Këshilli i Investimeve u mblodh sot në Tiranë për të diskutuar mbi sigurinë juridike të pronës në Shqipëri, që sipas Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe njëkohësisht Kryetare e Këshillit të Investimeve, Delina Ibrahimaj, mbetet ndër më të rëndësishmet për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për forcimin e klimës së investimeve.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj vuri në dukje rëndësinë e reformat e ndërmarra në digjitalizimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike, por shtoi se reforma për sigurinë e pronës kërkon një qasje të integruar, pasi ndikon në sektorë kyç të ekonomisë, përfshirë bujqësinë, agrobiznesin, turizmin, ndërtimin dhe investimet strategjike. Ajo nënvizoi progresin e arritur në regjistrimin e pronave dhe digjitalizimin e të dhënave, duke përmendur përpjekjet e vazhdueshme të kadastrës për modernizimin e shërbimeve.

Megjithatë, sipas ministres, mbeten ende sfida konkrete që kërkojnë adresim. Reformat në kuadrin ligjor dhe Agjendën e Rritjes synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e një sistemi të besueshëm dhe funksional në praktikë.

Gjatë mbledhjes, ajo vuri gjithashtu theksin tek forcimi i qëndrueshmërisë institucionale të Këshillit të Investimeve, me qëllim ndërtimin e strukturave që mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe afatgjatë. Po shqyrtohet mundësia e bashkimit të disa këshillave të biznesit në një strukturë të përbashkët për rritjen e efektivitetit dhe koordinimit.

Ibrahimaj theksoi se Këshilli i Investimeve mbetet një nga strukturat më profesionale dhe funksionale, dhe synimi është zgjerimi i rolit të tij si një platformë e rëndësishme konsultimi ku biznesi dhe qeveria bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë në hartimin e politikave dhe rekomandimeve. U theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të kapaciteteve analitike dhe ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve të dhëna.

Në përmbyllje, ministrja theksoi se reforma e pronës ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e besimit të sipërmarrjes, duke nënvizuar rëndësinë e përkthimit të saj në rezultate konkrete për qytetarët dhe biznesin.

Ibrahimaj gjithashtu vuri theksin tek vizioni i qeverisë shqiptare për ngritjen e një administrate moderne dhe dixhitalizuar, duke theksuar se mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online, me fokus të veçantë në lehtësimin e shërbimeve për sipërmarrjen.

Për këtë arsye, çdo akt që kalon në Këshillin e Ministrave do të shoqërohet me një analizë të qartë mbi ndikimin e tij në rregullimin, mbirregullimin apo deregulimin e shërbimeve.