TIRANE - Parlamenti miratoi me 68 pro, 48 kundër 1 abstenim, pr/ligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM). Në parim pr/ligji mori 68 pro, 50 kundër. Opozita votoi kundër këtij pr/ligji pasi, sipas tyre, synon të mbulojë problemet e vjetra të SHIU-t, institucion që është vënë në shërbimin politik të kryeministrit për përgjimin e opozitës. Para votimit pati debate ku deputeti socialist deklaroi se opozita e ambasadorët vazhdojnë të përgjohen. Nga ana e tij  ministri i Mbrojtjes Arben Imami e mohoi duke e quajtur shpifje.Ministri tha se p/ligji synon përshtatjen e Shërbimit Informativ të Ushtrisë në përputhje me kërkesat dhe standardet e NATO-s.  Gjithashtu u miratua me 68 vota pro të PD dhe 48 kundër të opozitës disa ndryshime në ligjin "Për përgjimet elektronike"

BALLA: IMAMI VAZHDON TE PERGJOJE OPOZITEN E AMBASADORET
Ora 11:00 Deputeti Taulant Balla akuzoi ministrin e Mbrojtjes Arben Imami se SHIU vazhdon të përgjojë opozitën dhe ambasadorët. “Pr/ligji është po aq e dyshimtë sa sjellja e kësaj qeverie për ngritjen e institucionit, i cili nuk është i ri, thjesht i ndryshon emri. Ka të njëjtat probleme, thjesht mundohet që problemet të mbulohen me ndryshimin e një projektligji dhe ngritjen e një institucioni që prej muajsh, pse jo vitesh është vënë në shërbim politik të kryeministrit për përgjimin e opozitës, dhe pse jo edhe të ambasadave të huaja në Tiranë. Ky institucion edhe sot që flasim vazhdon të përgjojë opozitën dhe ambasadorët. Si mund tentoni të bëheni pjesë e një skenari të Imamit për keqpërdorimin e Institucionit”- tha Balla

Në replikë ministri Imami i ka cilësuar si shpifje akuzat e deputetit Balla. “Vazhdon shpifja e opozitës se Ministria e Mbrojtjes përgjon opozitën dhe ambasadat. Unë dua t`ju them se nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës. Përgjime të kësaj natyre nuk janë bërë dhe nuk do të bëhen ndonjëherë. Ky ligj i ri është përmbyllja e një reforme” tha Imami.

IMAMI: ME LIGJIN E RI 
Ora 11:05
Ministri tha se p/ligji synon përshtatjen e Shërbimit Informativ të Ushtrisë në përputhje me kërkesat dhe standardet e NATO-s.  Ai shtoi se pr/ ligji mbi AIM ka të bëjë me organikën e funksionimin e agjencisë dhe nuk mund të përfshijë nene mbi kompetencat e Kuvendit.

“Ky ligj i ri është përmbyllja e një reforme, e cila ka nisur që në vitin 2009. Për kontrollin, nuk mundet që ligji organik i kësaj agjencie të përcaktojë rregullat e kontrollit për Kuvendin, prandaj është e nevojshme të bëhet një ligj i ri në mënyrë që Parlamenti të ketë akses për ato të dhëna të klasifikuara për të cilat deri më sot nuk ka pasur mundësi.”

Imami tha se ligji i ri përcakton veprimtarinë e AIM-së, ku përfshihen çështje që lidhen me kërcënimet ndaj misionit kushtetues të FA-së dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes.
DRAFTI
AIM ka për mision mbështetjen e FA-së dhe autoriteteve të drejtimit e komandimit strategjik të FA-së me produkt inteligjence dhe kundërinteligjence për sigurinë, në nivel strategjik dhe operacional, në kohë paqeje, lufte, krize, në gjendje të jashtëzakonshme ose në fatkeqësi natyrore; identifikimin, grumbullimin dhe analizimin e informacionit për veprimtari që cënojnë pavarësinë, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të vendit, si dhe për kërcënime ose rreziqe të mundshme ndaj FA-së, brenda dhe/ose jashtë vendit", thuhet në nenet e draftit. E përcaktuar si strukturë në varësi të ministrit të Mbrojtjes, organika dhe rregullat e funksionimit të AIM-së miratohen me urdhër të Kryeministrit dhe propozim të ministrit të Mbrojtjes.
Punonjësit e këtij shërbimi do të jenë si ushtarakë, ashtu edhe civilë, por jo më shumë se 40% e gjithë strukturës. Shërbimit inteligjent ushtarak i jepet e drejta që të rekrutojë bashkëpunëtorë jashtë tij, si dhe për të kryer detyrën e tij për të marrë informacione.
Ndryshe nga sa parashikohet në ligjin për SHIU-n, ligji i ri përcakton dhe një strukturë të re drejtuese. Kështu, ky shërbim parashikohet që të drejtohet jo vetëm nga drejtori, por edhe nga një zv/drejtor.


PERGJIMET ELEKTRONIKE
 
Gjithashtu u miratua me 68 vota pro të PD dhe 48 kundër të opozitës disa ndryshime në ligjin "Për përgjimet elektronike". Sipas këtij ligji tani mund të përgjohen dhe e-mailet.  Socialistët votuan kundër pasi në komisionin e Sigurisë nuk u morën parasysh propozimet e socialistit Arben Isaraj, i cili kërkoi që çdo përgjim të bëhet me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në asnjë rast përgjimet parandaluese të mos përdoren si provë në gjykatë.

Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, mbështeti kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm të sapo emëruar, Adriatik Llalla, për një konsultim më të gjerë të ligjit "Për përgjimet elektronike". Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Pollo parashtroi ndryshimet që i janë bërë këtij ligji për të cilat AKEP ka rënë dakord. Por, tha ai, në pikën më të diskutuar të këtij p/ligji, që ka të bëjë me hetimet nga ana e njësive bashkëpunuese të Prokurorisë së Përgjithshme, siç janë prokurorët në rrethe, kërkoj t'i jepet më shumë kohë instancave përkatëse për diskutimin dhe konsultimin e tij.

"Neni i fundit i p/ligjit që ka ngjallur debat është ai i propozuar nga Prokuroria e Përgjithshme i nisur nga një premisë reale dhe një nevojë e brendshme e punës së prokurorisë me këshillimin e PAMECA-s, organi i ndihmës europiane që asiston Prokurorinë e Përgjithshme, që të delegohet mundësia e përgjimit nga Prokurorët e rretheve nga njësitë e përbashkëta ku prokuroria kryen hetimet e veta", tha Pollo.
Për të gjitha këto ndryshime AKEP ka rënë dakord, por u shpreh ai, ndryshimi i propozuar nga Prokuroria e Përgjithshme ka hasur debate pasi element të përgjimit procedural bashkëjetojnë me elementë të përgjimit parandalues.
"Është mirë që t'i lihet një afat kohor Prokurorisë për një konsultë më të gjerë të iniciuar nga Kryeprokurori Llalla, duke sjellë një propozim të përshtashëm", tha Pollo

Në seancen e sotme pati dhe debate per mos marrjen e statusit të vendit kandidat.  Topalli- deputetëve PS: Ramaju ka bërë mish për top  

(sg/shqiptarja.com)