TIRANË – Në Kuvend, një prej pikave që është diskutuar për të shkuar më pas në votim ka qenë edhe huaja shtesë prej 15.5 milionë euro nga BERZH-i për projektin e sigurisë së digave.
Deputetët e majtë, duke argumentuar qëndrimin ndaj sistemit energjitik në vend kanë deklaruar se situata është shumë problematike.

“Të gjitha projektet dhe investimet për sigurinë e digave në HEC-e janë të domosdoshme. Por, me keqardhje vërejmë se sistemi energjetik po degjeneron nga dita në ditë. Pavarësisht investimeve të bëra nga qeveria për digat, kjo e fundit ende nuk i ka dëmshpërblyer qytetarët e përmbytur, tha deputetja Mimi Kodheli.

Ndërsa sipas deputetit Braçe, huamarrja është e vonuar.
“Që nga përshkrimi që i bëni punimeve që do të bëhen përmes kësaj huaje, ky projekt është i vonuar ndërsa gjëndja e tre veprave hidrike është e mjerë, për të mos thënë që është e rrezikshme”, tha ai.
Projekti "Siguria e digave" përfshin rehabilitimin e pajisjeve të HEC-eve në kaskadën e lumit Drin, në Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës në rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat dhe rehabilitimin e HEC-it të Komanit, rinovimin e pajisjeve elektro-mekanike, zëvendësimin e sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit.

(aq/shqiptarja.com)