Lajm i mirë/ Gjermania po shqyrton njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova

Lajm i mirë/ Gjermania po shqyrton njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova

Marrë nga Deutsche Welle

Këshilli Federal po shqyrton aktualisht një projekt-rregullore të re për lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani. Njëra nga pikat është edhe njohja e patentave shqiptare dhe kosovare.

Njohja e patentave shqiptare dhe kosovare për emigrantët me banim në Gjermani së shpejti pritet të bëhet më e lehtë. Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.

Cilat patenta njihen pa provime?

Sipas draftit qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë:  

A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Vetëm për patentat nga Shqipëria që I përkasin kategorisë AM për konvertimin do të kërkohet një provim praktik.

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Kursime prej së paku 1000 Euro për çdo emigrant

Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani. Sipas rregullave të deritanishme për emigrantët rezidentë në Gjermani vlefshmëria e patentës skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi. Konvertimi kushtonte deri në 1000 Euro, i tha DW, Xhevat Qerimaj, nga Autoshkolla Sieber në Stuttgart të Gjermanisë.

"Deri tani konvertimi i patentave nga këto dy vende kërkonte provime shtesë si në teori ashtu edhe në praktikë, plus edhe gjashtë orë ushtrim praktike. Në total ishin së paku 1 000 Euro", thotë DW Xhevat Qerimaj. "Shumë prej emigrantëve të ardhur me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk e njihnin mirë gjermanishten nuk kishin shans të merrnin provimin teorik,” shtoi Xhevat Qerimaj për DW.

Një kërkesë e bërë dy vjet më parë nga ambasadat e Kosovës dhe të Shqipërisë në Berlin që provimet e lejeve të drejtimit të automjeteve të bëheshin – së paku përkohësisht -  në gjuhën shqipe u refuzua në dhjetor të vitit të kaluar.

Miratimi në shkurt?

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime digjitale dhe Transporte, i thanë DW burime nga Këshilli Federal. Nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet qysh më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.

Ndryshimet e propozuara kanë mbi bazë projekt-marrëveshje dypalëshe të Gjermanisë me Shqipërinë, përkatësisht me Kosovën, që pritet të ratifikohen menjëherë pas miratimit nga Këshilli Federal.

Çështja e njohjes së patentave për emigrantët residentë në Gjermani kishte shkuar deri në tryezën e ish-kancelares Angela Merkel. Thuajse në çdo të takim me krerët e vendeve përkatëse flitej për patentat. Diplomatët në Berlin thonë se ishte pikërisht angazhimi personal ish-kancelares që e përshpejtoi procesin./ Marrë nga DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?