Me 77 vota pro është miratuar në tërësi projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, socialistët kërkojnë të risjellin formulën e vjetër të mënyrës së emërimit të drejtuesve të Gardës së Republikës.

Projektligji parashikon që të hiqet dorë nga procesi i konkurrimit, duke parashikuar sërish, emërimin e drejtpërdrejt nga Kryeministri të drejtuesve të Gardës, me propozim të ministrit të Brendshëm.

Në pranverën e vitit 2024 socialistët ndryshuan ligjin për Gardën, atëkohë me propozim të deputetit Nasip Naço, duke përcaktuar se drejtuesi zgjidhet përmes një konkursi të hapur, dhe jo si emërim nga kryeministri. Ky ndryshim u kundërshtua fort nga opozita, e cila pretendoi se ndërhyrja po bëhej për t’iu përshtatur një kandidati të paracaktuar, duke paralajmëruar dhe emrin e Ermal Onuzit, i cili faktikisht u emërua më pas në krye të Gardës në shtator të po atij viti.

Onuzi dha dorëheqjen 9 muaj më pas, dhe një garë e hapur për pasuesin e tij dështoi, pa u dhënë asnjë shpjegim për arsyet.

Ndryshimet ligjore u propozuan nga deputetja socialiste Antoneta Dhima dhe sipas PS, synojnë përmirësimin e harmonizimit të normave ligjore, rritjen e qartësisë dhe shmangien e keqinterpretimit.

Projektligji i ri parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Gardës të emërohet nga Kryeministri, pas propozimit të ministrit, dhe të marrë menjëherë gradën “Drejtues Madhor”. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se kandidati duhet të vijë nga radhët e vetë Gardës së Republikës.

Ndryshimet e reja heqin disa nga kriteret që u vendosën në vitin 2024. Konkretisht, largohet kërkesa për diplomë master dhe për të paktën 10 vite përvojë pune në fushën e sigurisë.

Gjithashtu, ndryshon edhe kriteri për masat disiplinore. Në projektligjin e ri kërkohet që kandidati të mos ketë pasur masa disiplinore në 3 vitet e fundit, ndërsa në versionin e vitit 2024 mjaftonte që të mos kishte masa në fuqi në momentin e përzgjedhjes.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Boçi zapton foltoren, Peleshi e përjashton! Opozita largohet, miratohen ndryshimet në ligjin për Gardën dhe krijimin e Agjencisë së Arsimit