Për herë të dytë, Kuvendi shtyn pr.ligjin për pagat e Kushtetueses! Bardhi e Tabaku: Duhet reformë tërësore! Gogu: Mos hidhni baltë! Ja çfarë u miratua

TIRANË-  Kuvendi miratoi sot pas një seancë prej rreth 10 orësh tre projektligje dhe katër projektvendime. Kuvendi kaloi me 95 vota pro, 1 kundër ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që u prezantua nga ministri i Brendshëm,Taulant Balla. Po kështu është miratuar me 76 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim projektligji për fondet e pensionit privat në Kuvend. Me 77 vota pro u zgjat mandati i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Kuvendi shtyu edhe shqyrtimin e projektligjit për rritjen e pagave në Gjykatën Kushtetuese pas kërkesës së opozitës. Ndërkohë, u miratuan ndryshimet në ligjin për 'Shtetësinë' me 95 vota pro dhe 1 kundër.

Në seancën e dytë radhazi, pas kundërshtive të opozitës mazhoranca pranoi shtyrjen e projektligjit që rrit pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ligj që kërkon shumicë të cilësuar 84 vota për miratim. Opozita kundërshtua ashpër ndërkohë që nuk munguan edhe akuzat për mazhorancën.

“Ka qenë një pazar i pastër mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë me në krye Ramën. Nuk
mund të ketë gjyqtarë që mund ta kenë pagën mbi prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. S’mund të ketë pazar vetëm për një segment të sistemit të drejtësisë.”- tha Bardhi.

“Fakti që t’u rrit paga, do të thotë se të bleu Rama?”- tha Gogu

Deputetja Tabaku kërkoi tërheqjen projektligjit nga axhenda e Kuvendit dhe dërgimin e tij në komisionin e reformës në drejtësi për të bërë një reformë tërësore në sistemin e pagave në gjyqësor.

“Ne duhet të kemi parasysh që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një reformë tërësore në sistemin e pagave të gjyqësorit. Duhet të shohë dhe gjykatën speciale që ka një volum të rritur pune. Duhet të shohë të gjithë sistemin e pagave në sistemin e drejtësisë. Besoj që flas dhe në emër të kolegëve të PD nëse do e shohim të gjithë tërësore dhe të flasim edhe vendosim mbi parimet. Dhe nuk do merreshim me një nga elementët e sistemit të drejtësisë, pra GJK.”- tha Tabaku.

Projekt-ligji për rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është propozuar nga ministria e Drejtësisë dhe parashikon ta çojë në nivelin e 640 mijë lekëve në muaj për anëtarët dhe mbi 700 mijë lekë për kryetarin e kësaj gjykate.

Ndërkohë paraditen e sotme, pak para seancës Gazment Bardhi kërkoi nga Kuvendi që bashkë me shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore të përfshihet në rend dite edhe ndryshimi i deputetëve të opozitës. Përkatësisht zëvendësimin e bashkëkryetarit Enkelejd Alibeaj me Oerd Bylybashin.

Felaj: Thirrini arsyes dhe bëjini vetë rregullimet e grupit parlamentar dhe nuk mund të bllokoni kuvendin me këtë çështje të brendshme tuajën.

Bardhi: Ndryshoni rendin e ditës përfshini në rend përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore dhe të prezantojmë ekipin e PD.

Çuçi: Imediate të fillojë nga puna komisioni i reformës zgjedhore. Sot meqë kemi një vendim për shtyrjen e afatit të komisionit të miratojmë këtë vendim një herë. Dhe seancën tjetër shkojmë me ndryshimet përkatëse dhe sepse edhe ne mund të kemi nevojë për të bërë ndryshime.

Sali Berisha thumboi Enkelejd Alibeajn.

"Doni t'i ndani momentet sepse nuk keni interes, doni të merrni peng persona këtu që duhet te votojnë për rrogën e bashkëshortes. Është votimi për rrogat e gjykatës në këtë variant ish-bashkëkryetarin e mbani peng derisa të votojë, një nga mundësitë. Këtu kemi sistem pengmarrje. Po bëni pazare këtu", tha Berisha. 

Pas këtyre qëndrimeve, kuvendi rrëzoi me 55 vota kundër dhe 43 pro kërkesën e për ta ndryshuar sot përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

"Po mbani peng Reformën Zgjedhore, keni përshirë bandat kriminale në zgjedhje si Pëllumb Gjoka. Ne kërkuam që nesër të mblidhet të komisioni i Reformës Zgjedhore. Nuk mund të mblidhet se kemi vendosur gishtin e përgjegjësisë tek anëtarët tanë që e kanë mbajtur zvarrë. Nuk kemi 9 anëtarë siç e kërkon ligji prandaj kërkojmë ndryshim të përbërjes por ju nuk keni interes", tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi tha se sot socialistët do të votojnë për zgjatjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore.

'Meqë kemi një vendim për shtyrjen e afatit të komisionit, nga pikëpamja procedurale ta shtyjmë sot dhe seancën tjetër shkojmë me ndryshimet përkatëse, pasi edhe ne kemi nevojë të bëjmë ndryshime.’- tha Çuçi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:56
Kuvend/ Miratohen ndryshimet në ligjin për 'Shtetësinë'

1695317762_kuvendivoton.jpg

Kuvendi miratoi tre projektligje të rëndësishme dhe katër projektvendime. Në nisje të seancës plenare, Gazment Bardhi, kërkoi ndryshim të rendit të ditës që bashkë me shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore të përfshihet edhe ndryshimi i deputetëve të opozitës, kërkesë e cila u rrëzua me shumicë votash.

Projektligjet

Punimet plenare nisën me shqyrtimin e Projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, që u prezantua nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili u shpreh se projektligji ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension. 

Deputetët e opozitës shprehën shqetësimin se projektligji për pensionet ka probleme të thella dhe se pensionistët nuk trajtohen siç duhet. 

Pas diskutimeve, projektligji u miratua me 76 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.

Punimet plenare vijuan me shqyrtimin e Projektligjit "Për disa shtesa dhe ndyshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që u prezantua nga ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, i cili u shpreh se ndryshimet e propozuara krijojnë mundësinë për përthithjen e talenteve të reja, të cilët nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Balla nënvizoi se qytetarët nga vendet ku Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare, ku përfshihen Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.

Deputetët e opozitës shprehën shqetësimin se përmes kësaj nisme ligjore do të ketë pasoja sociale, ndikim negativ, probleme të sigurisë, trafikimit e kriminalitetit.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 95 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin e Projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.119/2014, "Për të drejtën e informimit", i cili u prezantua nga Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, i cili u shpreh se kjo nismë ligjore synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënes së autoriteteve publike, rritjen e aksesit të qytetarëve në informacionin publik, ndërsa vuri në dukje se projektligji i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi në Ministrinë e Drejtësisë.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 71 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimet

Seanca plenare shqyrtoi dhe miratoi edhe katër projektvendime. Projektvendimi "Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe tre projektvendime për disa emërime "Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 20:00.

Ora 19:40
Kuvend/ Miratohet me 76 vota pro projektligji për fondet e pensionit privat

1695317762_kuvendivoton.jpg

Është miratuar me 76 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim projektligji për fondet e pensionit privat në Kuvend.

Ora 19:32
VIDEOLAJM/ Nikolla ‘thumbon’ Bardhin: Ulu në vendin tënd se të ka dalë emri i Lul Bashës aty! Deputetët ‘shpërthejnë’ në të qeshura

 

Një batutë e kryeparlamentares Lindita Nikolla në seancën e sotme ka krijuar të qeshura në sallën e Kuvendit.

Ndërsa po fliste Gazmend Bardhi, ai nuk e kishte vënë re që ishte zhvendosur tek karrigia ku zakonisht rri kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Kreu i Kuvendit, e cila pa konfigurimin elektronik të fjalës, i thotë Bardhit që të ulej në vendin e tij, pasi i del emri i Lulzim Bashës.

Pjesë nga biseda:

NIkolla: Zoti Bardhi vetëm shko në vendin tënd, se del emri i zotit Basha

Bardhi: Pas shumë orësh seancë ka nevojë për humor, ju falënderoj zonja kryetare e seancës që i bëtë kolegët të qeshin

Ora 19:20
Ligji për shtetësinë në Kuvend, Muzhaqi thirrje deputetëve: Votoni ndryshimet, të lehtësojmë procedurat për marrjen e pasaportës shqiptare nga të rinjtë

1695317022_IMG7781.JPG

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka folur në Kuvend për projektligjin ‘Për shtetësinë’, ku janë propozuar disa ndryshime ligjore që synojnë lehtësimin e procedurave për marrjen e pasaportës shqiptare nga të rinjtë e talentuar që jetojnë në trevat shqiptare, por jo vetëm.

Në fjalën e saj, ministrja solli shembull futbollistët që luajnë me kombëtaren shqiptare, Asanin dhe Dakun, të cilët pavarësisht dëshirës për të luajtur me fanellën kuqezi që në fëmijëri, e realizuan atë vetëm pasi mbushën 18 vjeç dhe morën pasaportën.

“Dua t’iu ftoj të përfytyroni historinë tjetër, atë ku Daku dhe Asani, apo Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami, apo Ylber Ramadani të kishin pasur mundësinë të plotësonin ëndrrën e tyre e të luanin për fanellën kuqezi që në moshë të vogël, në të gjithë ekipet zinxhir të kombëtares tonë. Kushedi se sa ekipe të suksesshme dhe sa suksese sportive do t’i kishin dhuruar anembanë të gjithë shqiptarëve, qoftë pozitë apo opozitë”, tha ministrja Muzhaqi.

Muzhaqi theksoi se ky projektligj synon që t’u japë mundësinë të gjithë atyre talenteve të spikatura në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, dhe sportit të fitojnë shtetësinë shqiptare edhe pa mbushur moshën 18 vjeç.

Teksa u bëri thirrje gjithë deputetëve që të votojnë ndryshimet në projekligjin për Shtetësinë, ministrja tha se këto ndryshime i përgjigjen mbi të gjitha interesit kombëtar, ngritjes së imazhit të Shqipërisë përmes arritjes sukseseve në aktivitetet evropiane dhe botërore.

Lajtmotivi i diskutimeve, i komenteve dhe reflektimeve në çdo shtëpi, qytet dhe vend kuvendimi fizik apo online mes shqiptarëve ka qenë ndeshja e datës 10 shtator dhe fitorja e kombëtares së futbollit me Poloninë. Loja e bukur, rezultati i arritur dhe gëzimi i fitores ka çuar peshë zemrat dhe mendjen e shqiptarëve anembanë dhe ka bërë që i madh e i vogël të ëndërrojnë për mundësinë e pjesëmarrjes në finalet e kampionatit evropian.

Ky sukses, i cili i atribuohet patjetër punës dhe mundit të djemve të kombëtares, por edhe stafit teknik,  mbart nga pas, megjithatë, dhe një histori që nuk shquhet dhe thuhet aq sa duhet.

Jasir Asani shënuesi i golit të parë në ndeshje, është një djalë i lindur në Shkup nga prindër shqiptar, që ka luajtur gjithë ekipet zinxhir të kombëtares së Maqedonisë së Veriut dhe që pati mundësinë të luante me ekipin e tij të zemrës vetëm pasi mundi të merrte shtetësinë shqiptare,  pas moshës 18 vjeç.

Mirlind Daku, golëshënuesi i dytë në ndeshjen me Poloninë, ështe një djalë i lindur në Gjilan. Edhe Mirlindi, sikundër Jasiri, fitoi të drejtën të luftojë me ngjyrat kuq e zi vetëm pas moshës 18 vjeç, pasi pati mundësinë të merrte shtetësinë shqiptare.

Të nderuar deputetë, sot është paraqitur para jush për miratim projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që do ti jap mundësinë të gjithë atyre talenteve të spikatura në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, dhe sportit të fitojnë shtetësinë shqiptare edhe pa mbushur moshën 18 vjeç.

Këto ndryshime i përgjigjen mbi të gjitha një interesi kombëtar, atë të ngritjes së imazhit të Shqipërisë përmes arritjes së ekselencës dhe sukseseve në aktivitetet evropiane dhe botërore. Po t’i referohemi fushës së sportit, si fusha që pritet të ndikohet më tepër nga ky ligj, tërheqja e talenteve të reja në ekipet kombëtare do të rris konkurencën, nivelin e lojës dhe rezultatet sportive duke ndikuar rrjedhimisht edhe në zhvillimin e sportit në Shqipëri.

Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për histori suksesi që motivojnë, përveçse kushteve për të zhvilluar talentin e tyre. Kur Lara Kolturi mori shtetësinë shqiptare dhe filloi të përfaqësonte Shqipërinë në kampionatet botërorë të skive, jo vetëm shtroi rrugën për në kompeticionet sportive që vendi ynë nuk i kishte traditë t’i shkelte, por ndikoi në të njëjtën kohë, në rritjen e përqafimit të sportit të skive nga shumë të rinj dhe të reja në vendit tonë. Pikërisht, kjo është e magjia e sportit.

Prandaj dhe përpjekjet tona për nxitjen e lëvizjes sportive mes të rinjve në vend do të vazhdojnë siç kanë vijuar më përpara. Dhe këtu dua t’ju rikujtoj një program tepër të suksesshëm, që ka qenë Programi i Ekipeve Sportive në shkolla, ku kanë marrë pjesë 10000 fëmijë, 300 shkolla të Republikës së Shqipërisë, 727 ekipe, 419 trajnerë dhe janë zhvilluar në total 489 ndeshje, duke krijuar kështu një frymë të re sportive në vendin tonë. Sigurisht, ky program do të vijojë edhe këtë vit, duke rritur dhe më tej angazhimin dhe mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë tanë, që sporti të jetë pjesë e jetës së tyre, për të rritur fëmijë të shëndetshëm dhe aktivë.

Të nderuar deputete dhe deputetë, projektligji që u është paraqitur sot për miratim ka qenë objekt i një shqyrtimi rigoroz në Komisionet e Kuvendit, ku është vlerësuar si nga pikëpamja e efekteve të pritshme, por dhe nga përputhja me konventat për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijës, atë për shtetësinë dhe reduktimin e pashtetësisë, por edhe praktikën e shteteve të tjera. Puna juaj ka qenë e përligjur, pasi çështja e shtetësisë nuk është çështje partish, por përbën një nga shtyllat mbi të cilat ngrihet një vend. Prandaj, uroj dhe ju koleg që pas gjithë këtyre diskutimeve të keni sheshuar pikëpyetjet tuaja dhe të jepni konsensusin që kërkon Kushtetuta dhe interesi kombëtar. Në çdo rast unë dua t’ju përgëzoj dhe t’ju mbështes përpjekjet tuaja që kanë synuar vendosjen e interesit më të lartë të fëmijës në qendër të procesit ligjor të fitimit të shtetësisë shqiptare.

Për ta mbyllur, dua t’ju kërkoj dhe nje herë të mendoni natën e magjishme të 10 shtatorit, por këtë herë ta mendoni pa pjesëmarrjen në fushë të dy heronjve kuqezi, pa Dakun, pa Asanin, të mendoni sa shumë gëzime dhe sa shumë ëndrra do ishin davaritur nga jetët e shqiptarëve në mungesë të asaj nate.  

Apo më mirë akoma, dua t’ju ftoj të përfytyroni historinë tjetër, atë ku Daku dhe Asani, apo Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami, apo Ylber Ramadani të kishin pasur mundësinë të plotësonin ëndrrën e tyre e të luanin për fanellën kuqezi që në moshë të vogël, në të gjithë ekipet zinxhir të kombëtares tonë. Kushedi se sa ekipe të suksesshme dhe sa suksese sportive do t’i kishin dhuruar anembanë të gjithë shqiptarëve, qoftë pozitë apo opozitë.”-tha Muzhaqi.

Ora 19:01
Pranohet propozimi i Jorida Tabakut, Kuvendi shtyn rritjen e pagave për gjyqtarët e Kushtetueses

Kuvendi ka vendosur të shtyjë shqyrtimin e shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ishte deputetja Jorida Tabaku ajo që propozoi që të shtyhet ligjin për pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kërkesë e cila u pranua nga mazhoranca.

Jorida Tabaku: Unë kam një thirrje për kolegët socialistë, të tërhiqe ligji për gjykatën kushtetuese sot, ti ushtrojmë procedurën parlamentare, ta diskutojmë si pjesë e diskutimeve të komisionit të reformës në drejtësi dhe të shikojmë mundësinë për një reformë tërësore në sistemin e pagave të gjyqësorit që do i jepte dinjitet Shqipërisë por që edhe nuk  cenonte parimet me të cilat është rënë dakord kur është miratuar reforma në drejtësi. Shpresoj që kolegët ti shohin çështjet me parimin që është miratuar reforma në drejtësi. Kjo është pavarësia e pushteteve. Për këtë arsye unë shpresoj që të kemi mundësi të bëjmë një diskutim në komisionin e posaçëm që është ngritur në komisionin e ligjeve. Kjo do ti jepte mundësi edhe opozitës që të japin mendimet e tyre.

Toni Gogo: Jemi dakord që ta shtyjmë për një seancë tjetër, por më duhet ti them zonjës Tabaku që nuk është e mirinformuar dhe nuk ka faj se me gjithë lumin e akuzave që kolegët e saj i kanë bërë gjykatës më të nderuar në vend mund të keq informohesh në këto kohë dizinformacioni. Gjykata kushtetuese e ka dërguar në Kuvend projektin më 21 qershor, GJK kushtetuese ka ndjekur procedurën dhe ndaj ne sot e sjellim këtë propozim, por jemi dakord që ta shtyjmë për një seancë tjetër. Ne jemi dakord që ta shtyjmë dhe uroj që të reflektojnë edhe kolegët për mos të hedhur më baltë mbi institucionet kushtetuese të këtij vendi që ruajnë kushtetushmërinë e një organi.

 

Ora 17:48
Rritja e pagave të 'Kushtetueses', Bardhi debaton me Gogun: Pazar mes anëtarëve të Gjykatës dhe qeverisë

 

Drafti për rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar sërish debat në Kuvend mes Gazment Bardhit dhe zv. kryetarit të grupit të PS, Toni Gogu.

Gogu: Fakti që t’u rrit paga, do të thotë se të bleu Rama?

Bardhi: Se kuptova pse kërceve në mënyrë të tillë. Së dyti vazhdove të gënjesh publikisht. Ma gjej në një vend ku kam propozuar rritjen e pagave. Ka qenë një pazar i pastër mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë me në krye Ramën. Nuk mund të ketë gjyqtarë që mund ta kenë pagën mbi prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. S’mund të ketë pazar vetëm për një segment të sistemit të drejtësisë.

Ora 17:01
Ligji për shtetësinë në Kuvend, Balla: Qytetarët e Kosovës e të Maqedonisë së Veriut të mos testohen për gjuhën dhe historinë

Nga Kuvendi ku po diskutohet projektligji për shtetësinë ministri i Brendshëm Taulant Balla ka propozuar që qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.

“Ne kërkojmë që qytetarët e Kosovës që kanë gjuhë zyrtare, e flasin gjuhën aq bukur sa ne dhe e njohin historinë tonë sa ne, nuk kanë pse t’i nënshtrohen një testi për gjuhën apo dijet mbi historinë. Në këtë këndvështrim do bëhet një përjashtim për shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.

Edhe në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ndaj edhe gjithë vëllezërit dhe motrat që do kërkojnë shtetësinë shqiptare, kjo do mundësohet. Këtë vendimmarrje do e quaja historike, për të çuar përpara një përgjegjësi që ka vendi amë për ata që aplikojnë për pasaportat me natyralizim”, u shpreh ai.

 

Ora 15:04
'Rama i bëri Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, atë se ka bëri njeri në 100 vite', Shalsi - Berishës: Duhet të kishe hapur krahun

 

Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi gjatë fjalës së tij në Kuvend iu drejtuar Sali Berishës duke u shprehur se “duhet të kishte hapur krahun”.

Shalsi theksoi se Berisha është i fundit të quhet të japë leksione, duke shtuar se “imagjinoni ku jeni katandisur dhe 30 vite histori e PD-së, mbetet alternativë ai personazh”.

Ndërsa i thuri lavde kreut të qeverisë Edi Rama, ku u shpreh se “është kryeministri që do mbahet mend gjatë në historinë e Shqipërisë”. “I bëri Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, atë se ka bëri njeri në 100 vite”, u shpreh Shalsi.

“Sali je i fundit që duhet të japësh leksione në të dyja kahet, do ishte e urtë e mençur të hapje krahun, imagjinoni ku jeni katandisur dhe 30 vite histori e PD-së, mbetet alternativë ai personazh që nuk ia vlen të merremi shumë. Ndoshta ka një arsye përse risulmoi Ramën.

Çdo shqiptar brenda dhe jashtë trojeve ka qenë krenar kur e ka parë kryeministrin e Shqipërisë, Ramën në cilësinë e presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB, të mbajti atë qëndrim për të cilin mori edhe mbështetje e duartrokitje. E kuptoj që nuk keni kurajo të njihni një meritë të jashtëzakonshme, Rama është kryeministri që do mbahet mend gjatë në historinë e Shqipërisë dhe i ka bërë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare që nuk e ka bërë njeri në 100 vitet e kaluara.

Por disa gjëra i kuptoni me vonesë, mes jush ka njerëz të zgjuar. Ti Ina vazhdo me Saliun, unë i drejtohem nje pjesë të arsyeshme të opozitës”, tha Shalsi.

Ora 14:38
Gogu iu drejtohet deputetëve demokratë: Keni në radhët tuaj pensionistin më të mirëpaguar në Shqipëri

1695300732_gogu.jpg

Teksa në seancë po diskutohet si pjesë e rendit të ditës ‘Projektligji për fondet e pensionit privat’ nuk kanë munguar akuzat nga opozita duke akuzuar qeverinë se ka lënë pa mbështetje pensionistët shqiptarë. Deputeti Toni Gogu duke iu referuar fjalimeve të mëhershme të deputetëve demokrat theksoi se ishin këta të fundit që lakmuan aq shumë pensionin politik të Berishës sa u "rimartuan"me të.

"Pensionistin më të mirëpaguar në Shqipëri, që e keni në radhën tuaj, te cilin ua nxorën në pension politik fillimisht aleatët tanë strategjik. Ju me një vendim unanim grupi gjithashtu e nxorët në pension politik. Po kaq shumë i lakmuat përfitimet e pensionit te tij politik, pra votat, mbështetësit, sa tani jeni rimartuar me të. I keni marrë shqiptarëve ore të tëra sepse po grindeni se kush do të përfitojë me shume nga pensionisti politik."- tha zoti Gogu.

Kjo duket se nxiti reagimin e menjëhershëm të Berishës i cili u ndie i detyruar ti përgjigjej Gogut.

Ora 14:23
VIDEO/ Berisha përplaset me Toni Gogun: Pastor, sado të më sulmosh mua, ata nuk të bëjnë kryetar grupi se janë ateistë

 

Sali Berisha ka replikuar gjatë seancës parlamentare të sotme me deputetin socialist, Toni Gogu, për të cilin tha se është kryepensionisti më i paguar.

‘Pastor, meqenëse aludove drejt meje, unë kam ktë përgjigje për ty: Kujtohu pak se riti i temjanit ka të bëjë me përzënien e djallit nga Kisha. E shpirtit të keq. Prandaj mos harro kurrë këtë, kur të dalësh këtu, ta kesh parasysh. Mos harro, interesat partiake janë interesa partiake, por njerëzit është e para. Po të garantoj se sado që të sulmosh Sali Berishën, kryetar grupi parlamentar nuk të bëjnë se nuk kanë besim përfundimtar te ti. Janë ateistë!’- tha Berisha.

Ora 12:34
‘Censi, batërdi, meme me shumë faqe’, Gjekmarkaj: Fyejnë matematikën, keqpërdorin gojën e palarë pa u skuqur

1685041111_agrongjekmarkaj.JPG

Deputeti Agron Gjekmarkaj ka ironizuar kolegët e tij demokratë sa i takon debatit për kreun e PD-së. Nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj theksoi se shumë prej atyre që janë përfshirë në këtë diskutim fyejnë matematikën dhe numrat dhe keqpërdorim gojën e tyre. Ndërkohë ai ceku dhe projektin e censit, ndërsa e cilësoi atë batërdi.

Deklarata e plotë

E nderuar Zonja Kryetare, Të nderuar deputetë, Shqipëria na paraqitet gjithmonë si një vend i pakryer ndonëse e konsiderojmë të përkryer. Rilindja jo krejt e përmbyllur, pavarësia e vonë, fitoret të munguara, rezistenca e tradhtuar, kushtetuta e pa implementuar, vetë demokracia stërmundohet të mbjellë rrënjët e veta në këtë tokë të vjetër për të bashkuar indet tona drejt zhvillimit politik modern themeluar mbi shumicën e pakicën, qartazi të përcaktuar nga populli votues. Groteskja dhe banalja po kaq ditën kur bashkëkohorë duam të dukemi, me ritmin e një daulleje na bëjnë karshillek. Herë njëra herë tjetra si kollitje historie na kujtojnë se ende paskemi udhë për të bërë. Kjo ndodh ditë pas dite teksa dërgatat institucionale shqiptare nëpër botë me paratë e shqiptarëve mbathur si karvanët e cirkut në fshat shoqërohen me parukiere, komshinj muhabetqarë akshami, rrobaqepës, filxhan shikues, flori punues, kushërinj, krushq, pela e mushq duke sjelle në vëmendje zulutë në Paris të Konicës.

Prej disa ditësh të gjithë në forma të ndryshme po bëhemi dëshmitar, disa edhe dyzenqarë, ndonjë kamerier lepe peqe, dikush si zog ndër leqe, të një ahengu çapraz ku Qeveria dhe pushteti, zyrat në dispozicion piramidal, mediat rreth e rreth tyre me guxim të marrësh dhe hile të pa principata frikacakësh po përpiqen të përkufizojnë se kush është opozita e këtij vendi, se kush është kryetari i grupit të saj parlamentar, se kush do ta bëjë reformën zgjedhore? Kjo ndodh duke fyer matematikën, logjikën, etiken dhe numrat, duke mbyllur sytë e duke keqpërdorur gojën e palarë pa u skuqur dhe pa u zverdhur. Kudo ka mendje të ftohta e persona të ndershëm, plot të tjera koka që nxjerrin tym nga militantizmi e shërbestaria. Kudo o Zot sa shumë !

Të parat janë në tërheqje teksa nuk durojnë tymin e poteren e të dytave në ekspansion. Shpresoj për të mirën e të gjithëve, sidomos tek mazhoranca kokat e ftohta të gjejnë krenarinë e të ndalin marrëzinë, të dytat të pinë pak ujë se u është tharë goja nën hijen e zvarritjes e servilizmit. Provokimi ndaj Opozitës është provokim jo vetëm ndaj saj si bashkësi politike por mbi të gjitha ndaj Kushtetutës, ndaj shoqërisë dhe ndaj paqes sociale, ndaj normalitetit të politikës po e po. Natyrisht dikush këtu a gjetkë mund të mendojë ! Oh sa mirë, kjo qenka në dorën tonë. Iluzion fëminor që do të shkrihet si flok dëbore sapo 735 mijë votuesit e Opozitës e të tjerë që i janë bashkëngjitur asaj të vendosin për ta dërrmuar pengmarrjen burokratike e institucionale. Përfaqësimi nuk merret me gjykatë, nuk falet, nuk emërohet. ketë e them duke ruajtur koherencën e çdo qëndrimi politik te mbajtur prej meje. Kjo mazhorancë kaq e akuzuar nuk mund ta bëjë këtë. Ne nuk do ta lejojmë. Prej muajsh kam heshtur i dërrmuar në bindjen time që fjala nuk është kazmë, shat apo lopatë. Meqenëse ajo ishte e para siç thuhet në Bibël në mënyrë iluzore kam besuar tek forca e saj ndërtuese. Besoj ende që dhuna verbale nuk është shembulli që duhet të japim, që teatri nuk është e vërteta dhe ajo nuk ka padron, që arsyeja nuk është tradhti, që shoqëria ka dinamikën e saj të cilën Opozita nuk duhet të hezitojë që ta ndjekë nëse do të ngrihet mbi vetveten për t’i ofruar Shqipërisë një të nesërme. Me ndjenjë faji pranoj se jam ndier i pazoti për të parashikuar ditën që në këtë Parlament tentohet emërimi i Opozitës.

Në të tillë rast heshtja është atentat ndaj ndërgjegjes, ndaj shqiptarëve pa asnjë dallim. Në këtë fjalë të parë të kësaj stine dua të them diçka për censin. Me analizën tekstore te pyetjeve që janë plot 187 pastaj disa kapituj shtese me numra romake do merrem herën tjetër. Sot po mjaftohem t’u them që vetëm një mendje marroke a disa të tilla mund të realizojnë batërdi kësodore. Nuk kam lexuar kurrë gjë me të çmendur ! Nuk besoja që në vendin tonë dyzohesh ende kaq shume ne është për të qarë apo për të qeshur. Mos e shpërndani një paçavure të tillë se do pataksni njerëzinë. Shaka kaq pa kripe nuk jua ka borxh askush. Rekrutoni angazhoni katedrën e gazetarisë historisë dhe gjeografisë se Universitetit te Tiranës të bëjnë diçka të dobishme e profesionale për vendin. Mos bëni pune për t’i çuar lekë në xhep dikujt që sa do të fryje xhepin mendjen e ka me të trashe. Mënyra e konceptimit te censit është një meme me shume faqe.

Sot po flasim për një kategori pensionesh kur pensionet urbane të pleqërisë janë 17258 lekë, pensionet e invaliditetit 15064,pensionet familjare 7460 ndërsa ata rural pension pleqërie 9656 lekë, pension invaliditeti 8195 lekë ndërsa pensionet familjare 2516 lekë. Në vitin 2022 janë rritur me 9,5 %. Burim informacioni është Instituti i sigurimeve shoqërore. Këto janë shifra që nuk duan koment për të kuptuar gjendjen ekonomike të pensionistit shqiptar si në fshat apo në qytet. Të pasurit shkojnë në hotele pushimi të varfrit me kaq lek nuk mbushin dot me ilacet që ju duhen as raftat e vjetër. Në Greqi në kohën e krizes thuhej se Edipi u martua me nënën e vet për t’i marrë pensionin. Tek ne nuk ka ngasje të tilla për humor të zi falë pensioneve mizerabël të cilat janë larg minimumit të dinjitetit. Mendoni vetëm dosjet e inceneratorve, paratë e abuzimit me to dhe secili e realizon në mendjen e tij se si do zgjidhej halli i pensionistëve tanë. Ndërkohë në një projekt që diskutohet për gjyqtarët e gjykatës kushtetuese thuhet se do marrin diku te 6-7 milion të vjetra në muaj. Nuk jam kundër rrogave të larta në piramidën shteterore por jam kundër blerjes legale, me ligj të një gjykate themelore si ajo kushtetuese akt ky që korrupton rendin kushtetues. Një gjykatës s’ka pse paguhet më shumë se kolegët e SPAKUT të cilët janë të vetmit që po bëjnë një përpjekje purifikuese.

Të nderuar deputetë, sapo ka filluar viti I ri shkollor deri në ciklin e mesëm e për pak fillon ai universitar. Në këtë kontekst dua t’i kujtoj Ministres se re Manastirliu që shkollat me dy turne mbeten një hall i pambarim, mësimet universitare fillojnë në kushtet e një autonomie universitare të cunguar, në kushtet e mungesës serioze të mbështetjes për kërkim shkencor, braktisjes totale e fatale të albanologjisë si prioritet akademik e strategjik, mungesës së bibliotekave si fizike ashtu dhe dixhitale, akomodimit cilësor në auditore dhe strehim jo në standarde për studentët, po kaq shqetësues mbetet besimi që shteti shqiptar nuk e ka të Universiteti si streha e njerëzve më të ditur dhe profesionist por i shpërndan nëpër një galaktikë shoqatash klienteliste. Ministre jepni mundësi Universitetit të bëjë projekte dhe ekspertizë. Këtë ta beje ministria e Financave, ajo e brendshme, e drejtësisë kështu me rrallë.

Paratë që marrin klientët duhet t’i fitojnë ndershmërisht pedagogët. Nuk është turp dhe faj që pedagoget te fitojnë dhe të jetojnë me mire. Në fund Zoti Balla po qarkullon një draft i tmerrshëm i kodit rrugor ku për një parakalim të gabuar me makinë dënohet me tre vite burg. Këtë edhe Bjellorusia do jua kishte zili. Duhet që gjysma e qyteteve të shndërrohen në burgje. Ndalojeni si idiotësi vere dhe ju falënderojmë nën freskun e vjeshtës.

