Rrahman Rraja nuk mori pjesë këtë mëngjes në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, duke shmangur një takim me Edi Ramën. Në mbledhje, kryetari i PS-së nuk e preku fare çështjen “Rraja” duke mos njoftuar ndonjë masë politike si pezullimi apo përjashtimi nga grupi parlamentar, ndërsa Taulant Balla iu tha deputetëve se pavarësisht halleve të opozitës, socialistët duhet të vijojnë me axhendën e tyre parlamentare dhe politike.

Duhet të merremi me axhendën tonë parlamentare dhe politike. Opozita ka hallet e veta.

Taulant Balla

Pak para se të mblidhej grupi, Kryeministri i vendit Edi Rama u takua me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Por pas mbledhjes së grupit parlamentar, Rrahman Rraja hyri në kryesinë e Kuvendit. Ai u takua për rreth 15 minuta me Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla.

Jashtë ai mohoi që i biri të kishte dhunuar, si dhe njoftoi mos largimin nga PS.

 Nuk largohem nga grupi i PS. Im bir nuk ka ushtruar dhunë.

Rrahman Rraja

Më pas, Rraja aktivizoi Facebook-un e tij për të qartësuar pozicionin e tij.

S'kam marre pjese ne asnje lloj presioni mbi policine dhe kam kerkuar dhe kerkoj te hetohet vendndodhja ime ate dite. Mos prisni nga une qe te behem prokurori i tim biri dhe mos keqperdorni fjalet e mia si baba! Po e them shume qarte qe prokuroria duhet ta hetoje ceshtjen deri ne fund. Familja jone dhe familja e vajzes kane marredhenie te vjetra miqesore qe jane te pandryshuara sot dhe gjithe jeten. Djali dhe vajza kane pasur nje marredhenie disa vjecare dhe pavaresisht asaj qe mendoj une, e perseris, kjo ceshtje i takon drejtesise, jo politikes.

Rrahman Rraja

Më pas ishte fjala e kryeministrit për të thënë fjalën e tij, në kundërpërgjigje me akuzat e opozitës.

“Arrestim fasadë?"!Ja dhe një prurje e re e jashtënxjerrjes politike mbi vajzën e kthyer në mish për topat e dëshpërimit opozitar! Domethënës sulmi ndaj prokurorisë: Gratë prokurore s'janë as gra, as nëna, as vajza po bashkëpunëtore të krimit. Mjerë kush i beson këta të paudh.  

Edi Rama

Djali i deputetit Rrahman Rraja u arrestua një ditë më parë për përndjekjen e 25-vjeçares Xhisiela Maloku. Dy ditë më parë nga Korça, kryeministri kërkoi prova për përfshirjen e tij në këtë ngjarje, duke lënë të nënkuptohet se ishte i gatshëm të ndërmerrte çdo masë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:31
Pas mbledhjes së grupit, Taulant Balla takim kokë më kokë me Rrahman Rrajën

Menjëherë pas mbledhjes së Grupit të Partisë Socialiste, aty ku mungoi mësohet se Rrahman Rraja është takuar me kreun e Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Ballën.

Takimi mes tyre siç raporton gazetarja Esiona Konomi për Shqiptarja.com dhe Report TV ka zgjatur pak minuta, ndërsa në përfundim të saj deputeti nga Fushë-Kruja iu përgjigj interesimit të gazetares Esiona Konomi, për të cilën bëri të ditur edhe qëndrimin e tij: Nuk largohem nga Grupi i PS.

Ora 11:12
Rrahman Rraja: Djali im s’ka kryer dhunë, nuk largohem nga PS (VIDEO)

Deputeti socialist Rrahman Rraja, në përfundim  të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk ka pranuar të flasë për mediat.

Rraja nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit, por siç bëjnë me dije burimet për Report Tv, Rraja ka qëndruar për afro 5 minuta në kryesinë e Kuvendit dhe më pas është larguar.Në dalje të kryesisë, i pyetur nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, se nëse do të largohet nga PS, Rraja tha se nuk do të largohet. Deputeti u pyet nëse djali i tij kishte ushtruar dhunë, dhe sërish Rraja nuk e pranoi këtë gjë.

 “S’ka lidhje me atë punë. Djali im s’ka kryer dhunë. Nuk largohem nga PS”-ka thënë Rraja.