Kuvendi kërkon 50 milionë
lekë shtesë: Është vit elektoral

Kuvendi kërkon 50 milionë<br />lekë shtesë: Është vit elektoral
Kuvendi i Shqipërisë nuk është i kënaqur me paratë që qeveria ka programuar për të në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Në një relacion që “Shqiptarja.com” disponon, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla i thotë Metës dhe Byrosë së Kuvendit se duhen para në dy drejtime: një për shtesë në fondin e pagave për vitin e ardhshëm i cili si vit elektoral do të ketë shpenzime shtesë, dhe së dyti për instalimin e sistemit të votimit për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për pagat Kuvendi kërkon përafërsisht 50 milionë lekë të reja shtesë, dnërsa për sistemin elektronik të vettingut rreth 21 milionë lekë.

“Duke analizuar të dhënat e përcjella me projektbuxhetin e vitit 2017 për buxhetin e Kuvendit,  ku rezulton se janë planifikuar të akordohen më pak fonde se nevojat e Kuvendit në zërin e shpenzimeve për paga, por dhe duke konsideruar ndryshimet që kanë ndodhur pas dorëzimit të PBA në Ministrinë e Financave që kanë të bëjnë me sistemin e vettingut dhe me fondet e TVSH-së së sistemit Audio Video që IPA do të realizojë për Kuvendin e Shqipërisë, sjellim në vëmendjen Tuaj problematikat e krijuara dhe domosdoshmërinë e një vendimmarrje për të vazhduar më tej.

Siç shihet dhe nga tabela, planifikimi i fondit të pagave për vitin 2017 është më i ulët se realizimi i pritshëm për vitin 2016  për secilin program, duke patur parasysh se numri i punonjësve është miratuar i njëjtë  dhe për vitin 2017. Pavarësisht realizimit të pritshëm të vitit 2016 të fondit të pagave, argumentojmë se në vitin 2017 fondi faktik  i pagave do të jetë edhe më i lartë për disa arsye:

a. Viti 2017 do të jetë vit elektoral dhe nga muajit maj deri në shtator nuk do të ketë seanca plenare dhe mbledhje komisione parlamentare, për të cilat, baza ligjore parashikon penalitet në rast mospjesëmarrje pa shkaqe të ligjshme. Pra për këtë periudhë 4-5 mujore do të ketë pagesa të plota mujore për deputetët.

b. numri i punonjësve i paplotësuar me staf do të jetë në plotësim pasi procedurat me Departamentin e Administratës Publike dhe ato të rekrutimit janë në proces.

c. jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të synohet që legjislatura e re të gjejë dhe të tjera zyra zgjedhore të hapura në rrethe, që do të thotë që do kemi staf të këtyre zyrave të rekrutuar (ky staf është i përfshirë në numrin e punonjësve të miratuar me ligj buxheti).

d. në strukturën e punonjësve të Institucionit, 4 pozicione i përkasin listës së pritjes, të cilat duke filluar nga nëntor 2016 do të fillojnë pagesën për paga të kreditorëve në ekzekutim të vendimeve gjyqësore, të cilat kanë vendosur kthimin e ish punonjësve në pozicionet e mëparshme dhe për të cilët nuk ka vende të lira.

e. Gjatë vitit 2016, për një periudhë 5 mujore pozicionet e drejtorit të Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të pavarura, Drejtori i Mirëmbajtjes dhe Drejtori i Shërbimeve të prokurimit kanë bërë lëvizje paralele në një Institucion tjetër publik, duke kursyer fondin e pagave, por vetëm për këtë vit që po përfundon. Institucioni e ka nevojë emergjente plotësimin e këtyre vendeve përfshirë këtu dhe Drejtorin e Protokollit Zyrtar apo  Drejtorin e Përgjithshëm Legjislativ. Sa më sipër lind e nevojshme plotësimi i nevojave buxhetore  prej 60 milion lekë në zërin e shpenzimeve për paga. Ndërsa, siç shihet nga tabela, janë akorduar 10 milion lekë në zërin e sigurimeve Shoqërore më shumë se nevojat e Kuvendit. Në total për numrin aktual të punonjësve  405 sipas strukturës se miratuar, efekti financiar është 50 milion lekë për tu akorduar dhe sistemuar  siç paraqitet në tabelat bashkëlidhur.

Nga numri 405 punonjës të miratuar me ligjin e buxhetit për vitit 2016, efektivisht kemi 368 punonjës. Gjatë këtij viti janë ndjekur procedurat e rekrutimit sipas legjislacionit; psh: rasti plotësimit të shërbimit Juridik që nga fillimi i vitit konkursi për pozicionin këshilltar juridik është publikuar 5 herë në janar-mars, prill, qershor, tetor 2016.

Publikimet e muajit janar,mars,qershor janë mbyllur pa kandidatë. Në publikimin e pozicionit për këshilltar juridik në  muajin prill është rekrutuar vetëm një punonjës. Edhe në procedurën e ndjekur gjatë muajit tetor  është akoma i papërfunduar.

Më vendimin e Byrosë nr.88, datë 12.10.2016, është miratuar hapja e procedurave të pranimit në kategorinë e lartë dhe të mesëm drejtues edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil. Po ashtu, vijon të jenë të pa plotësuar 14 vende për punonjësit në zyrat zgjedhore  për shkak të mungesës së ambienteve, përveçse mos dërgimit të asistentëve të zyrave, pasi grupet parlamentare/subjektet partiake, mazhorancë/opozitë nuk kanë caktuar se kush do të administrojë zyra.

Kërkuar në  projekt buxhet për vitin 2017 janë dhe  6 punonjës që i përkasin pozicioneve të këshilltarëve, por në draftin e ardhur në ligjin për buxhetin e vitit 2017, nuk është konsideruar. Pra fondi i  nevojshme për paga për vitin 2017 shkon në 57.5 milion lekë nga të cilat 50 milion fondi për  numrin aktual  të punonjësve (405) dhe 7.5 milion për shtesën për 6 këshilltarët”,-thuhet në relacionin e përgatitur nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla.

tabela krahasuese kuvendi

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon