I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak qëndron për vizitë në Kosovë. Në platformën X ai shkroi se me autoritetet e Ksovoës ka një pajtim për hapat e ardhshëm.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se me autoritetet kosovare ka një pajtim për hapat e ardhshëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Lajçak, erdhi mbrëmë vonë në Prishtinë, takoi zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi që njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog. Ndërsa gjatë ditës së martë do të zhvillojë takime me autoritet tjera kosovare përfshirë edhe liderët e partive politike opozitare. Lajçak nuk dha detaje të tjera për çfarë hapash është pajtuar me autoritet kosovare.
"Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, për të diskutuar në vazhdën e takimit të fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne u pajtuam edhe për hapat e ardhshëm”, shkroi Lajçak në platformën X.
Qeveria e Kosovës, përmes në njoftimi pas takimit Bislimi-Lajçak, tha se "është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje të ndërsjellë”, duke shtuar se janë diskutuar "të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”.
Nga ana tjetër, autoritetet e Serbisë, thanë të hënën se Prishtina zyrtare ka refuzuar një ftesë për takim ndërmjet kryenegociatorëve që është dashur të mbahet këtë të martë në Bruksel. Qeveria e Kosovës nuk i komentoi këto pohime.
Vizita Lajçakut në Kosovë është në vazhdën e përpjekjeve të vendeve të perëndimit për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë, për të zbatuar marrëveshjen e arritur gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër të Maqedonisë së veriut. Udhëheqësit e shteteve më të fuqishme evropiane, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emannuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Georgina Meloni, në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se "Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ta njohë "de fakto” pavarësinë e Kosovës./DW