Kuvendi voton: Të rekrutohen 
me urgjencë 50 magjistratë të rinj

Kuvendi voton: Të rekrutohen <br />me urgjencë 50 magjistratë të rinj
Ndryshe nga varianti i depozituar në Kuvend me 67 nene, në seancën plenare të 30 gushtit, projektligjit të vetingut i ishin shtuar dhe edhe 4 nene të tjera në fund, të cilët janë vendimtare për afatet të cilat bëjnë të mundur nisjen e procesit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Një nga detajet më pikante, është kërkesa e ligjit, që brenda këtij viti, menjëherë dhe jashtë radhe, Shkolla e Magjistraturës të pranojë me një konkurs ekstra 50 magjistratë të rinj, të cilët duket se janë menjëherë të nevojshëm pas mundësisë që një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të japin dorëheqjen për të shpëtuar nga vetingu.

Kreu IX dhe i fundit i këtij ligji, i titulluar “Dispozitat e fundit”, fillon me nenin 68, “Marrëdhëniet kalimtare mes institucioneve” ku thuhet: “Për efekt të zbatimit të këtij ligji, ngarkohet Shkolla e Magjistraturës të organizojë një konkurs jashtë radhe për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë (të ndarë në prokurorë dhe gjyqtarë), përkatësisht për secilin vit akademik 2016-2017 dhe 2017-2018”.

Por sikundërse Shkolla e Magjistraturës, edhe Kuvendi ka detyra të menjëhershme për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për votimin në Kuvend të anëtarëve që do të kryejnë vetingun. “Byroja  e Kuvendit të Shqipërisë brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji, miraton për sistemin elektronik të votimit: Fondin limit të nevojshëm; termat e referencës për zhvillimin e sistemit elektronik dhe ofrimit të shërbimit si dhe procedurat e nevojshme të prokurimit në përjashtim të rregullave të parashikuara në legjislacionin në fuqi të prokurimit publik. Kuvendi i Shqipërisë, brenda 25 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të garantojë fondet dhe të realizojë procedurat e nevojshme të prokurimit për sistemin elektronik të votimit e parashikuara në nenin 10 të këtij ligji. Secili grup parlamentar cakton ekspertë për të mbikëqyrur ngritjen dhe funksionimin e sistemit elektronik. Ngarkohen organet përgjegjëse për marrjen e masave ligjore dhe administrative për zbatimin e këtij ligji menjëherë pas hyrjes në fuqi”-thuhet në nenin 68 që i është shtuar minutat e fundit ligjit të vetingut të miratuar në 30 gusht.

Kuvendi do të zhvillojë sipas nenit të mësipërm një votim elektronik për zgjedhjen e personave që do të punojnë në institucionet e vetingut, përmes një sistemi të posaçëm elektronik. 10 ditë pasi merr listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, ngre komisionin ad hoc përgatitet për votim të kandidaturave për anëtarë të institucioneve të vetingut. Votimi i fshehtë elektronik u jep mundësinë anëtarit të votojë vetëm për një kandidaturë duke plotësuar kështu Kolegjin e Apelimit me gjashtë gjyqtarë. Më pas procedohet me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit, e po ashtu, edhe dy Komisionerët Publikë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron

Spahiu: Partitë e reja dështojnë sepse, populli voton por Rama-Berisha numëron