Pesë persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, janë arrestuar gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në Latina të Italisë, ku autoritetet sekuestruan rreth 28 kilogramë kokainë.
Operacioni çoi në zbulimin e një laboratori të mirëfilltë për përpunimin e kokainës, të ngritur brenda një vile. Aksioni nisi me kontrollin e një banese në rrugën Pennacchi, ku karabinierët gjetën 18 pako me rreth 18.2 kilogramë kokainë, 8 810 euro para në dorë, një makinë për numërimin e kartëmonedhave, dy ora luksoze, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, gjashtë telefona celularë, një kompjuter portativ, shënime me llogaritë e aktivitetit kriminal, si dhe një pistoletë me ajër të kompresuar, një shkop teleskopik dhe një pajisje elektroshoku.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme në ambientet e jashtme të pronës, efektivët zbuluan, të fshehur mes bimësisë së dendur, laboratorin e përpunimit të kokainës. Brenda tij u gjetën pajisje për rafinimin dhe paketimin e lëndës narkotike, përfshirë peshore, sita, furra me mikrovalë, makina paketimi me vakum dhe presa të përdorura për përgatitjen e pakove individuale.
Në laborator u sekuestruan gjithashtu dy kova plastike me përkatësisht 4.8 dhe 4 kilogramë kokainë në proces rafinimi, një sasi e konsiderueshme substancash përzierëse, 27 thasë me pelet, secili me peshë 15 kilogramë, që dyshohet se përmbanin lëndë narkotike në proces përpunimi, si dhe enë me tretës kimikë, sita për nxjerrjen e drogës nga peleti dhe mbetje nga përpunime të mëparshme.
Paratë, sendet me vlerë dhe droga e paketuar u sekuestruan menjëherë, ndërsa zona ku ishte ngritur laboratori u izolua dhe iu nënshtrua ekspertizës nga specialistët e njësisë RIS të Karabinierëve në Romë. Hetimet synojnë të përcaktojnë metodën e përdorur për nxjerrjen e lëndës narkotike dhe sasinë e kokainës që ndodhej ende në proces përpunimi.
Përveç shtetasit shqiptar, në pranga ranë edhe dy italianë, një shtetas holandez dhe një kolumbian.







Komente
Komento