Laçi frenon edhe Tiranën, Karabeci
 shpëton bardheblutë nga humbja

Laçi frenon edhe Tiranën, Karabeci<br /> shpëton bardheblutë nga humbja
Laçi vijon të mbetet “kockë” e fortë për Tiranën, por edhe për ekipet e kryeqytetit. Ashtu si në javën e parë ndaj Partizanit, kurbinasit shënojnë të parët. Xhejms nuk e pati të vështirë në pjesën e parë përballë portierit Frashëri. Tirana bën më shumë volum loje, por nuk ka qenë ajo e Pukës, ndoshta edhe për faktin se Laçi ia ka bërë shumë të vështirë. Ka pasur edhe kartonë të verdhë, madje dhe të kuq, ku skuadrat e mbyllën takimin me nga 10 vetë.

Pikërisht në fundin e takimit ka ardhur edhe shpëtimi për bardheblutë. Kur u mendua se Laçi mori fitoren e parë, Karabeci shënon me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone. Nëse do të kishte pasur më shumë kohë, ndoshta edhe mund ta kishte përmbysur rezultatin Tirana. Të besuarit e Shkëlqim Muçës ngjiten në kuotën e 4 pikëve, kundrejt 2 të Laçit. Tirana në javën e tretë Bylisin në “Selman Stermasi” dhe ka mundësi për një tjetër trepikësh.

Pjesa e parë – Tirana në 10 minutat e para duket e vendosur mirë dhe krijon rastet e parë, ndërsa Laçi është shumë konfuz dhe nuk arrin të organizojë një aksion. Por më pas kurbinasit futen gradualisht në lojë dhe marrin dy goditje këndi rresht, por pa rezultat. Ritmi nuk është shumë i lartë dhe ka vetëm aksione sporadike, me Tiranën që sheh më shumë nga porta e Laçit. Por kur mendohej të shënonin bardheblutë, ndodh e kundërta. Mitraj jep një asist për Xhejms, që futet bukur në zonë dhe i vetëm për portierit Frashëri shënon, 1-0 për Laçin. Më pas ka vetëm një skuadër në fushë, Tirana, teksa krijon 3 raste për shënim, por 45 minutat e para mbyllen me avantazhin e Laçit.

Pjesa e dytë – Bardheblutë hyjnë të vendosur për të shënuar, por ritmi i sulmeve nuk është i duhuri dhe, për pasojë, rastet janë sporadike. Ndërkohë, edhe kurbinasit shkatërrojnë lojën e Tiranës, shpesh edhe me ndërhyrje të parregullta. Lika dhe Fukui nuk janë ata të ndeshjes së parë në Pukë. Kapiteni i Laçit, Veliaj, ndëshkohet me karton të verdhë, që rezulton i dyti dhe lë ekipin me 10 vetë. Por as me epërsi numerike Tirana nuk arrin të çajë kurbinasit, edhe pse ushtron presion. Por atëherë kur pritej që ndeshja të mbaronte me fitoren e Laçit, Karabeci nxjerr një “perlë”, teksa me një gjuajtje nga jashtë zone shtang portierin e ri Selmani, topi prek traversën dhe përfundon në rrjetë, 1-1 në minutën e 93-të. Fukui merr kartonin e dytë të verdhë në fundin e ndeshjes. Nuk ka më lojë dhe ndeshja përfundon në barazim. Ka pak tension nga pas përfundimit të takimit, teksa portieri Frashëri përplaset me stolin kurbinas, por ndërhyn policia dhe shmang konfrontimet.

“Fanatics” – Edhe njëherë tjetër grupimi i tifozëve të Tiranës, “Fanatics” ka treguar se kudo e ndjek skuadrën, sidomos në transfertë. Kanë qenë rreth 500 tifozë të tillë në Krujë, por para se të hynin në stadiumin “Kastrioti”, ata janë penguar që të hynin të gjithë, pasi sipas rregullores, vetëm 5% e kapacitetit të stadiumit mund të ishin prezentë. Gjithsesi, numri ka qenë më i madh se 250 vetë që duhej të futeshin. “Fanatics” e ka mbështetur ekipin edhe kur Tirana ka pësuar gol. Por edhe kurbinasit janë dëgjuar me thirrjet e tyre pro Laçit.

 

KATEGORIA SUPERIORE, JAVA 2

 

Laçi – Tirana       1-1

Shënues: Xhejms 30’ / Karabeci 93’ 

Laçi: Selmani, Doku, Sheta, Buljan, Çela, Meto Gocaj, Veliaj, Sefgjini, Mitraj (Nimani 87’), Xhejms (Bardhi 75’).

Trajner: Armando Cungu

 

Tirana: Frashëri, Smajli, Bulku (Hoxhallari 77’), Muça, Gërçaliu, Lika (Kërçiku 69’), Teqja, Karabeci, Fukui, Vucaj, Gilberto.

Trajner: Shkëlqim Muça

 

Kartonë të verdhë: Doku 21’, Veliaj 32’, 77’, Sefgjini 52’ / Gërxhaliu 32’, Teqja 64’, Fukui 66’, 94’, Kërçiku 77’

Karton i kuq: Veliaj 77’ / Fukui 94’

Gjyqtarë: Andi Koçi, Fatmir Lamaj, Erion Vela

Stadiumi: “Kastrioti”, Krujë

 

Java e 2-të e Superiores

Partizani – Flamurtari    2-1

Laci – Tirana        1-1

Teuta – Vllaznia   sot 20 :00 (Durrës)

Skënderbeu – Kukësi     sot 20 :00 (Korçë)

Bylis – Tërbuni    nesër 17 :00 (Gjirokastër)

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Skandali/ Tifozët e Çekisë përdhosin simbolet e Shqipërisë, kore raciste dhe shpalosin flamurin serb! Reagon FSHF: Akte të turpshme! Do ankohemi në UEFA

Skandali/ Tifozët e Çekisë përdhosin simbolet e Shqipërisë, kore raciste dhe shpalosin flamurin serb! Reagon FSHF: Akte të turpshme! Do ankohemi në UEFA