/ATSH-AFP/ - Hapësira Schengen për qarkullimin e lirë është ndarë në pjesë nga fluksi i pakontrolluar i imigrantëve në kontinentin evropian, theksoi sot ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Miroslav Lajcak.
"Në fakt, Schengeni është copëtuar. Imigrantët kalojnë absolutisht lirshëm në mbarë vendet që janë përgjegjëse për të mbrojtur kufijtë", shprehu me keqardhje Lajcak.
"Në kohë normale, është vështirë të marrësh një vizë Schengen, ndërkohë që tashmë dhjetëra mijëra persona qarkullojnë të lirë aty pa asnjë kontroll. Atëherë, ekziston Shengeni, apo jo?, theksoi kreu i diplomacisë sllovake, në përfundim të një takimi të qeverisë së Bratislavës.
Qeveria e majtë e Robert Fico propozon jo vetëm një mbrojtje në rritje të kufijve të hapësirës Schengen, por gjithashtu një reflektim mbi shkaqet e imigracionit.
Sipas tij, qeveria sllovake është e gatshme të japë kontributin e saj personal, materialisht dhe financiarisht për zgjidhjen e problemit.