Në kulmin e debateve nëse televizioni publik duhet të mbyllet ose jo, Kuvendi i Shqipërisë prezanton projektin për një televizion të vetin, i cili do të prodhojë materiale edhe për RTSH-në.

Me një investim prej 500 mijë eurosh, Byrosë së Kuvendit iu kërkua miratim për krijimin e një redaksie televizive për institucionin.

“Media Room-i është menduar të jetë një qendër e integruar multimediale brenda Kuvendit të Shqipërisë, e konceptuar si një “redaksi televizive” profesionale, që funksionon në mënyrë të përhershme dhe bashkëpunon ngushtë me RTSH-në për transmetimin në kanalin RTSH Kuvend”, - thuhet në relacionin e siguruar nga Report TV.

Për këtë synohet të ngrihet një drejtori e re (Media-Room) pranë Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit, e cila të ketë rol të trefishtë, sipas dokumentit.

“Informues: të përcjellë në mënyrë transparente punën parlamentare për qytetarët. Analitik: të shpjegojë proceset legjislative, reformat dhe ndikimet e tyre. Dhe edukues: të ndihmojë qytetarët të kuptojnë funksionet dhe rolin e Kuvendit”.

Fillimisht parashikohet të nisë puna me strukturë të reduktuar redaksie me staf minimal, prodhim të përmbajtjeve bazike: Transmetime live, kronika, intervista, bashkëpunim i plotë me RTSH-në, për transmetimin dhe arkivim të materialeve.

“Qëllimi i programacionit televiziv të kanalit parlamentar është të ofrojë një pasqyrë të plotë, të strukturuar dhe të kuptueshme të veprimtarisë së Kuvendit për publikun e gjerë. Programet duhet të jenë të balancuara ndërmjet informimit të menjëhershëm, analizës së thelluar, edukimit qytetar dhe transparencës institucionale”,-thuhet në dokumentin që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

500 mijë eurot do të shpenzohen për studio televizive moderne, prodhim të plotë video/audio për TV Parlamentar, dhe platformë publike televizive të Kuvendit, e integruar me shërbimet AI. Do të ofrohen komentim opsional, titrim dhe gjuhë të shenjave për seancat dhe komisionet.

Iniciativa premton të ofrojë përmbledhje dhe analiza: kronika ditore dhe javore, përmbledhje tematike mbi çështje ligjvënëse dhe debate, të transmetuara në RTSH Kuvend, online dhe në rrjete sociale.

    ◦ Arkiv Digjital i Indeksuar
    ◦ Shërbime për Media dhe Deputetë
    ◦ Debate dhe Interaktivitet
    ◦ Databazë Historike dhe Kulturë Parlamentare
    ◦ Multimedia dhe Platforma Online

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë