Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e Naureda Llagamit për anulimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator për emërimin e Asim Vokshit si anëtar i Kushtetueses, si dhe shfuqizimin e vendimit të gjykatës Administrative për këtë çështje të marrë më 13 tetor.
Gjykata thotë se shqyrtoi aktet e paraqitura nga Llagami dhe pala tjetër, dhe është tërhequr për marrjen e vendimit. Vendimi, thotë gjykata, do të shpallet sipas rregullave dhe afateve ligjore.
Llagami mori 9 vota, pra 3/5 e numrit që i duhej për t'u shpallur fituese, por një u cilësua si e pavlefshme pasi kishte dy shenja. Automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Asim Vokshi pasi ishte renditur i pari në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Llagami kërkoi në Gjykatën Kushtetuese edhe pezullimin e emërimit të Vokshit si anëtar i Kushtetueses, por u rrëzua.
Llagami në fillim iu drejtua Gjykatës Administrative por kërkesa iu rrëzua me pretendimin se është jashtë juridiksionit të saj. Kështu Kushtetuesja, sipas kërkesës së Llagamit, do të shprehet nëse çështja do të kthehet në Gjykatën Administrative, apo nëse është në juridiksionin e saj, të vendosë për pezullimin ose jo të procedurës së votimit nga Gjykata e Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Kushtetueses.
Pas polemikave të shkaktuara nga Llagami, Gjykata e Lartë reagoi duke thënë se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citonte nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në datën 11.11.2025 Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën gjyqësore mbi bazë të dokumenteve për çështjen me kërkuese Naureda Llagami dhe objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 80-25-3411, datë 13.10.2025 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në këtë gjykatë me një trup tjetër gjykues; ose në mënyrë alternative, nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se ka juridiksion fillestar për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshjeje: Shfuqizimin e vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nr. 2, datë 30.09.2025 për zgjedhjen e z. Asim Vokshi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Votimit për nxjerrjen e rezultatit të votimit. Kthimin e çështjes Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për të vendosur shpalljen e zgjedhjes së anëtares së Gjykatës Kushtetuese znj. Naureda Llagami”.
Gjykata pasi shqyrtoi ankimin kushtetues individual, kërkesat dhe aktet e tjera të paraqitura nga kërkuesja, prapësimet e subjektit të interesuar dhe aktet e paraqitura prej tyre dhe pasi administroi të gjitha provat e paraqitura nga palët, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit. Vendimi do t’u komunikohet palëve sipas rregullave dhe afateve ligjore.
Komente











