Kuvend/ Miratohen ndryshimet në ligjin për 'Shtetësinë'

Kuvend/ Miratohen ndryshimet në ligjin për 'Shtetësinë'

1695317762_kuvendivoton.jpg

Kuvendi miratoi tre projektligje të rëndësishme dhe katër projektvendime. Në nisje të seancës plenare, Gazment Bardhi, kërkoi ndryshim të rendit të ditës që bashkë me shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore të përfshihet edhe ndryshimi i deputetëve të opozitës, kërkesë e cila u rrëzua me shumicë votash.

Projektligjet

Punimet plenare nisën me shqyrtimin e Projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, që u prezantua nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili u shpreh se projektligji ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension. 

Deputetët e opozitës shprehën shqetësimin se projektligji për pensionet ka probleme të thella dhe se pensionistët nuk trajtohen siç duhet. 

Pas diskutimeve, projektligji u miratua me 76 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.

Punimet plenare vijuan me shqyrtimin e Projektligjit "Për disa shtesa dhe ndyshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që u prezantua nga ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, i cili u shpreh se ndryshimet e propozuara krijojnë mundësinë për përthithjen e talenteve të reja, të cilët nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Balla nënvizoi se qytetarët nga vendet ku Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare, ku përfshihen Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.

Deputetët e opozitës shprehën shqetësimin se përmes kësaj nisme ligjore do të ketë pasoja sociale, ndikim negativ, probleme të sigurisë, trafikimit e kriminalitetit.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 95 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin e Projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.119/2014, "Për të drejtën e informimit", i cili u prezantua nga Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, i cili u shpreh se kjo nismë ligjore synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënes së autoriteteve publike, rritjen e aksesit të qytetarëve në informacionin publik, ndërsa vuri në dukje se projektligji i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi në Ministrinë e Drejtësisë.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 71 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimet

Seanca plenare shqyrtoi dhe miratoi edhe katër projektvendime. Projektvendimi "Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe tre projektvendime për disa emërime "Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 20:00.


Lajmi kryesor:

Për herë të dytë, Kuvendi shtyn pr.ligjin për pagat e Kushtetueses! Bardhi e Tabaku: Duhet reformë tërësore! Gogu: Mos hidhni baltë! Ja çfarë u miratua


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh