PRISHTINË, 14 Shkurt /ATSH-B. Jashari/.- Në seancën plenare të përfunduar mbrëmë të kuvendit kosovar, deputetët, me shumicë votash 48 për, 22 kundër dhe një abstenim, miratuan në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
Debati vuri në pah se neni 3, përkatësisht pika 11. 3 e këtij neni të projektligjit, duhet të riformulohet, për çka u pajtuan edhe deputetët e pozitës. Ata, po ashtu u pajtuan që qeveria të sjellë në Kuvend sa më shpejtë një ligj të veçantë për Trepçën.
Për projektligjin foli edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. "Projektligji është sjellë në Kuvend, duke mos iu nënshtruar as një presioni, që gjatë debatit pretendohet të paraqitet", tha kryetari Veseli. Po ashtu, ai vlerësoi se, "hapat e ndërmarrë nga Kuvendi, kanë qenë mënyra e vetme për të shpëtuar ndërmarrjen Trepça nga likuidimi, ndërsa projektligji do t'i hapë rrugë zhvillimit të saj". Shkakun e vendimeve të shpejta lidhur me ndërmarrjen Trepça, kryeparlamentari Veseli e arsyetoi me vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Seanca vijoi me shqyrtimin e propozimit për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa të zgjedhurit me mandat dyvjeçar janë: Avdi Dinaj, Nebojsha Voiçiç, Idajen Ismaili, Ymer Hoxha dhe Ramë Gashi.
Në fund të seancës, Kuvendi është njohur edhe me propozimin e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisione.
Për ditën e hënë është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgatitje të seancën plenare të radhës. "Propozimi i Komisionit për Punë të Jashtme për formimin e grupeve të miqësisë dhe riformimin në fillim të mandatit të ri parlamentar", është një nga pikat e axhendës./a.ke/









