Dy anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ishin dje të pranishëm në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike. Petraq Milo dhe Dhori Kule ishin dje pjesë e delegatëve të cilët morën pjesë në votimin e Këshillit Kombëtar të PD-së. Veç kësaj, njëri prej dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Petraq Milo ishte edhe kandidat për anëtar Këshillit të PD-së. Kësisoj, dy persona të cilët parashikohen të jenë jo partiak, përshkak të postit që ata mbajnë në Bankën e Shqipërisë por jo vetëm, kanë vijuar dje aktivitetin e tyre politik.

Veç kësaj, Petraq Milo është parë dje në hollin e Pallatit të Kongreseve duke bërë fushatë për veten e tij në mënyrë që të siguronte votat e nevojshme për të qenë pjesë e Këshillit të ri të Partisë Demokratike. Pothuajse gjatë gjithë kohës ai ka qenë me telefonin në dorë duke dërguar mesazhe telefonike tek delegatët në mënyrë që të merrte sa më shumë vota për në Këshillin Kombëtar të PD-së.