Pagat
“Fondi i planifikuar përbën 52% të shpenzimeve operative vjetore. Në 6-mujorin e parë, realizimi është 271 milion lekë, ose 24% e fondit vjetor të planifikuar. Për vitin 2016, janë planifikuar fond për paga për një numër prej 405 personash (staf politik, deputete, staf administrativ përfshirë i zyrave zgjedhore në rrethe)”-thuhet në relacionin e Kuvendit. Nga tabela shoqëruese, duket se për paga janë shpenzuar 151,359,000 lekë, për sigurime shoqërore 17,107,000 lekë, për mallra dhe shërbime të tjera janë paguar 134,722,000 lekë, ndërsa për transferta korente të huaja 12,029,000 lekë. Totali i këtyre shpenzimeve për 6 muajt e parë të këtij viti shkon në 315,217,000 lekë.
Shpenzimet operative
Lidhur me zërin e shpenzimeve operative fondi i planifikuar në buxhet është 538 milion lekë, përkatësisht 251 lekë për programin administrativ dhe 287 milion lekë për programin legjislativ. Realizimi për këtë 6-mujor të parë është 75 milion për programin administrativ, pra 30% e fondit të planifikuar dhe 135 milion lekë për programin legjislativ, 47% e fondit të planifikuar. Pjesën më të rëndësishme në këtë zë shpenzimesh e zënë përfitimet financiare të deputetëve, shpenzimet për dieta, udhëtimet jashtë vendit, shpenzimet për pritje-përcjellje të delegacioneve, konferencat e organizuara, materialet e nevojshme për mbarëvajtjen e punës siç janë materialet e kancelarisë, elektrike, higjeno-sanitare etj. Sipas relacionit janë likuiduar në kohë dhe brenda afateve të gjitha faturat e shpenzimeve të energjisë, ujit si dhe të telefonisë fikse. Shpenzimet për telefoninë celulare kanë qenë të papërfillshme, për shkak të mos shpenzimit nga buxheti i shtetit, pa u lidhur kontratë me një nga operatorët në treg. Gjatë këtij 6-mujori janë lidhur kontratat dhe ka përfunduar zbatimi i tyre për furnizimin me materialet e kancelarisë dhe materialet higjeno-sanitare.
Asambleja e NATO
Kuvendi relaton se gjatë muajit shkurt është mbyllur me sukses Asambleja Parlamentare e Mesdheut, shpenzimet për të cilën ishin ndarë në zëra të veçantë si logjistika e nevojshme për organizimin e konferencës, akomodimi i delegacioneve pjesëmarrëse në hotel, pritjet e përcjelljet e tyre, qiramarrje automjete për sigurimin e transportit dhe është vlerësuar paraprakisht në 12.4 milion lekë. “Gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, si rezultat i konkurrencës, ky aktivitet me mbi 200 pjesëmarrës u realizuar me rreth 70% të fondit të kërkuar. Njëkohësisht gjatë muajit maj u mbyll me sukses edhe asambleja e NATOS-s, shpenzimet për të cilën sikundër asambleja PAM ishin të ndarë në zëra të veçantë sipas nevojës së organizimit të konferencës. Në total parashikimi për realizimin e kësaj konference ishte 59 milion lekë, dhe u realizua me rreth 45 milion lekë, pra me 76% të fondit të kërkuar. Si pasojë e kursimeve nga tenderimet dhe procedurave të prokurimit pjesa e mbetur nga fondi i parashikuar është kthyer në buxhetin e shtetit, 13.9 milion lekë për asamblenë NATO dhe 4.3 milion lekë për PAM. Gjithashtu kthime në buxhet janë bërë edhe për zëra të tjerë të parashikuar, siç janë honorare nga komisionet dhe dietat për deputetët, shërbimi për sistemin e-parlament, kursime nga telefonia celulare etj. Përsa më sipër fondi total i kthyer në buxhet, me shkresë nr. 1965/4 Prot, datë 22/06/2016 është 76.3 milion lekë,”-thuhet në relacion.
Investimet
Në projektbuxhetin e këtij viti, Kuvendi kishte parashikuar kryerjen e 6 investimeve të rëndësishme, por edhe pse ka kaluar gjysma e vitit, asnjë prej tyre nuk është realizuar, ndërsa vetëm një është pjesërisht në proces. Kjo gjë pranohet edhe në relacion. “Gjatë këtij 6-mujori të parë të vitit 2016, janë realizuar shumë pak shpenzime kapitale pasi një pjesë e tyre janë në proces prokurimi dhe tenderimi, përfshirë këtu Rikonstruksionin e ambienteve të godinës së Kuvendit dhe Kondicionerin e precizonit të lartë. Investimi në Sistemin e telefonisë fikse dhe Përmirësimi i infrastrukturës së rrjetit netvvork janë në proces specifikimesh teknike dhe pritet të realizohen në tremujorin e tretë të vitit. Lidhur me zërin Fondi i librit, është lidhur kontrata me operatorin ekonomik dhe zbatimi i saj përfundon në muajin korrik 2016”,-thuhet në relacion. 24.800.000 lekë janë parashikuar për rikonstruksionin e ambienteve të godinës të Kuvendit si dhe sistemi rrufe-pritës; 10.600.000 lekë për instalimin e sistemit të komunikimit të telefonisë fikse; 3.000.000 lekë për blerjen e një kondicioneri të precizonit të lartë për sallën e serverëve; 15.000.000 lekë për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit Netvvork në kuadër të e-parlament; 4.900.000 lekë për blerje pajisjesh për Kuvendin dhe 700.000 për atë që duhet Fondi i Librit.
Redaksia online
a.n shqiptarja.com