TIRANË- Prokuroria e Posaçme u ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dy prej të pandehurve në procedimin penal lidhur me laboratorin e drogës në Frakull. Njëri prej tyre është një shtetas i huaj kolumbian, ndërsa tjetri shqiptar. Emrat e tyre mbahen të rezervuar për shkak të sekretit hetimor. Mësohet se dy bashkëpunëtorët kanë dhënë emra dhe episode të reja për persona të përfshirë në aktivitetin kriminal. Deri tani janë identifikuar mbi 15 persona në kuadër të dy procedimeve që kanë lidhje me njëra-tjetrën ndërsa dosja mëmë është ajo e Frakullës.

Hetimi nisi në vitin 2022, kur në banesën e familjes Çervanaku në Frakull të Fierit u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës, ku u sekuestruan mbi 480 kg lëndë narkotike. Dyshohet se ajo ishte sjellë nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial.

Në këtë operacion u arrestua ish-kryekomunari Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanaku, Redion Meshi, Enxhi Ferhati, Marildo Rona, Bledar Matoshi dhe Julian Malaj. Ata janë dënuar në total me 89 vite burg, ndërsa vijon gjykimi ndaj shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, i cili u arrestua në Ekuador dhe pritet ekstradimi i tij. 

Në datë 13 janar 2026, Prokuroria e Posaçme vendosi ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për trafik droge të kryer nga grupi i organizuar kriminal. Për këtë  të pandehur janë Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola, të cilët  janë të akuzuar edhe për një tjetër dosje, ku akuzohen se sillnin kokainë nga Amerika Latine të fshehur në lëkurë gjedhësh dhe e përpunonin në tre laboratorë të zbuluar në Shqipëri. Për operacionin e fundit janë shpallur në kërkim Durim Keçi dhe Kevin (Arjan) Margjoni.