'Këndi i ekspertit', Gjergji Begaj: Si zgjidhet problemi i mbivendosjes së pronave

'Këndi i ekspertit', Gjergji Begaj: Si zgjidhet problemi i mbivendosjes së pronave

Këndi i ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në këtë puntatë ka qenë eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj. Veç pyetje live të qytetarëve për problematikat e tyre, eksperti Begaj ka sqaruar në mënyrë të detajuar rrugën që duhet të ndjekin qytetarët për të zgjidhur problemin e mbivendosjeve të pronave të tyre në hartat zyrtare.

Fenomeni i mbivendosjes së pronave si duhet zgjidhur për të shmangur rrugët gjyqësore? Çfarë roli luan administrata?

Kjo është një temë shumë e nxehtë dhe e prekshme pothuajse çdo ditë. Ne që punojmë në studio, në sistemin hartografik sepse mbivendosjet krijohen te hartat, pra normalisht te sektori hartografik. Zanafillën e ka që nga zbatimi i Ligjit nr. 7501, d.m.th. në vitin 1991, për sa u përket pronave në fshat dhe në qytet me funksionin e Komisionit të Kthimit të Pronave, në vitin 1993, kur filloi kthimi i pronave brenda në qytet dhe trojet në zonat periferike të qyteteve. Në atë kohë është punuar me harta analitike ose është punuar me metodat e vjetra. Diku matjet janë kryer me metër shirit, me instrumentet e asaj kohe që janë përdorur ndërsa sot kjo ka ndryshuar. Është futur teknologjia dhe normalisht që gabimi minimizohet. Para një dekade, Komuniteti Evropian së bashku me Bankën Botërore i akorduan një fond të veçantë Ministrisë së Drejtësisë dhe hipotekave për të futur zonat në sistem. U zhvilluan edhe disa tendera, që kompani të huaja dhe shqiptare morën përsipër që të merren me sistemimin e hartave në zona të ndryshme. Kjo filloi me qytetet kryesore, pra me Tiranën, me Durrësin etj., ku janë futur një pjesë e zonave të qytetit normalisht, por edhe ato nuk u përfunduan me sukses, d.m.th. nuk u çuan deri në fund ose edhe ato mbartin gabime.

Në rast se kanë probleme, si mund t’i zgjidhim ato qytetarët, pa kaluar në rrugë gjyqësore?

Ky është fenomen që ka ndodhur dhe normalisht që kërkohet zgjidhja. Kjo është thelbësorja. Në fakt po punohet me futjen e zonave në sistem, sidomos në qytet ku është më e lehtë, por edhe në fshatra ku ka vepruar Ligji nr. 7501 dhe është më problematik. Megjithatë, në pjesën më të madhe, është duke u punuar edhe në Tiranë edhe në rrethet e tjera nga kompani private që kanë marrë përsipër futjen në sistem të zonave dhe normalisht që ka raste që zgjidhen duke shmangur konfliktet dhe gjykatat. Kjo është një gjë e mirë sepse për të zgjidhur një mbivendosje prone procedura zgjat me vite. Këtë çështje do ta zgjidhë shumë mirë futja në sistem e pronave, që do të dhotë që, çdo pronë do të shkojë në vendin e vet sipas pozicionit hartografik që ka në terren, të shoqëruar edhe me ortofoto edhe me koordinatat e sakta.

Dua të jap një shembull. Kam udhëtuar në një nga vendet e Afrikës për projekte të ndryshme dhe kam asistuar në një hipotekë. Ata e kishin zgjidhur shumë mirë me sistemin francez. Kanë avancuar për sa i përket futjes së zonave në sistem. Ajo gjë që unë vura re atje dhe që u bëj thirrje edhe hipotekave tona, është që në fund të kuadratit të hartës vendoseshin koordinatat e çdo pike të pronës, d.m.th. në qoftë se prona sistemohet dhe vendoset me koordinata nuk ështëe nevojshme që të ketë probleme me kufitarin, pasi topografi shkon dhe me anën e koordinatave, me GPS, i vendos këto në vendin e duhur. Ky sistem është shumë i saktë dhe është një shembull i mirë për ta sjellë edhe në Shqipëri.

Flas nga Kuçova. Me Ligjin nr. 7501 kam marrë një tokë. Fillimisht tapia ka qenë në emrin e babait tim dhe me një akt trashëgimie unë e kam kaluar në emrin tim. Më del diku një emër, në vitin 1991, që nuk ka banuar asnjë ditë me mua. Tokën nuk po mundem që t’ua ndaj fëmijëve. Si mund të veproj?

Zotëria është furnizuar me tokë me Ligjin nr. 7501 dhe në atë kohë kryefamiljar ka qenë babai i zotërisë, i cili sot nuk jeton më. Normalisht që është bërë akti i trashëgimisë dhe trashëgimtarët e radhës së parë që janë fëmijët, janë përfitues të sipërfaqes së tokës. Fëmijët e tjerë, apo vëllezërit dhe motrat e zotërisë, mund të marrin pjesën e babait, e cila shpërndahet. Ndërsa pjesa tjetër do të shkojë te familjarët që kanë qenë anëtarë në gjendjen familjare në vitin 1991. Në qoftë se zotëria, bashkë me fëmijët dhe me bashkëshorten ka qenë pjesë e certifikatës familjare, është përfitues direkt i kësaj toke. Por merr edhe një pjesë nga babai. Për sa i përket fenomenit që tha zotëria, për një person tjetër që i del në aktin e trashëgimisë, nuk e kuptoj se si mund të jetë futur një person në aktin e trashëgimisë së familjes së zotërisë. Kjo është e çuditshme, por edhe ndodh sepse familjet e mëdha fusnin brenda tyre edhe nipin apo xhaxhallarë etj. Por gjithnjë origjina është certifikata e vitit 1991. Duhet të shihet se cilët emra kanë qenë të regjistruar në atë kohë. Këta emra janë përfitues direkt të kësaj prone. Dhe çështjen e trashëgimtarit që përmend zotëria, normalisht që duhet ta zgjidhë me rrugë gjyqësore sepse nuk ka marrëveshje përderisa ka hyrë në aktin e trashëgimisë.

Flas nga rrethi i Kurbinit, qarku Lezhë. Kam 5 vite që kam bërë letrat për legalizimin e një objekti që është në pronën time, me certifikatë e me të gjitha dokumentet. Më kërkojnë lekë për të matur pronën që të më japin pastaj dokumentet sipas ligjit. Më thonë që do të vijnë dhe nuk kanë ardhur.

Ka shumë raste abuzimesh të kësaj natyre. Qytetari e ka shumë të lehtë procedurën sepse objekti është në pronën e tij dhe thjesht duhen bërë matjet nga topografët ose inxhinierët që shkojnë në terren. Duhet të paguajë një tarifë standarde për infrastrukturën pranë ALUIZNI-t, por jo pagesa të tjera siç thotë ai që i kanë kërkuar. Qytetarët duhet t’u drejtohen institucioneve me shkresa zyrtare, në mënyrë që edhe përgjigjet t’i marrin po në rrugë zyrtare, me shkresë. Këto shkresa protokollohen dhe qytetarët duhet t’i ruajnë. Me këto shkresa pastaj, qytetarët nëse nuk marrin përgjigjet e duhura, mund t’u drejtohen titullarëve dhe mund të bëjnë edhe denoncime pranë Prokurorisë dhe gjykatave. Dhe normalisht që do ta gjejnë zgjidhjen. Por shumë qytetarë nuk ndjekin rrugët zyrtare por mjaftohen me komunikime verbale. Nëse përgjigjet kërkohen me shkresa zyrtare, punonjësit e administratës shtetërore që i firmosin këto shkresa mbajnë përgjegjësi të plotë, edhe penale, për përgjigjen që kanë dhënë. Në rastin e zotërisë meqenëse ai ka një objekt në pronën e vet dhe është në rregull me të gjitha kriteret, nuk ka arsye që t’i vonohet procedura, përveç rastit kur i është caktuar një radhë dhe duhet të presë. Në rast se qytetari po sorollatet, atëherë ai duhet të bëjë denoncim. Por gjithnjë duhet të ketë shkresat zyrtare, të vërtetojë me fakte pretendimet e tij.

Në rastin konkret, zotëria duhet të formulojë një shkresë te juristi, dhe t’ia drejtojë ALUIZNI-t, të cilit t’i kërkojë përshpejtimin e procedurës pasi ai ndodhet në pronën e tij. Të kërkojë që hartografët të shkojnë në terren dhe të bëjnë verifikimin. Pastaj do tëpresë përgjigjen po në rrugë zyrtare. Duhet t’i drejtohet titullarit në zyrat qendrore të ALUIZNI-t, zotit Artan Lame. Besoj se do ta gjejë zgjidhjen shumë shpejt.

Flas nga Tirana. Unë kam një tokë arë, të trashëguar, në një fshat të Tiranës. Nga komuna, me dëshmitarë më është dhënë si toka ime dhe që në fillim i paraqita dokumentet për ta marrë. Jam munduar ta marr me gjyq. Shkallën e parë të gjyqit e fitova, ndërsa apeli ma rrëzoi. Tani çështjen e kam në Gjykatën e Lartë. Ka dalë një vendim i Këshillit të Ministrave që pronat e lira duhet të jepen pa gjyq, mirëpo unë nuk kam aplikuar në vitin 2016, kështu që nuk ma japin për këtë arsye dhe më duhet të vazhdoj rrugën gjyqësore. Mirëpo tani Gjykata e Lartë nuk po funksionon dhe ka dalë vendimi që tokat e lira duhet të merren pa gjyq.

Të jemi realistë. Zotëria është produkt i Komisionit të Kthimit të Pronave sepse nuk ka lidhje me Ligjin nr. 7501. Në vitin 2016, me të drejtë, u hap një dritë jeshile për të gjithë ata që nuk ishin regjistruar, që të regjistroheshin pranë Komisionit të Kthimit të Pronave, për të gjetur pronat e lira, si zotëria. Zotëria nuk e ka arritur afatin ligjor dhe normalisht që tani duhet të vazhdojë rrugën gjyqësore, për të zënë afatin që të fusë dosjen për marrjen e kësaj prone. Zotëria patjetër duhet të paraqesë prova për këtë pronë, në mënyrë që të arrijë të fusë dosjen pranë Komisionit të Kthimit të Pronave, që të përfitojë kompensimin fizik të pronës. Do të ketë vonesa sepse Gjykata e Lartë nuk po funksionon për shkak të Vetting-ut, por normalisht që do të funksionojë.

Nëse zotëria e ka pronën të lirë, aty ku ajo ndodhet, dhe ka një dokument të vjetër të babait ose të gjyshit, të siguruar në një nga arkivat e shtetit, në një farë mënyre duhet ta marrë pronën. Ka një rrugë për ta marrë dhe ajo do të gjendet.

Kam një pronë që e kam blerë në vitin 1992. Kam blerë edhe truallin edhe tokën nga shteti. I kam të gjitha dokumentet, edhe mandatin e arkëtimit. Ndodhet në zonën nr. 6, në Kombinat. Nuk më jepet vendimi i pronësisë nga hipoteka. Kam aplikuar në hipotekë dhe përgjigjja është se ligji për të privatizuar trojet ka dalë në vitin 1995 e më pas. Për këtë arsye nuk e japin vendimin e pronësisë.

Unë të mirëpres në studion time bashkë me dosjen e dokumenteve që ju keni, për të bërë sqarimet e duhura. Në atë kohë janë bërë shitje trojesh, por është përcaktuar një afat kohor dhe nëse zotëria e ka kaluar këtë afat, nuk e ka arritur, do t’i duhet të shkojë pranë Ministrisë së Privatizimeve, ku blihen trojet, te Ministria e Financave ose pranë Komisionit të Kthimit të Pronave, ku ka një sektor që merret me këto çështje.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja