Këndi i Ekspertit/ Si bëhet transferimi i pensioneve, procedurat dhe dokumentet që duhen

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë fillimisht për transferimin e pensioneve. Profesor Kepi ka sqaruar se çfarë është transferimi i pensioneve dhe se çfarë ndodh në rast se ne transferojmë pensionin nga njëri Qark në tjetrin. Gjithashtu ai ka folur rreth dokumentacionit që duhet si dhe nëse është e mundshme transferimi i pensionit jashtë vendit. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për transferimin e pensioneve. Çfarë është transferimi i pensioneve? Çfarë ndodh në rast se ne transferojmë pensionin nga njëri Qark në tjetrin? Cili është dokumentacioni që duhet? Po jashtë vendit?

Sipas legjislacionit të Sigurimeve Shoqërore, i cili ka 610 faqe, në faqen 361 të Rregullores për transferimin e pensioneve dhe për caktimin e pensioneve, të miratuar nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kryetar i të cilit është gjithmonë ministri i Financave, është parashikuar që pensionistët kanë të drejtë që, pasi kanë dalë në pension, ta transferojnë pensionin e tyre në vendbanimin e ri, nga njëra lagje në një tjetër apo nga njëri qytet në një tjetër. Pra, është e drejta e pensionistit, sa herë që ai ta shikojë të arsyeshme.

Çfarë procedure ndiqet?

Në radhë të parë, pensionisti duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të ri.

Çfarë dokumentesh duhet të paraqesë?

Së pari, duhet që të paraqesë një vërtetim, pra një dokument në të cilin shënohet adresa e saktë e vendbanimit të pensionistit. Gjithashtu duhet të paraqesë fotokopjen e kartës së identitetit, fotokopjen e librezës së pensionit, certifikatën e gjendjes familjare, vërtetime nga shkollat ku studiojnë fëmijët, si edhe librezën ku shënohen pagesat e energjisë elektrike dhe kontratën e energjisë elektrike. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, pasi i merr këto dokumente, ia paraqet Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të ri të pensionistit. Nuk mund të bëhet transferimi i pensionit pa marrë një muaj pension në vendbanimin e vjetër të pensionistit. Në dosjen e pensionit që dërgon DrejtoriaRajonale e Sigurimeve Shoqërore e vendbanimit të vjetër shënohet data e saktë se kur pensionit ka marrë pensionin e tij të fundit. Pensionistët mund të shkojnë vetë personalisht, çdo muaj për të tërhequr pensionin e tyre në zyrën e caktuar të Postës Shqiptare ose në bankë. Por ata, për një arsye të caktuar, munden që të autorizojnë edhe një person tjetër për të tërhequr pensionin e tyre. Ata gjithashtu munden edhe të autorizojnë Sigurimet Shoqërore që pensioni i tyre të depozitohet në bankë. Pra, ka disa mënyra për tërheqjen e pensionit. Unë u rekomandoj pensionistëve që, nëse kanë mundësi, të mos e transferojnë pensionin e tyre. Këtë ua them sepse transferimi i pensioneve ka procedurën e tij me disa hallka, gjatë së cilës mund të ndodhin, siç kanë ndodhur shpesh, mjaft ngatërresa, sidomos për ata pensionistë që kanë banuar në zona rurale dhe transferohen në qytet. Drejtoria Rajonale e vendbanimit të ri të pensionistit, sipas legjislacionit në fuqi të Sigurimeve Shoqërore, duhet që ta shikojë me shumë imtësi dosjen e pensionistit që transferohet. Dhe probleme të ndryshme kanë ndodhur dhe ndodhin qoftë edhe vetëm për një germë. Për shkak të këtyre verifikimeve dosjet e pensionit vonohen dhe pensionistët duhet të presin gjatë për të tërhequr pensionin.

Flas nga Vlora. Kam 6 vite që kam dalë në pension. Kam mbaruar arsimin e lartë dhe kam punuar 28 vite. Ndërsa për 7 vite të tjera kam paguar kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore prej 4 milionë lekësh. Pensioni më ka dalë 115 mijë lekë të vjetër në muaj dhe nuk më duket e drejtë kjo shifër.

Zonja ka dalë në pension para 6 viteve, pra në vitin 2013. Për 7 vitet e fundit ka paguar kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore. Kontributi vullnetar i sigurimeve shoqërore paguhet mbi bazën e pagës mujore minimale, e e cila para 6 viteve ka qenë 22 mijë letë të rinj në muaj. Sipas nenit 32 të Ligjit për Sigurimet Shoqërore, deri në fund të vitit 2014, pensioni llogaritur në këtë mënyrë: me pagë më të mirë të 3 viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Zonja 7 vitet e fundit i ka pasur me pagë mujore minimale. Në qoftë se zonja, për këto 7 vite, do të kishte paguar kontributin mesatar ose maksimal të sigurimeve shoqërore, atëherë pensioni do t’i dilte më i lartë. Por, për t’u sqaruar më hollësisht, zonja le t’i bëjë një ankesë me shkrim komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Vlorë. Ankesa duhet të bëhet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore. Përgjigjja nga kjo drejtori duhet të jetë zyrtare, me shkrim. Nëse zonja përsëri nuk do të bindet nga përgjigjja që do të marrë, atëherë ka të drejtë që t’i bëjë ankesë me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë

Burri im ka dalë në pension në vitin 2009. Ka punuar 45 vite, edhe në kooperativë bujqësore, edhe në punë shtetërore. 5 vite pune nuk i janë njohur. Në librezën e pensionit i është shkruar: pension i pjesshëm. Tani banojmë në Tiranë, por në pension ka dalë në Fier dhe tani pensionin e ka transferuar në Tiranë.

Unë i sugjeroj bashkëshortit të zonjës që t’i drejtojë një ankesë me shkrim komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Për të bërë këtë ankesë, ai duhet të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore që ndodhet në rrugën “Myslym Shyri”, ose në Shkollën e Bashkuar, ose në Kombinat. Sigurisht që përgjigjen nga ky komision, zotëri do ta marrë me shkrim, pra përgjigje zyrtare. Në qoftë se edhe me përgjigjen e komisionit të ankimit, zotëria do të jetë përsëri i paqartë, atëherë ka të drejtën që, sërish, t’i drejtojë një ankesë me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit, i cili ndodhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në Tiranë.

Jam një pensionist minator, i vitit 2014. Kam punuar 14 vite nën tokë. Tani është hartuar një projektligj për rritjen e pensionit. Ne kemi kërkuar statusin e minatorit. A do të përfitojmë ndonjë rritje pensioni?

Është e vërtetë ajo që tha zotëria, sepse është thënë edhe nga media e shkruar dhe elektronike. Kohët e fundit, Këshilli i Ministrave ka përgatitur një projektligj dhe ia ka dërguar për miratim Parlamentit. Titulli i këtij projektligji është ky: “Për pensionet suplementare të 23.400 pensionistëve në shkallë vendi”. Sigurisht që këta nuk janë të gjithë minatorë të nëntokës. Por, pjesa më e madhe e tyre janë minatorë të nëntokës. Ka gjithashtu edhe 7.000 naftëtarë dhe 2.500 persona të tjerë që kanë punuar në metalurgji. Parashikohet që, që nga dita që ky projektligj do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare, pra kur ligji do të hyjë në fuqi, çdo minator i nëntokës, do të marrë 1% shtesë pensioni për çdo vit që ka punuar nën tokë. Pra zotëria ka punuar 14 vite nën tokë, kështu që do të marrë 14% të vlerës së pensionit shtesë. Por tani duhet pritur që ligji të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, sepse mund të pësojë edhe ndryshime, dhe pastaj të miratohet në Fletoren Zyrtare, pastaj mund t’i bëjmë llogaritë konkretisht dhe më të sakta. Për sa u përket naftëtarëve, të cilët janë 7.000 persona, si edhe për metalurgët që janë rreth 2.300 veta, pensioni i tyre suplementar nuk është 1% shtesë e pensionit për çdo vit pune, por është 0,6% shtesë për çdo vit pune që kanë punuar në naftë, pavarësisht nga gjinia, dhe 0,6% shtesë për çdo vit pune, për të gjithë ata që kanë punuar në metalurgji. Këto përqindje shtesë janë shënuar në projektligj, por siç e thashë, ky projektligj mund të pësojë ndryshime gjatë diskutimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe këto përqindje mund të ndryshojnë. Kështu që duhet pritur miratimi i tij nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pastaj botimi në Fletoren Zyrtare. Vetëm atëherë mund të bëjmë llogaritje të sakta.

Flas nga Tirana. Kam statusin e të verbërit. Kam paguar kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore për 7 vite. Kam kërkuar që të paraqitem në KMCAP sepse i kam operuar përsëri sytë. Përgjigjja që më dhanë ishte që nuk më takonte pension invaliditeti sepse nuk kisha paguar sigurimet shoqërore.

Zonja duhet që të shkojë në spital dhe të marrë një epikrizë ku shënohet diagnoza nga e cila ajo vuan. Spitali ka të drejtën që të propozojë, por jo të vendosë, paraqitjen e zonjës para KMCAP-it të Tiranës, i cili ndodhet në rrugën “Myslym Shyri”. Ky komision përbëhet nga mjekët më të mirë specialistë për diagnoza të ndryshme. Por paraqitja në KMCAP nuk është me dëshirë, jo çdo person mund të paraqitet atje. Specialistët e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës do ta dërgojnë zonjën në KMCAP. Zonja duhet të paraqesë dokumentet: karta e identitetit, libreza e punës, diagnoza e parashtruar nga spitali. KMCAP-i do t’i japë një përgjigje zyrtare zonjës. Nëse zonja nuk do të bindet nga përgjigjja që do të marrë, atëherë ka të drejtë që të paraqesë një kërkesë tjetër, sërish te KMCAP-i i Tiranës në rrugën “Myslym Shyri”, të drejtuar KMCAP-it Epror, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në “Rrugën e Durrësi”. Ky komision përbëhet nga mjekë të tjerë specialistë, nga më të mirët.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Myvela Dervishaj: 24/11/2021 07:40

    Pershendetje atdhetar ! Ju pershendes nga Amerika ! Ju lutem :pyes,a mundet vajza ime e cila banon ne Tirane,te treheqe pensionin tim ne Fier? Cfare kerkoeht ne kete rast ,si mund te me ndihmoni?Cfare dokumente duhen per mua dhe per vajzen ? Jam ne pritje ! Me respekt Myvela Dervishaj !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat