TIRANË - Kuvendi miratoi sot me 74 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim pr/ligjin "Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura", që synon krijimin e një shërbimi policor profesional në ushtri, i bazuar në meritë dhe integritet moral.
Pr/ligji gjithashtu synon të riformulojë misionin e Policisë Ushtarake, që është ruajtja e rendit ushtarak, garantimi i zbatimit të ligjit nga veprimtaritë e kundraligjshme në ushtri, mbrojtja e jetës së personelit, mbrojtja e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Forcave të Armatosura, angazhimi në luftën kundër terrorizmit, etj.
Në seancën e sotme deputetët miratuan dhe disa ndryshime në ligjin "Për vlerësimin e ndikimit në mjedis", si dhe ratifikimin e marrëveshjes me Islandën për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat, u miratua me 107 vota 0pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Gjithashtu, deputetët miratuan sot  me 75 pro, 31 kundër dhe 1 abstenim dhe pr/vendimin për një shtesë në organikën e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), që do të ndikojë në mirëfunksionimin e kësaj strukture. /ATSH/