Kuvendi miraton amnistinë, kush
përfiton dhe kush penalizohet

Kuvendi miraton amnistinë, kush<br />përfiton dhe kush penalizohet
Parlamenti miratoi me 84 vota pro ligjin e amnistisë, duke mundësuar që mbi 700 persona të lënë qelinë, ndërsa mbi 1000 të tjerë të përfitojnë nga uljet, gjobat apo pezullimi i hetimeve. Ligji duhet të dekretohet nga Presidenti dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kjo do të thotë se të burgosurit do të kalojnë festat e fundit në qeli dhe lirimi i tyre do të fillojë rreth mesit të janarit. Mazhoranca e miratoi këtë ligj pa opozitën, dhe me ndihmën e votave të Armando Prengës që u rikthye si rrallë herë, dhe të të Mhill Fufit të PD-së.

Prenga e votoi edhe nenin që e përjashton atë nga e drejta për tu amnistuar. Sipas votimit final, është zgjeruar fasha e përfitimit edhe për të dënuarit me gjobë, lirim me kusht apo dënime të tjera alternative deri në burgim me 3 vjet, si dhe personat që janë në proces për vepra penale që dënimi parashikohet deri në 2 vjet. Në këtë mënyrë, do të përfitojnë personat e akuzuar apo të dënuar për vjedhje të energjisë elektrike apo të dënuarit për ndërtim të paligjshëm në tokën e tyre.

Përfitojnë nga amnistia sipas ndryshimeve të bëra nga komisionet parlamentare personat e dënuar nga gjykata e rretheve gjyqësore apo gjykatat për krime të rënda dhe që brenda afatit ligjor nuk është bërë ankim në gjykatat respektive të apelit duke marrë formë të prerë brenda datës 25.12.2016. Data e mëparshme e parashikuar nga qeveria për të shmangur abuzivizmin ishte 30 nëntori, një javë përpara se ligji të miratohej në qeveri.

Me kërkesë të Partisë Socialiste, tek neni për kriteret e përfitimin e amnistisë, viti u ndryshua nga 2, në tre vjet, dhe afati nga i dënuar deri në 10 dhjetor, u bë në 25 dhjetor. Në riformulimin e këtij neni, u shtua dhe amnistomi i të dënuarve me gjobë, apo me dënime më të buta. “Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 25 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi”,-thuhet në nenin e ri.

Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat të cilët i janë shmangur drejtësisë, qofshin këta shtetas që i janë shmangur autoritetit të ndjekjes penale apo të dënuar që i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dhënë, deri në datën 25.12.2016. Kjo datë më parë ishte 30.11.2011. Po ashtu, më përpara ishte parashikuar që të mos përfitonin nga amnistia personat në lirim me kusht. Pika “Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat që janë dënuar me burgim dhe ekzekutimi i dënimit është pezulluar me kusht nga gjykata nuk përfitojnë nga ky ligj”,-është hequr.

Varianti i mëparshëm ishte që nga amnistia të përfitonin pushimin e çështjes apo ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet. Tashmë, kjo datë është ndryshuar dhe është zgjeruar deri në 25.12.2016.

Me propozimin e deputetit të LSI-së, Petrit Vasili, është shtuar një nen specifik që pengon çdo lloj zyrtari të lartë, të përfitojë nga kjo amnisti. Në këto kushte, ai ju përgjigj shqetësimit të PD-së për përfitimin e mundshëm të Armando Prengës. “Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe që janë subjekt i ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” i ndryshuar. Personat funksionarë publikë të cilët ndiqen penalisht për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga datat e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 25.12.2016, do të vazhdojnë t’i nënshtrohen ndjekjes penale duke u hetuar dhe gjykuar, pavarësisht parashikimeve të këtij neni”-thuhet në nënin e shtuar nga LSI.

Të gjithë personat që janë dënuar për vjedhje të energjisë elektrike me vendim të formës së prerë tashmë përfitojnë nga kjo amnisti, por personat të cilët janë duke u gjykuar për këtë çështje nuk mund tu pushohet procesi, për shkak se të drejtën për pezullim e kanë vetëm veprat me parashikim dënimi deri në 2 vjet, ndërsa vjedhja e energjisë elektrike, parashikon dënim deri në 3 vjet.

Personat të cilët kanë ndërtuar në pronën e tyre, amnistohen nga ky projektligj, edhe kur janë në proces gjyqësor, edhe kur janë dënuar. Në rastet kur ndërtimi është bërë me qëllim përfitimi, apo në tokën e tjetrit, nëse është dënuar me më pak se tre vjet përfiton, ndërsa nëse është në proces gjykimi nuk përfiton, pasi parashikohet dënim respektivisht 8 vjet për ndërtim për biznes dhe 5 vjet për ndërtim në tokën e tjetrit.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Man.City shokohet para nisjes së Premier League, në janar mund të dënohet me zbritjen në Championship

Man.City shokohet para nisjes së Premier League, në janar mund të dënohet me zbritjen në Championship