- Kryeparlamentari takim me përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë -
TIRANË, 10 Mars /ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të martën përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV), një organizatë jo qeveritare që merret kryesisht me monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilët i parashtruan kryeparlamentarit disa shqetësime lidhur me procesin e ardhshëm zgjedhor.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e kësaj organizate propozuan një Kod Etike nga të gjitha subjektet politike në garë, që do të vihej në përdorim para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të qershorit 2015.
Gjithashtu, në kuadër të rritjes së transparencës, por dhe të rritjes së informimit të publikut për të gjitha subjektet e përfshira në fushatën elektorale dhe përfaqësuesit e tyre, Koalicioni tha se do të propozonte një cikël debatesh mediatike, me qëllim njohjen më të mirë nga publiku të trupës së këshilltarëve vendorë dhe kandidatëve për bashkitë.
KVV ripërsëriti kërkesën për plotësimin e kuotave gjinore të përfaqësimit në këshillat bashkiakë, por dhe tek kandidatët për kryetarë bashkie, si dhe përfaqësimin sa më të mirë të komuniteteve të zgjedhësve në këshillat bashkiakë.
Koalicioni nënvizoi nevojën urgjente për ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, si një domosdoshmëri për vijimin e mëtejshëm të përgatitjeve të procesit zgjedhor, të ndarjes së zonave të administrimit zgjedhor, caktimin e antarëve të KZAZ-ve, e të tjerë.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu vullnetin e fortë politik për plotësimin e të gjitha këtyre shqetësimeve, duke nisur që me miratimin e Kodit të Etikës për zgjedhjet.
Meta theksoi se është shumë e nevojshme që jo vetëm ky Kod për zgjedhjet lokale, por edhe Kodi i Etikës së deputetëve, tashmë i përfunduar edhe me mbështetjen e OSBE/ODIHR-it, të firmoset sa më parë nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend.
"Maxhoranca është e gatshme që një akt të tillë ta bëjë menjëherë", tha zoti Meta. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit e çmoi si shumë të drejtë shqetësimin e Koalicionit për realizimin në një kohë sa më të shpejtë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe konfirmoi se Komisioni i Ligjeve në Kuvend do të mbajë një mbledhje jashtë rradhe për këtë çështje, që këtë javë.
I pranishëm në takim, kryetari i këtij Komisioni, Fatmir Xhafaj tha se bëhet fjalë vetëm për ndryshime teknike të Kodit Zgjedhor dhe se pengesa e vetme deri në këtë moment, me gjithë përpjekjet e maxhorancës për vijimin normal të procedurës, ka qenë vullneti i munguar politik i opozitës për t'u përfshirë në këtë proces./a.s//m.m/