 

Ora 12:17
Tabaku: Ç’do bëjë një pensionist me 50 lekë në ditë?! Mekanizmi i ngritur për tatimin ka stimuluar informalitetin nga bizneset

 

Në seancën e Kuvendit, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, deklaroi se ligjin për pensionet ka probleme të thella. Tabaku tha se nuk do të marrë pjesë në votim, ndërsa shtoi më tej se “ligji nuk njeh realitetin dhe problemin dhe dramën që sot përjeton Shqipëria”. Deputetja demokrate u shpreh se nga norma e indeksimit, pensionet do të rriten me vetëm 50 lekë në ditë.

‘Kam rezerva në lidhje me ligjin për pensionet dhe nuk do marr pjesë në votim. Ligji ka probleme të thella. Ligji nuk njeh realitetin dhe problemin dhe dramën që sot përjeton Shqipëria. Kriza reale e Shqipërisë është, hemorragjia e largimit të qytetarëve, e cila ka lindur prej vitesh dhe ka qene një sinjal se çfarë duhet bërë ndryshe në vend. Ky largim sot ka prekur çdo sektor të ekonomisë, arsimin, konsumin, rënien e numrit të nxënësve, studentëve, kjo është kriza reale. Skema e pensioneve është miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca në 2014. Reforma ndryshoi parimin, kontribuuesin më i madh përfiton më shumë, por i pabazuar në zhvillimin ekonomin, largimin e qytetarëve. Ndërsa që tani popullsia po plaket, qeveria s’di të jap përgjigje. E dini sa do rriten pensionet nga norma e indeksimit? 50 lekë në ditë! 1500 lekë në muaj. Çfarë do bëj një pensionisti me 50 lekë në ditë? A mbijetohet me 50 lekë në ditë?’- tha Tabaku.

Ora 12:12
Braçe në Kuvend: Në Greqi punëtorët po protestojnë për paratë e tyre e jo për Fredi Belerin! Duhet marrëveshje për pensionet e emigrantëve

 

Në seancën plenare po diskutohet projektligji për fondet e pensionit privat. Deputeti i PS-së Erion Braçe risolli edhe një herë në vëmendje faktin e mosnjohjes së pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Braçe tha se grekët sot janë në protestë për paratë e tyte dhe jo për Fredi Beleri.

‘Besimi i shqiptarëve në këta skena pensionesh, ka qenë qartë mosfunksionimi. Pensionet e prindërve jo vetëm tanëve, por gjithkujt. Ato janë halli! Kur thash të enjten që shkoi se pensione do të indeksohen me 8.6% këtu nuk mori vëmendje se halli është kush të bëhet kryetari i PD-së. A thua se nuk është më ai përhershmi.

Kushdo që ka ndërmarrë reformë pensionesh ka menduar për ata që do të dalin në pension dhe ajo ata që kanë dalë në pension. Këtu të gjithë ata që kanë pensionin dënohen me pamjaftueshmëri dhe thonë me të drejtë nuk del. Të ardhurat nuk dalin edhe pavarësisht faktit të indeksimit. Ata që dalin në pension tani kanë një pension shumë më të mirë sesa të ngjashmit e tyre. Duhet një zgjidhje e re për pensionet që kemi. Për të gjithë që dalin në pension zgjidhja është dhënë.

Qeveria e Greqisë ua ka njohur gjerësisht sigurimet shoqërore dhe atyre në Serbi. Emigrantët në Greqi nuk marrin dot numër të sigurimit shoqëror pasi sistemi i tyre është i ngadaltë dhe burokratik. Sot në Greqi kanë dalë në grevë për paratë e tyre dhe jo për Fredi Belerin.  Kjo çështje as nuk diskutohet.’- tha Braçe.

Ora 11:20
Rrëzohet kërkesa e Bardhit për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore

 

Është rrëzuar kërkesa e Gazment Bardhit për ndryshimin e rendit të ditës ku kërkonte që të votohej ndryshimi për komisionin për Reformën Zgjedhore.

‘43 vota pro kërkesës për, 55 janë kundër ndryshimit për rendin e ditës.’- tha Felaj.

Bardhi: Po të ishit të interesuar për zgjedhje të lira nuk kishit përfshirë çdo bandë kriminale dhe Pëllumb Gjokën në zgjedhjet në Shkodër. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në interes të qytetarëve. Ne kërkuam që nesër të mblidhet komisioni i reformës zgjedhore. Ky komision nuk mund të mblidhet se e kemi vendosur gishtin e përgjegjësisë tek anëtaret tanë, që e kanë mbajtur zvarrë për një vit e gjysëm, dhe e dyta sepse komisioni vepron mbi barazitë për maxhoranëcn dhe opozitën. Në përbërje të komisionin si përfaqësues të opozitës ka deputet që kanë lënë mandatet, ne nuk kemi 9 anëtar, kemi 8.

Pse duhet te presim dhe 1-2 jave? Talleni dhe nuk keni interes te bëni reformën zgjedhore dhe te ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E tregoi dhe dosja atje, ku gjysma e këtyre këtu dalin në komunikime me një anëtar të krimin të organizuar. U tallët me reformën zgjedhore, do na mbani dhe një vit e gjys dhe kur te vije 2025 te thoni se bëm dot. Për çfarë duhet të shtyhet.

Ora 11:17
VIDEO/ Korreshi shkon në Kuvend me kos e bukë misri me vete: E kam porosi nga mamaja që t’ia sjell qeverisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi këtë herë mbërriti me bukë misri dhe kos në seancën parlamentare, duke thënë se kaq mundësi kanë pensionistët sot të blejnë me pensionin që marrin. Ai tha se e ka ‘porosi’ nga nëna e tij për t’ia çuar bukën e misrit dhe kosin qeverisë.

“Sot është ligji për sigurimet shoqërore. Kam sjell nga Lushnja një bukë misri dhe një kos. E bleva sot në mëngjes, 210 lekë. 30 ditë janë 630 lekë. Imagjinoni të gjithë pensionistët që marrin 11 mijë lekë, aq merr mamaja ime, çfarë mund të bëjnë. Mund të hanë vetëm bukë misri dhe kos për 1 muaj. Do ilaçe, të tjerat janë vetëm për letër higjienike. Ndaj këtë do ta çoj atje, po rri sot pa bukë tha mamaja ime, jepja qeverisë aman vetëm ata t’i kemi shëndoshë”, tha Saimir Korreshi.

Saimir Korreshi ka tërhequr vëmendjen për mënyrën se si shkon në Kuvend herë pas herë. Teksa kësaj rashe shkoi me kos e bukë misri, herë të tjera ai është parë me shalqi, me grurë apo me set kirurgjikal, të cilat i zgjedh si mjete për të dhënë mesazhe për çështje të caktuara.

