Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin që shpalli si antikushtetues ngritjen e Komisionit Hetimor për serverin e Tatimeve. Çështja ishte dërguar në Kushtetuese nga ana e Partisë Demokratike. Sipas PD kërkesa për Komision Hetimor është rrëzuar pa shkaqe ligjore dhe se argumenti që për këtë çështje po hetonte prokuroria nuk qëndron dhe se parlamenti nuk synonte t’i mbivendosej organit të akuzës. 
 
Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese shprehet se “Deklarojmë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr.66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh” Për ngritjen e një Komisioni Hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.”

Serveri i Tatimeve u bllokua pak muaj më parë duke krijuar probleme për të dhënat e bizneseve. Sipas demokratëve kjo situatë krijoi pasiguri te sipërmarrja dhe krijoi hapësira për evazion fiskal.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për Komisionin Hetimor për Serverat e Tatimeve 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)