TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë do të nisë punimet për sesionin e ri në datë 3 shtator. Ky sesion pritet që të jetë mjaft i nxehtë, pasi përpara janë disa nisma nga qeveria, që kundërshtohen nga opozita, ndërsa pritet që të dominohet edhe nga retorika e fortë politike, pasi në qershor të 2019 janë zgjedhjet lokale.
Debati i ndërprerë në qershor nga sesioni i kaluar, pritet që të nisë që në javët e para të shtatorit, pasi shumica ka planifikuar që të fusë në rivotim menjëherë dekretin e Presidentit për ligjin e Teatrit Kombëtar.
Shumica ka planifikuar që në datë 13 shtator të rivotohet ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar, por zyrtarisht data do të vendoset në seancën e ditës së hënë kur do të miratohet kalendari i punimeve.
Mes kundërshtimit të fortë nga opozita, ligji u miratua nga shumica në fillim të korrikut, por Presidenti e ktheu për rishqyrtim, ndërsa shumica ka paralajmëruar se do ta rivotojë menjëherë pa asnjë ndryshim.
Kujtojmë që kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me artistët, ndërsa Teatri i ri parashikohet që të ndërtohet mbi rrënojat e të vjetrit me Partneritet Publik Privat.