Zgjatja e afateve të vettingut, SHBA: Hap i rëndësishëm drejt integrimit europian! Soreca: Moment historik, votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE

Zgjatja e afateve të vettingut, SHBA: Hap i rëndësishëm drejt integrimit europian! Soreca: Moment historik, votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE

Ambasada e SHBA dhe Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca kanë përshëndetur miratimin në Kuvend të ndryshimeve Kushtetuese për të shtyrë deri më 31 dhjetor 2024 afatet e organeve të vettingut. Me një postim në facebook, Ambasada e SHBA e konsideron zgjatjen e afateve të vettingut një hap të rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët, drejt integrimit europian.

Me një postim në Twitter, Soreca e konsideroi votimin sot në Kuvend si një 'moment historik' dhe një 'votë për të ardhme ne Shqipërisë në BE'. Ai thekson se është e rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, për të finalizuar me sukses procesin. Po ashtu Soreca shkruan se mirëpret edhe propozimet e PD për komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore

"Sot Parlamenti tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara drejt anëtarësimit! Urime deputetëve të forcave politike që votuan sot për zgjatjen e vettingut, një moment historik vendimtar drejt përfundimit të reformës në drejtësi. Kjo ishte një votë për të ardhme ne Shqipërisë në BE. E rëndësishme që organet e vettingut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Mirëpres vendimin e rëndësishëm të marrë nga Kuvendi për propozimet e PD për komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore , në përputhje me rekomandimet e OSBE, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e arritura deri më tani", shkruan Soreca.

Pas diskutimeve, në Kuvend u votua sot shtyrja e afateve të vettingut. Me 118 vota pro Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për të shtyrë deri më 31 dhjetor 2024 mandatin e Komisionit të Pavarur të  Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut) dhe Komisionerit Publik. 118 votat janë arritur falë votave pro të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërkohë që LSI ka abstenuar ndërsa Berisha ndryshe nga ç'kishte premtuar nuk ka marrë fare pjesë në votim bashkë me grupin e tij.

Socialistët u ndihmuan nga votat e deputetëve të Partisë Demokratike të cilët kushtëzuan kartonin jeshil me ngritjen e 2 komisioneve të Posaçme Parlamentare, atë për Reformën Zgjedhore dhe atë për Reformën Administrativo-Territoriale, për të cilat PD ka propozuar edhe ndryshime kushtetuese. Komisionet e reja u votuan respektivisht me 120 dhe 119 vota pro.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:21
Kuvendi votoi zgjatjen e afateve të vettingut, OSBE: Përfundimi i reformës në drejtësi, i një rëndësie kyçe

Delegacioni i OSBE në Tiranë ka përshëndetur votimin në Kuvend për zgjatjen i organeve të vettingut deri në vitin 2024. Me një postim në Twitter, OSBE shkruan se përfundimi i reformës në drejtësi është me rëndësi kyçe, teksa shton se prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret vendimin ndërpartiak të Kuvendit për të zgjatur mandatin e institucioneve të vetingut. Kjo votë njeh faktin që Kushtetuta u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe ne përgëzojmë konvergjencën mes opozitës dhe maxhorancës. Përfundimi i reformës në drejtësi është i një rëndësie kyçe. Është po aq e rëndësishme që të gjitha forcat politike të vijojnë në rrugën e reformës me këtë frymë respekti të ndërsjellë për të mirën e interesit kombëtar. Prezenca e OSBE-së do të vijojë t’u ofrojë mbështetje të plotë institucioneve shqiptare, në bazë të mandatit të saj dhe të bashkëpunimit tonë afatgjatë. Po ashtu, përshëndesim ngritjen e komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë institucionet e Shqipërisë për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në postim.

Ora 19:54
Zgjatja e afateve të vettingut, ambasadori britanik: Angazhim i fortë drejt zbatimit të procesit të reformës në drejtësi

Ambasadori britanik në vendim tonë, Alastair King-Smith ka përshëndetur zgjatjen e afateve të vettingut.

“Mirëpresim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur në zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut. Votimi i sotëm është një angazhim i fortë drejt zbatimit të procesit të reformës në drejtësi dhe një gjyqësori efikas dhe të pavarur”, shkruan ambasada.

Ora 19:50
Zgjatja e afateve të vettingut, KPK: Besimi i publikut, udhërrëfyesi në rrugën drejt garantimit të një sistemi drejtësie të pavarur

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit reagoi pas votimit në Kuvend për zgjatje e afateve të vettingut. Në reagimin e KPK thuhet se ata do të vijojnë me profesionalizëm procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përfundimin e tij.

"Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dëshiron të shprehë falënderim dhe mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Bashkimit Evropian,  Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. KPK falënderon gjithashtu Kuvendin e Shqipërisë për mbështetjen e shprehur edhe njëherë me votë për procesin e vettingut dhe në veçanti për punën dhe angazhimin e Komisionit, duke zgjatur mandatin e tij deri në fund të vitit 2024. Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar dhe ajo  e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë përbëjnë njëkohësisht një përgjegjësi të shtuar për trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të vijuar me të njëjtin përkushtim, profesionalizëm dhe paanshmëri procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përfundimin e tij. Besimi i publikut do të vijojë të jetë udhërrëfyesi i KPK-së në rrugën e nisur drejt garantimit të një sistemi drejtësie të pavarur, të pakorruptuar e sa më të drejtë për qytetarët", shkruhet në reagim.

 

Ora 19:46
Kuvendi miratoi zgjatjen e afateve të vettingut, ambasadori gjerman në Shqipëri: Një votë për të ardhmen në BE

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, ka reaguar për miratimin e afateve të vettingut nga Kuvendi.

“Parlamenti shqiptar ka shprehur sot në mënyrë të qartë vullnetin e tij për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE. Përgëzoj të gjithë deputetët, që votuan për vijimin dhe përmbylljen e procesit të verifikimit të të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, e kësisoj për reformën në drejtësi dhe shtetin ligjor. Përshëndes faktin që pjesë të opozitës parlamentare mundësuan këtë vendim me shumicë të cilësuar, duke e mbështetur atë në mënyrë konstruktive. Kjo është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian“, shkruan ambasada gjermane në Tiranë.

Ora 19:40
Zgjatja e afateve të vettingut, SHBA: Hap i rëndësishëm përpara drejt integrimit europian

Ambasada e SHBA ka përshëndetur miratimin e zgjatjes së afateve të vettingut. Me një postim në Facebook, Ambasada e SHBA e konsideron zgjatjen e afateve të vettingut një hap të rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët, drejt një sistemi drejtësie më të fortë dhe drejt integrimit europian.

"Shtetet e Bashkuara përshëndesin miratimin e zgjatjes së mandatit të vettingut në Parlament. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për të gjithë shqiptarët, drejt një sistemi drejtësie më të fortë, më të besueshëm dhe drejt integrimit evropian. Do ju mbështesim gjithmonë në këtë rrugë të rëndësishme", thuhet në postim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?