KAVAJË - Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili njoftoi për mediet se në qytetin e Kavajës do fillojë ndërtimi i stadiumit të ri. Pas shumë vitesh pa një impiant, me atë aktual që ka degraduar dhe që kullosin kafshët, këtë fund-nëntori pritet prishja e tribunës kryesore dhe në marsin e 2024 do fillojë ndërtimi i stadiumit të ri.

Në prillin e këtij viti, në një takim në Kavajë, kryeministri Rama tha se qyteti do ketë një stadium të ri, teksa krah tij ishte edhe presidenti i Besës. Me kapacitet fillestar prej 4500 personash dhe me përmirësimet që do e çojnë në 9 mijë numrin e tifozëve, Bizhdili bën me dije se stadiumi mund të presë edhe ndeshje ndërkombëtare, teksa në të mund të luajnë edhe kombëtaret e moshave.

"Më në fund kemi plan real e hapa konkretë lidhur me stadiumin. Kështu kanë kaluar fazat e para dhe në fund të nëntorit nis prishja e tij. Kujtojmë se stadiumi “Besa” është klasifikuar me DS/4 nga tërmeti i nëntorit 2019. Çfarë do të thotë, që duhet të ishte prishur me kohë… Sidoqoftë, rëndësi ka që kjo gjë do të ndodhë brenda këtij muaji", tha fillimisht presidenti i Besës.

Sipas tij, faza e parë parasheh ndërtimin e tribunës kryesore dhe asaj përballë, me një kapacitet deri në 4500 persona. Ndërtimi pritet të fillojë në muajin mars.

"Pas prishjes, në muajin mars pritet të nisë edhe faza e parë e rindërtimit të tij. Them faza e parë, pasi kapaciteti fillestar pritet të jetë 4500 vende, ku përfshihen dy tribunat qendrore dhe ato ballore. Do të ketë të gjitha kushtet për një stadium modern", tha Bizhdili.

Drejtuesi i Besës u ndal edhe te ndeshjet ndërkombëtare, që sipas tij mund të zhvillohen në këtë stadium që pritet të fillojë ndërtimin vitin që vjen.

"Mund të presë edhe takime ndërkombëtare të përfaqësueses sonë, pasi do të jetë i kompletuar edhe me infrastrukturën e jashtme apo një parking me mbi 500 vende përballë tribunës qendrore dhe asaj ballore, që sot shërben si treg i gjelbër për qytetin. Në varësi të nevojave, parashikohet që të ketë hapësirë për të shkuar edhe në 9 mijë vende në total. Ndaj thashë faza e parë", tha mes të tjerash Bizhdili për mediet.