Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, akuzoi maxhorancën se po e kthen Kuvendin në një noter që vetëm vulos vendimet e qeverisë. Sipas saj, seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar, e parashikuar për të enjten, është mbingarkuar me 33 pika të rendit të ditës, mes tyre raportimet e institucioneve të drejtësisë, dhjetëra projektligje dhe dy akte normative që prekin Buxhetin e Shtetit, duke shmangur debatin e plotë për çështje të rëndësishme.

“Qëllimi i vetëm i maxhorancës është që këto çështje të mos debatohen siç duhet, të mos analizohen dhe të kalojnë pa vëmendjen që meritojnë nga opinioni publik. Kjo mënyrë funksionimi është e turpshme. Kuvendi është shndërruar në një noter të qeverisë, ku ligjet kalojnë me porosi dhe sipas interesave të klientëve të saj, jo sipas interesit publik. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Bashkimi Europian kërkon pikërisht të kundërtën" tha Xhixho

Deputetja tha gjithashtu se procesi i konsultimit publik është kthyer në një procedurë formale dhe se maxhoranca nuk ka përfshirë në rendin e ditës projektligjet e opozitës për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, Paketën e Maleve dhe disa dispozita të ligjit për trashëgiminë kulturore.

“ Pra, ndërsa ligjet e qeverisë kalojnë me procedurë të përshpejtuar dhe pa debat, nismat e opozitës që burojnë nga kërkesat e qytetarëve mbahen të bllokuara. Ky nuk është parlamentarizëm. Ky nuk është standard europian. Ky është një model ku shumica përdor numrat për të mbyllur gojën e opozitës, për të shmangur debatin dhe për të miratuar ligje pa transparencë e pa llogaridhënie. Ne e denojmë këtë praktikë dhe kërkojmë që Kuvendi të rikthehet në funksionin e tij kushtetues: të kontrollojë qeverinë, të garantojë debat të hapur dhe të miratojë ligje në interes të qytetarëve, jo të pushtetit.” tha Xhixho