Kuvendi i kërkon Bankës së Shqipërisë më shumë kontroll ndaj bankave që kanë ekspozime të larta pasi i kanë dhënë kredi shumë kredi bizneseve të mëdha dhe pasurive të paluajtshme. Kjo ishte një nga pikat kryesore të vendosura në projektrezolutën e miratuar në Komisionin e Ekonomisë, ku theksohet se duhet analizuar përqendrimi në disa sektorë në kreditim në mënyrë që mos të cenohet stabiliteti i sistemit bankar.
“Të forcojë më tej mbikëqyrjen prudenciale ndaj bankave me përqendrim të lartë të ekspozimeve ndaj huamarrësve të mëdhenj, sektorit publik dhe kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke vlerësuar në mënyrë të posaçme ndërveprimin e këtyre rreziqeve si dhe të kufizojë ndërmarrjen e ndryshimeve rregullatore preferenciale për financimin e sektorëve specifikë”
Sa i përket sektorit publik, ligjvënësit e vënë theksin te kredidhënia e madhe në projektet infrastrukturore në transportin rrugor, portual dhe aeroportual, të cilët sipas tyre rrezikojnë bankat në rast të mosrealizimit të këtyre investimeve.
Mes 12 rekomandimeve, më shumë vëmendje është kërkuar edhe për kursin e këmbimit, pikë për të cilën opozita kërkon të merren masa për të mbrojtur sektorët më të goditur nga zhvlerësimi i euros, e madje edhe kurs të fiksuar këmbimi për eksportuesit.
“Është e pakonceptueshme që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në tregun valutor me një ndërhyrje masive më shumë se 1 miliard euro ku vlerësohet që rreth 800 deri 900 milion euro i takojnë ndërhyrjes për të mbajtur të frenuar nën çmimin e euros, dhe këtu kemi dalë nga funksioni i saj ligjor”, tha Eno Bozdo, deputet i PD.
“A mundet Banka e Shqipërisë pse jo brenda një muaji të na bëjë një studim dhe të vijë pse jo dhe me ndonjë propozim konkret, që këto janë sektorë të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe politikë bërja ndërhyn në këtë moment. Mund të bëhet ndërhyrja me subvencionim. Nga 140 lekë që e kemi pasur afërsisht në vitin në 2014-2015 kursin, sot është në 94 lekë, është një rënie e tmerrshme”, tha Igli Cara deputet i PD-së.
Gjithashtu në Komision u miratua edhe projektrezoluta me 15 rekomandime për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në drejtim të rritjes së transparencës, digjitalizimit, zhvillim më tej të tregut të sigurimeve apo edhe rishikim të rregullores bonus-malus.
“Aty në rregullore (bonus-malus) nuk ka ekuilibër, është zhvendosur në favor të kompanive ekuilibri. Një zbritje e çmimi 2% deri në 5% është qesharake, dhe reflekton pikërisht faktin që faktorët e riskut nuk janë favor të qytetarëve”, tha Erion Braçe.
“Nuk sigurojnë kompanitë për përmbytje. Do ishte mirë që pse jo të kishte ë dhe një ofertë nga kompanitë që të sigurohet dhe përmbytja, jeta, zjarri, të gjitha me rrallë, sepse nuk mund të rrimë vetëm te mjetet motorike”, tha Igli Cara.
Komente








