MALAJZI- Kërkuesit e avionit të zhdukur të Malaysia Airlines kanë kapur dy sinjale të reja të cilat besohet se janë lokalizuesit e “kutisë së zezë”. Anija australiane “Ocean Shield” arriti të kapë dy sinjalet fillimisht ditën e shtunë, por deri të martën sinjalet u zhdukën, për të lëshuar sërish sinjal gjatë ditës së djeshme.
 
4 sinjalet e kapura deri më sot ndodhet në një distancë prej 17 miljesh detare nga njëra-tjetra.

Shefi i forcave ajrore, marshalli Angus Houston, i cili koordinon operacionet e kërkimit tha se sinjalet janë konsistent me specifikimet dhe përshkrimet e një kutie të zezë avioni. Ai u shpreh se së shpejti mund të gjendet dhe avioni apo çfarë ka mbetur prej tij.

E enjtja është dita e 34 e kërkimeve të fluturimit MH 370 me 239 pasagjerë në bord, i cili humbi kontaktin me kullën e vrojtimit më 8 mars. Skuadrat e kërkimeve punojnë prej ditësh pa ndërprerje pasi lokalizuesi i kutisë së zezë mund të punojë deri në 30 ditë pasi përfshihen nga lagështira.

Houston shtoi se sinjalet po dobësohen, çka nënkupton se ose operacionet e kërkimit po largohen nga zona ku ndodhet kutia e zezë ose bateritë e lokalizuesit po mbarojnë.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)