anuloi. Sipas Kushtetueses, ndryshe nga siç pretendoi kreu i shtetit, edhe shqyrtimi i dekretit të Presidentit është në juridiksion të saj, teksa hodhi gjithashtu poshtë pretendimin se çështja duhet t’i kalonte Gjykatës Administrative.

Vendimi i Kushtetueses në favor të Veliajt vjen pas përballjes mbi 7 orë seancën publike të 31 tetorit, ku ishte i pranishëm edhe vetë kryebashkiaku i cili u përball me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet.  Me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë, Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Veliajt, vendim që u mor më datë 25 shtator nga qeveria me firmë të vetë kryeministrit Rama.

Si votuan gjyqtarët e Kushtetueses?
Pro
Sander Beci
Ilir Toska
Fiona Papajorgji
Marsida Xhaferllari
Marjana Semini
Kundër
Holta Zaçaj
Sonila Bejtja
Gent Ibrahimi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:29
GJK i dha të drejtë Veliajt, mbështetësit e kryebashkiakut hedhin fishekzjarre pranë Burgut të Durrësit

 

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Erion Veliajt dhe e konfirmoi në krye të Bashkisë Tiranë, duket se në burgun e Durrësit ka nisur festa.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv, mbështetësit e Erion Veliajt kanë hedhur fishekzjarrë pranë burgut të Durrësit.

Fishekzjarret janë hedhur jashtë rrethimit të burgut të Durrësit.

Ora 18:58
ZBARDHET vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Veliajn: Kryebashkiaku mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rëndë të ligjeve

 

1761908804_erionveliaj.jpg

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn, thuhet se gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore.

Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit, thuhet më tej në vendim.

Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve.

VENDIMI I GJK:

Gjykata Kushtetuese në datën 03.11.2025 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë; shfuqizimin e dekretit nr. 350/2025, të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti.

Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues.

Gjykata theksoi, gjithashtu, se në jurisprudencën e saj të deritanishme ka përjashtuar nga juridiksioni kushtetues vetëm rastin e mbarimit të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), ndërsa në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, sikurse në rastin konkret, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore. Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit.

Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.

Në kushtet kur pranoi në juridiksionin kushtetues VKM-në nr. 539/2025, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e saj, në lidhje me të drejtën për proces të rregullt i shqyrton rastet e shkarkimit të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore si gjykim në themel të çështjes, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, duke analizuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe të aktit. Në thelb, Gjykata shqyrton nëse shkaku i shkarkimit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe nëse Këshilli i Ministrave ka respektuar procedurat për ta motivuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit.

Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve. Në lidhje me këtë, tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se të gjitha parashikimet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar nga ligjvënësi në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.

Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.

Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër.

Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.

Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesit i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025.

Në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës, Gjykata theksoi se për sa kohë kontrolli i shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore sipas nenit 115, pika 2, të Kushtetutës i përket juridiksionit kushtetues, edhe kontrolli i akteve të pushtetit publik të nxjerra si rrjedhojë dhe për shkak të vendimit të shkarkimit dhe krijimit të vakancës, siç është dekreti i Presidentit të Republikës, i përkasin po ashtu juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nuk ka nevojë të ndiqen rregullat për shterimin e mjeteve në gjykatën administrative, sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës.

Duke qenë se shfuqizoi VKM-në nr. 539/2025, me qëllim riparimin e pasojave që vijnë nga dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, në konsideratë të nenit 115, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe këtë dekret pasi është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës të krijuar nga VKM-ja për shkarkimin nga detyra të kërkuesit.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

  1. Pranimin e kërkesës.
  2. Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
  3. Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
  4. Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Ora 18:46
Veliaj fiton në Kushtetuese, ja cilët gjyqtarë votuan PRO dhe KUNDËR ankimimit të kryebashkiakut

1760723585_gjykatakushtetuese.jpg

Report Tv ka zbardhur votimin e 8 gjyqtarëve në Kushtetuese lidhur me ankimimin e Erion Veliajt.

Pesë prej tyre kanë votuar pro kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës për rrëzimin e vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij, dhe anulimin e zgjedhjeve në kryeqytet.

Kundër kërkesës së Veliajt ka votuar vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, dhe Sonila Bejtja e Gent Ibrahimi.

PRO: Sandër Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini

KUNDËR: Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi

Ora 17:57
Veliaj mbetet kryebashkiak i Tiranës, avokati Arbër Hoxha për Report Tv: Kushtetuesja vendosi drejtësi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka fituar sot betejën në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të Veliajt, pas propozimit të Këshillit Bashkiak.

Lidhur me këtë avokati Arbër Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, tha se ky vendim i Kushtetueses ishte i pritshëm dhe se u vendos drejtësi. Ai theksoi se shkarkimi i Veliajt përbënte një precedentë të rrezikshëm.

‘Ishte i parashikuar ky vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe ishte i pritshëm. Për fatin e mirë të zotit Veliajt, Gjykata Kushtuese realizoi pritshmëritë e juristëve duke u ngritur në lartësinë e juristëve, duke treguar integritet dhe duke vendosur legjitimitetin e ligjshmërinë në rastin e zotit Veliaj. E kam theksuar edhe më herët se do të ishte një precedentë i rrezikshëm, një pushtet autokratikë i Këshillit të Ministrave mbi të zgjedhurin vendor. Kështu mjaftonte që të caktohej një masë sigurie arrest me burg ose shtëpie dhe përtej 3 muajve çdo i zgjedhor vendor do të shkarkohej nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave’, tha ai.

Avokati theksoi se Veliaj do të vazhdojë që të jetë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës, deri në përfundim të mandatit dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i paankimueshëm.

‘Vendimi i GJK është një vendim i cili konstaton antikushtetueshmërinë të ligjit mbi qeverisjen vendore. Ajo që ngelet për t’u theksuar është kur të zbardhet vendimmarrja e gjykatës dhe arsyetimi. GJK pengoi rrugën e një precedenti të rrezikshëm. Veliaj do të vazhdojë që të jetë në detyrë deri në përfundim të atij mandati. Kjo vendimmarrje është e paankimueshme në asnjë instancë tjetër. Ajo që është e rëndësishme është kthimi i legjitimitetit. Shkarkimi i të zgjedhoreve vendore që janë me masë sigurimi, pa një vendim të formës së prerë shkelë kartën e autonomisë vendore’, tha ai.  

Vendimi i Kushtetueses në favor të Veliajt vjen pas përballjes mbi 7 orë seancën publike të 31 tetorit, ku ishte i pranishëm edhe vetë kryebashkiaku i cili u përball me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet. Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Veliajt, vendim që u mor më datë 25 shtator nga qeveria me firmë të vetë kryeministrit Edi Rama.