Kuvendi miratoi me 84 vota amnistinë për 2016-ën.
 
Lirimi i rreth 670 të burgosurve me votë parlamenti, ishte në diskutim deri në minutën e fundit.
 
Opozita u largua nga seanca pikërisht para votimit të kësaj pike të rendit të ditës, pasi nuk iu plotësua kushti i saj për të hequr nga amnistia kriterin për të falur të gjithë burrat që pavarësisht nga krimi u ka mbetur dhe një vit burg dhe gratë deri në 2 vjet.
 
Në momentin kur kryetari i Kuvendit po njoftonte mbylljen e seancës, mbërritja e papritur në sallë e Armando Prengës, Tom Doshit, Eduard Ndocajt dhe Mirela Ferracakut, siguroi votat e mjaftueshme për të votuar amnistinë.
 
Vendimtare ishte dhe vota e Mhill Fufit nga radhët e së djathtës (i përjashtuar nga grupi parlamentar i PD disa javë më parë), i cili qëndroi në sallë pavarësisht largimit të PD.
 
Nga fundi i janarit të dënuarit që përmbushin kriteret pritet të lëne qelitë.
 
Ministri Manjani shprehu në rrjetet sociale keqardhjen për mosvotimin e opozitës, ndërsa Kuvendi kaloi me votë dhe ligjin për lojërat e fatit dhe kodin hekurudhor.