Dy persona banues në Shijak kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës për shitje të lëndëve narkotike në doza.

26 dhe 33-vjeçari u kapën në aksin rrugor Novoselë-Vlorë teksa po lëviznin me një automjet tip “Volkswagen”.

Gjatë kontrollit blutë sekuestruan 16.90 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 4 aparate celularë dhe automjetin.

“Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në disa zona të qytetit dhe në akset rrugore, si rezultat i të cilave është goditur një rast i shitjes së lëndëve narkotike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në aksin rrugor Novoselë–Vlorë, kanë ndaluar një automjet tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin B. K., 26 vjeç dhe pasagjer shtetasin E. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Shijak, Durrës.

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar 16.90 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e ndarë në doza. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar 4 aparate celularë dhe automjeti.

Në përfundim të veprimeve procedurale, dy shtetasit u arrestuan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim”, informoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

________________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë