Qytetarët e Tiranës paguajnë 71 mijë euro në ditë për pastrimin qytetit, por djegiet nuk bëhen. Kështu tha i ftuar në emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, Belind Këlliçi, deputet në grupin e Berishës, i cili tha se inceneratori i Tiranës ka marrë 40 mln euro për një vepër që nuk ekziston.

'Në Tiranë paguajnë qytetarët për incenerimin fiktivisht të plehrave. Ka dy vite që është ngritur inceneratori, ne i paguajmë 12 mln euro ekstra. Qytetarët paguajnë 71 mijë euro në ditë, 85 mln lekë në ditë për të pastruar qytetit, ricikluar dhe djegur, por djegiet nuk bëhen. Ka një pretendim absurd për shkak se nuk kanë pasur leje ndërtimi për të filluar punimet. Kanë punuar me një deklaratë paraprake, por nuk e njeh ligji. Ne nuk na ofrohet asnjë shërbim landfill, kemi pasur landfill. Ndryshimi është në faturë, është dyfishuar fatura e pastrimit të qytetit të Tiranës. Paguajnë 71 mijë euro në ditë pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit të Tiranë. Aty ku duhet trajtoheshin 700 tonë në ditë, ishin vetëm dy kazanë plehrash. Vetëm inceneratori i Tiranës ka marrë 40 mln euro për një vepër që nuk ekziston. Ka marrë 10 mln euro në vit nga bashkia e Tiranës.'- tha Këlliçi.

Duke u ndalur tek Komisioni Hetimor për Inceneratorët, Këlliçi tha se për të dëshmuar, me datën 22 do të paraqitet kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndërsa me datën 23 ose 24 pritet që të shkojë kryeministri Edi Rama.

'Veliaj ka konfirmuar se me datën 22, Rama ka lenë hapur 23-24 uroj të vij dhe Ahmetaj për të dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me informacion që kanë pasur dhe dinë për këtë aferë.'- tha Këlliçi