Ora 11:07
Bardhi insiston që Kuvendi të votojë propozimet e PD në komisionin për Reformën Zgjedhore! Çuçi: Të shtyjmë afatin fillimisht

 

Gazment Bardhi kërkoi në Kuvend që të miratohet vendimi për ringritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Bardhi kërkoi që sot të kryhet votimi për ndryshimin e komisionit për Reformën Zgjedhore.

‘Përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Na rezulton se e kanë lënë Reformën Zgjedhore në heshtje. Komisioni ka harruar të zgjidhet dhe kanë mbetur deputetë që kanë dorëzuar mandatin. Grida Duma ka lënë mandatin dhe është në punën e vet. Për ta bërë efikas komisionin kemi vendosur që të nisim punën. Nëse po i zgjasni afatin, mund ta lini opozitën pa komision. Duhet të plotësohet ekipi i komisionit për Reformën Zgjedhore. S’keni pse ndërhyni!’- tha Bardhi.

Por kreu i grupit të PS-së, Bledi Çuçi propozoi që të shtyhet fillimisht afati për Reformën Zgjedhore.

‘Ka një nevojë të menjëhershme të fillojë komisioni për Reformën Zgjedhore. Kemi detyrim kushtetues nga vendimi që vjen nga GJK në lidhje me elementë të rëndësishme të Kodit zgjedhor. Është një komision ndoshta nga më të rëndësishmit. Shpresoj që edhe kolegët të kenë durimin dhe të japin konsensusin dhe të ulen pa paragjykime në mënyrë q ëtë bëjnë më të mirën për Shqipërinë. Nuk jemi ne ata që i zgjedhim përfaqësuesit e opozitës në Komision. Asnjë veprim duke nisur që nga kryetarja e Kuvendit, nuk ka adresuar këtë gjë. Meqë kemi një vendim për shtyrjen e afatit të komisionit, nga pikëpamja procedurale ta shtyjmë sot dhe seancën tjetër shkojmë me ndryshimet përkatëse, pasi edhe ne kemi nevojë të bëjmë ndryshime.’- tha Çuçi.

Bardhi nga ana e tij insistoi, se pas votimit për zgjatjen e afatit, të kryhet edhe votimi për ndryshimin e Komisionit të PD-së për Reformën Zgjedhore.

'Ju mund të ndryshoni çdo emër që dëshironi, kjo s’na pengon edhe pas miratimit të përbërjes. Unë gjykoj që sa kohë komisionit i mbaron afati. Kishim mundësinë të zgjeronim objektin e komisionit duke përfshirë raportin e OSBE për 14 majin, ju gjykuat që kjo është një çështje që diskutohet në komision dhe s’ka nevojë për ndërhyrje. Sot të miratohet ndryshimi i opozitës, s’kemi pse ju presim ju, ne kemi vendosur do bëjmë ndryshime për ekipin e opozitës. Kur ju të dëshironi ne jemi dakord të ndryshoni kë ju të çmoni brenda komisionit të reformës zgjedhore. Kërkoj të miratohet sot bashkë me zgjatjen e afatit.'- tha Bardhi.

Ndërsa Fatmir Mediu kërkoi që të miratohen të dyja.

‘Sot duhen miratuar të dyja në mënyrë që nesër të nisim punën.’- tha Mediu.

Ora 10:47
Debati për kreun e grupit të PD-së, Berisha: Po kryeni krim në parlament! Felaj: T’i nuk je fare pjesë e grupit

 

Sali Berisha në Kuvend, tha se mazhoranca nuk mund të imponojë se çfarë opozite do të ketë populli. Sipas Berishës po kryhet një krim në parlamentin një partiak.

‘Deputetët e dalë nga krimi përpiqen të imponojnë për opozitë atë që duan ata dhe të zgjedhin dhe opozitën tuaj dhe të popullit opozitar. Nuk ka seancë më të shëmtuar se kjo. S’ka asgjë më të shpifur se kjo. De Facto përfaqëson shumicën e shqiptarëve sot, ju jeni të aftë për çdo shkelje ligjore dhe kushtetuese. Skena të tilla, inskenime të tilla s’kanë ndodhur kurrë në historinë e këtij parlamenti. Akte të tilla ku ju të përpiqeni të emëroni opozitën, tu merrni të drejtën deputetëve të opozitës se kush do ti përfaqësojë ata në parlament s’ka ndodhur asnjëherë. Ky është akt armiqësor ndaj jush. Si mund të ndodhë! Ti nuk lexon shkresën e grupit parlamentar të opozitës, a keni cipë a keni turp. Mbi ç’bazë funksionon një parlament socialist. Po riktheni standardet më të shëmtuara. Po kryeni krim në parlament, ky është një parlament një partiak.’- tha Berisha.

Felaj: Diskutuat për një çështje të një grupi parlamentar ku ju në fakt nuk bëni pjesë.

Ora 10:37
27 deputetë firmosin që Bardhi të jetë kreu i grupit, Felaj: Nuk e lexoj, Nikolla e ka mbajtur qëndrimin! Bardhi: jeni e detyruar

 

Çështja e kreut të grupit të PD ka nxitur debate në Kuvend. 27 deputetë kanë dërguar njoftim se zgjedhin Bardhin kreun e grupit, por zëvendëskryetarja Ermonela Felaj nuk e lexoi duke thënë se kryeparlamentarja Nikolla ka mbajtur njëherë qëndrimin  mbi këtë çështje. Kjo solli reagimin e Bardhit, i cili i tha se është e detyruar ta lexojë .

Felaj: Shkresa mban datën e sotme, është paraqitur para seancës. Vërehet re që ka një replikë me kryetaren për çështjen e qëndrimit që kryetarja e kuvendit do të shpreh të formësuar mbi diskutimet mbi grupin. Këtë nuk e konsiderojmë një njoftim për ta lexuar në Kuvend.

Bardhi: E para, ju nuk çmoni dot njoftimet Grupit të PD, detyra juaj është të lexoni njoftimet. Nuk ka asnjë replikë për çështjet tona të brendshme me kryetaren. Se kuptoj pse s’keni guxim ta lexoni. Thuhet në mbledhje është marrë ku vendin: Ju duhet të lexoni vendimin e grupit, s’kemi bërë replikë me kryetaren e Kuvendit. E kemi paraqitur sipas rregullores. Jeni e detyruar ta lexoni. Nuk jeni ju që interpretoni vendimet tona, ju thjesht informoni seancës.

Felaj: Nuk i takon kryetarit të Kuvendit të merret me qëndrimet e anëtarëve që i përkasin formalisht kryetarit të Grupit të PD-së. Kuvendin në një situatë të paprecedent po e fusni ju me veprimet e njëpasnjëshme. Kryetarja ka vendosur t’iu nxisë ju që të zgjidhni problemet tuaja të brendshme. Kryetarja e Kuvendit ka mbajtur qëndrim për këtë çështje dhe nuk kemi pse mbajmë asnjë qëndrim.

Ora 10:29
Sula përplaset me Felajn për kreun e grupit të PD-së: Po keq interpretoni rregulloren! Duhen 6 muaj për të krijuar një grup të ri parlamentar

 

Në Kuvend vijon përplasja për kreun e grupit parlamentar të PD-së. Dashnor Sula duke ju drejtuar nënkryetares së Kuvendit tha se për ajo është një interpretuese e keqe e rregullores.

‘Je interpretuese shumë e keqe e rregullores së Kuvendit. Mazhoranca juaj është selektive në çdo kohë për të interpretuar rregulloren e Kuvendit sipas oreksit tuaj. Keni një diferencë në raport me grupin tuaj parlamentar. Mjafton vetëm një nen i rregullores së Kuvendit. Nuk janë statuti i PD-së e as PS-së. Vetë rregullimi bëhet sipas trupës së grupit parlamentar të deputetëve. Edhe nëse do të krijosh një grup parlamentar do të duhet të krijohet 6 muaj. Kemi një grup që nga 9 shtatori dhe është ky grup parlamentar. Edhe me fillimin e çdo sesioni kryetar i grupit parlamentar në mbledhjen e tij zgjedh kryesinë. Në trupa e deputetëve të opozitës ju pëlqen apo nuk ju pëlqen ju ne kemi një kryetar të grupit parlamentar. Mund ti referohem edhe shkresës së PS-së, votoi trupa e deputetëve të PS-së dhe zgjodhët kryetarët. Turp është për ne, po ju i keni përhapni probleme Kuvendit.’- tha Sula.

Ora 10:23
Lëvizja Bashkë protestë para parlamentit: Të miratohet minimumi jetik, po i bëni pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese sa 100-fishi i pensionit

 

Teksa ka nisur Kuvendi i Shqipërisë, ku do diskutohet edhe projektligji për “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore", Lëvizja Bashkë po proteston jashtë ambienteve të parlamentit. Ata bëjnë kërkesë që të miratohet minimumi jetik, ndërsa thonë se po i rrisin pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese sa 100 -fishi i pensionit minimal.

Ata u shfaqën para Kuvendit me pankarta në duar me mbishkrimin  “Një deputet paguhet sa 39 të moshuar”, “Më i lartë tensioni se pensioni”, “Si shkuan pushimet në Dubai”, “Po vidhen miliona, populli ha bukë thatë”, ata kërkojnë që të miratohet minimumi jetik.

“Po rriten rrogat e anëtareve të gjykatës kushtetuese. E dini sa është pensioni minimal në Shqipëri, 8 mijë lekë. Duan ta bëjnë rrogën 670 mijë lekë, pothuajse 100-fishi i pensionit minimal, kërkojmë minimumin jetik për të ul këto diferenca me shtresave shoqërore. Nuk mundet që një pensionist që ka punuar një jetë të tërë në republikën e Shqipërisë pa çekiç, të paguhet 100 herë më pak se anëtari GJK. E kuptoni ku jemi. Kërkojmë jo vetëm që të shqyrtohet minimumi jetik. Kërkojmë të miratohet”, tha një protestues.

Ora 10:23
Aleanca për Ndryshim ndryshon kryetarin e grupit, ikën Mediu, do jetë Dashamir Shehu

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj në nisje të seancës plenare tha se grupi Aleanca për Ndryshim, ku bëjnë pjesë deputetët e partive të vogla, aleate të PD-së, ka kërkuar që të ndryshoje kryesinë. Në krye të grupit do të jetë Dashamir Shehu, në vend të Fatmir Mediut.

‘Kasëm Mahmutaj ka njoftuar largimin nga grupi parlamentar për Drejtësi dhe Integrim. Grupi Aleanca për Ndryshim ka ndryshuar kryesinë e tij. Dashamir Shehu, do të jetë kryetar i kreut të grupit.’- tha Felaj.

Ora 10:14
27 deputetë firmosin që Bardhi të jetë kreu i grupit, Basha e komentin: Nuk merremi me lojëra, PD fokusohet vetëm te problemet e qytetarëve

 

Lulzim Basha ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa është pyetur nga gazetarët për faktin që 18 deputetë kanë firmosur që Gazment Bardhi të jetë kreu i grupit të PD. Basha nuk pranoi të komentojë, ndërsa tha se PD nuk merret më me këto lojëra, por do të fokusohet vetëm tek problemet e qytetarëve.

"Nuk merremi me tallvatë. Nuk merremi me lojërat e vogla për interesa të vogla. PD do të fokusohet te problemet qytetarëve. Për një vite gjysmë PD ka qenë nën sulm dhe është marrë me veten e vet. Ua kam thënë, koha kur merreshim me njëri tjetrin në kurriz të shqiptarëve ka marrë fund. Ditë për ditë me njerëzit dhe për njerëzit", tha Basha.   

Ora 10:01
EMRAT e 27 deputetë firmosin dokumentin: Njohim Bardhin si kryetar të grupit parlamentar

1695232301_bardhi.jpg

Gazmend Bardhi njoftoi dje se 27 nga 35 deputetë të grupit parlamentar, kanë rinjoftuar Kuvendin se e njohin kryetar. Sot mësohen emrat e 28 deputetëve që kanë firmosur dokumentin që i kanë dërguar Kryetares së Kuvendit, ku deklarojnë se njohin si Kryetar Grupi Parlamentar të PD Gazment Bardhi.

Deputetët që kanë firmosur janë
1.Agron Gjekmarkaj,
2.Asllan Dogjani,
3.Bledion Nallbati,
4.Bujar Leskaj,
5.Dashnor Sula,
6.Dhurata Cupi,
7.Edi Paloka
8.Ervin Salianji
9.Ferdinand Xhaferaj 
10.Flamur Hoxha
11.Gazment Bardhi
12.Greta Bardeli
13.Helidon Bushati
14.Ina Zhupa
15.Isuf Celaj
16.Jorida Tabaku
17.Kastriot Piroli 
18Lefter Gështenja
19.Lindita Metaliaj
20.Ludovik Hasanaj
21.Qani Xhafa
22.Ramadan Likaj
23.Saimir Korreshi
24.Sorina Koti
25.Tomor Alizoti
26.Xhelal Mziu
27.Zheni Gjergji
SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mul Noka spiuni Sebeve.: 21/09/2023 15:46

    Ti komunisti Sali Berisha ishe ne ate parti kur u prishen Kishat & Xhamijat pra ti je bashkpuntore i tyre dhe jo Gogu.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë