KURBIN - Nuk e kanë lënë as dy ditë të shijojë lirinë, pas një viti burg. Kur ka menduar se një plagosje e ka larë me një vit qëndrimi në qelitë e Shënkollit në Lezhë, ka ndodhur e kundërta.

Besar Ndreu është qëlluar dje për vdekje me breshëri automatiku, mbrëmjen e djeshme.

Ndreu, 25 vjeç, ka qenë duke qëndruar në këmbë me një prej miqve të tij, Klentin Bajraktari, kur një person, i njohur i tyre, është afruar dhe ka nxjerrë nga poshtë xhupit, një automatik kallashnikov, me të cilin ka hapur zjarr me breshëri.

I vdekur në vend, sipas policisë, ka mbetur 25-vjeçari Besar Ndreu, ndërsa në gjëndje të rëndë, është dërguar në spitalin e Kurbinit, më pas në atë Ushtarak në Tiranë, 21-vjeçari Bajraktari.

Menjëherë në lagjen numër 6 të Laçit, kanë mbërritur dhejtra forca policie, si dhe specialët e FNSH-së, të cilët kanë rrethuar zonën, si dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili sipas dëshmitarëve, ishte nisur për në shpatin mbi qytet.

Ndërsa ekspertët e policisë dhe prokurori merrnin në vendngjarje provat e mundshme, si dhe gëzhojat e automatikut, dhjetra efektivë të tjerë janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ishte idenfitikuar nga dëshmitë e personave që ndodheshin pranë dhe që e kanë parë ngjarjen.

Pas afro një ore nga ngjarja, Drejtoria e Policisë së Lezhës, e cila ka nën juridiksion Kurbinin, ka njoftuar se, është vënë në pranga Robert Tucin, 25 vjeç, i cili ishte nisur drejt Kishës së Shna Ndout, siç duhet për t’u fshehur, apo për t’u lutur.

Po ashtu, i është sekuestruar edhe automatiku. Menjëherë pas dërgimit në polici, ai ka pranuar ngjarjen, si dhe motivin e hakmarrjes.

HAKMARRJA FLAKE PER FLAKE

Hakmarrja “flakë më flakë”, sipas burime policore nga Kurbini, zë fill në një ngjarje të ndodhur 13 muaj më parë. Më 14 mars 2012, Besar Ndreu, viktima e djeshme, ka plagosur me pistoletë shokun e tij, 22-vjeçarin Saimir Tuci.

Konflikti ndodhi pas një sherri banal në një lokal në Qafen e Pazarit, në Sanxhak të Laçit. Menjëherë ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 1 vit burg.

48 ORE ME PARE U LIRUA NGA BURGU

Mesditën e të shtunës së kaluar, në orën 14.30, ai ka mbaruar dënimin dhe ka lënë burgun e Shënkollit. Ndërsa kishte nisur të shijonte lirinë, nuk e kishte menduar se do të vritej, as më pak, nga një kusheri i atij që e kishte plagsur. Sipas policisë, dje në mbrëmje, Robert Tuci, djali i xhaxhait të Saimit Tucit, të plagosurit të vjetshëm, kishte pritur që të shihte të sapoliruarin nga burgu. Dhe, pikërisht kur ka qenë duke e pritur pranë shkollës 9-vjeçare, “gjahu” ka mbërritur. Besar Ndreu është afruar së bashku me shokun e tij, duke ecur në këmbë dhe paoritur kanë rënë në breshërinë e plumbave të të riut.

Redaksia Online
(s.g/shqiptarja.com)