Partitë në pushtet, me kundërshtimin e opozitës, megjithatë ia arritën ta miratojnë platformën e dialogut me Serbinë. Kryeministri Ramush Haradinaj, kërkoi seancë të jashtëzakonshme për platformën e dialogut. Ajo filloi paraditen e së enjtes (07.03), u ndërpre disa herë, por më në fund u arrit kuorumi i nevojshëm dhe platforma mori 61 vota, shumicën e thjeshtë nga 120 deputet sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Në platformën e saj, Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t'u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, "do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.
Platforma e Prishtinës me 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës për dialogun, ku thuhet se "marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”.
Parimi 1 i platformës, parasheh se "qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, duke vazhduar më tej se "nuk do të ketë marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka”.
Opozita në Kosovë platformën dhe ekipin shtetëror për dialog nuk po i cilëson legjitime. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se platforma për dialogun e ka vendin në këtë Kuvend. Sipas tij, parlamentit i është dhënë mundësia jo vetëm ta ruajë pronësinë mbi procesin e dialogut por edhe për ta ruajtur Kosovën siç thotë, "të 17 shkurtit”. Haradinaj, kërkoi konsesus për platformën. "Nuk e di cili subjekt politik nuk i ka në interes këto tema, janë të interesit të parë për Kosovën. Nëse ka vërejtje për aspektin kohor se a është sot dita për t'i diskutuar këto apo jo, nuk ka dilemë që mundemi t'i diskutojmë këto dhe nuk besoj që dikush mund t'ia mohojë rëndësinë temave. Edhe ligji për delegacionin shtetëror edhe platforma e kanë vendin në këtë Kuvend dhe unë i ftoj deputetët ta shfrytëzojnë mundësin që t'i thonë mendimet e veta, dhe subjektet politike t'i thonë qëndrimet e veta dhe në fund mundësisht ta arrijmë një konsensus, pasi i është dhënë mundësia parlamentit jo vetëm ta ruajë pronësinë mbi procesin e dialogut, por edhe për ta ruajtur Kosovën e 17 shkurtit", thotë Haradinaj.
Partia më e madhe opozitare LDK, po e konteston tërë procesin që nga themelimi i ekipit shtetëror për dialog, ligjin dhe platformën. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në opozitë Isa Mustafa, ekipin shtetëror të dialogut e cilëson si një "degradim i shtetësisë së Kosovës”.
"Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra pikërisht atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës. Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend, që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit”, shkroi në profilin e tij, Isa Mustafa.
Sipas tij, "platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rreme në opinion”, sepse sipas Mustafës, "as Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”.
"Absurdi qëndron në faktin se Platforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush. Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë, e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja”, shkruan Isa Mustafa.
Partitë opozitare po kërkojnë që platforma për dialogun të mos procedohet në kuvend për diskutim, sepse, ligji për dialogun ka kaluar vetëm në lexim të parë.
Lëvizja Vetëvendosja duke e shprehur kundërshtinë e saj për platformën, tha se nëse koalicioni qeveritar arrin ta kalojë platformën e dialogut, kjo parti do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
"Ne jemi kundër ligjit dhe kundër platformës. Me këto forma, koalicioni po mundohen t'i bëjnë nder dhe favore (presidentit të Kosovës) Hashim Thaçit. Ne do t'i kundërshtojmë të dyja. Madje për Projektligjin për dialogun, do ta dërgojmë në Kushtetuese nëse kalon”, thotë deputetja Albulena Haxhiu.
Platforma e dialogut me Serbinë nuk përfshin korrigjim kufijsh dhe as Asociacion të komunave me shumicë serbe. Platforma që po prezantohet në Kuvend, thotë se "Kosova pret që procesi i dialogut tё intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019 me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë dhe ajo marrëveshje të jetë gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme për të dyja vendet. Dialogu Kosovë-Serbi ka muaj që është ndërprerë. Prishtina ka vendosur taksa shtesë në mallrat e Serbisë, e kjo e fundit nuk po pranon të rifillojë dialog me Kosovën, pa u hequr taksat ndaj mallrave të saj. BE-ja dhe SHBA-ja, po u kërkojnë të dyja vendeve rinisjen e dialogut. Në këtë kuadër, zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, qëndron më datën 8 dhe 9 mars në Beograd dhe Prishtinë në përpjekje për t'i bindur palët që të rifillojnë dialogun dhe të arrijnë marrëveshje gjatë këtij viti.
David Hale, në një intervistë për të përditshmen serbe Danas, ka thënë se "Shteteve të Bashkuara nuk u takon që të diktojnë përfundimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
David Hale ka thënë se "ka mundësi që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet”.
"Është koha që të marrin fund provokimet nga të dyja palët, të pezullohen taksat, që Beogradi dhe Prishtina t'u kthehen bisedimeve të drejtuara nga Bashkimi Evropian dhe që të dyja palët të jenë të përcaktuara për paqe të qëndrueshme”, citon e përditshmja serbe Danas, zëvendës sekretarin amerikan i Shtetit, David Hale. /DW